Drejtori i Spitalit të Tetovës nuk dha detaje për tragjedinë: Presim organet kompetente të zbardhin rastin

Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi, ka deklaruar sot për mediat se pacientët që u zhvendosën nga spitali modularë në spitalin klinik, janë në gjendje stabile dhe po u ofrohet kujdes shëndetësor në vazhdimësi, transmeton Portalb.mk.

“Dua të njoftojë opinionin se pacientët të cilët arritëm t’i shpëtojmë janë të gjithë në gjendje stabile dhe vazhdojnë të trajtohen në Spitalin Klinik të Tetovës. Stafi i Spitalit Klinik së bashku me të gjithë ekipet që janë këtu vazhdon të kujdeset për qytetarët, të japin shërbimet shëndetësore, në mesin e tyre janë edhe 70 pacientë covid pozitiv, në asnjë moment nuk ka ardhur deri te ndërprerja e kujdesit ndaj tyre, në vazhdimësi kanë marrë tretmanë dhe terapia vazhdon”, tha Besimi.

Ai nuk ka dashur të ndaj me media detaje rreth zjarrit që përfshiu dje spitalin modular në Tetovë, si pasojë e të cilit mbetën të vdekur 14 persona.

“Ne jemi në pritje të zbardhjes së situatës, dmth e presim nga organet kompetente dhe shpresojmë se sa më shpejt do të zbardhet rasti. Për momentin, të gjithë që u zhvendosën nga spitali modularë janë vendosur në reparte të tjera, të cilët paraprakisht i trajtonin pacientët dhe i kemi përgatitur për kovid pacientët. Do t’ia lëmë organeve të drejtësisë ta shohim ngjarjen. Janë organet kompetente. Kemi përgjegjës që është për organizimin e mbrojtjes kundër zjarreve, kështu që atë do t’ia lëmë organeve të drejtësisë të dalin detajisht”, tha ai.

I pyetur rreth parregullsive të spitalit modular, për të cilat kanë qarkulluar informacione nëpër media, ai ka hedhur përgjegjësinë mbi Ministrinë e Shëndetësisë, duke thënë se ato janë ndërtuar nga kjo ministri.

“Spitalet modulare janë të ndërtuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe për çdo detaj se si është ndërtuar do t’i drejtoheni Ministrisë së Shëndetësisë”, tha Besimi.

I pyetur se, a janë mirëmbajtur bombolat e oksigjenit në vazhdimësi ai tha:

“Kemi komisionet teknike, kemi inspektoratin teknik, kemi të gjithë dokumentacionin dhe ato janë të gjithë të dorëzuar, dokumentacionin që ka kërkuar prokuroria dhe organet e drejtësisë i kanë në dorë ato”, theksoi drejtori i spitalit të Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button