fbpx

Tubimi i së martës: Policia planifikon të rrethojë sërish Kapitolin

Zyrtarët e zbatimit të ligjit, të shqetësuar mbi mundësitë për dhunë gjatë një tubimi që pritet të mbahet në Uashington javën e ardhshme, po planifikojnë të riinstalojnë një gardh mbrojtës rreth Kapitolit, i ngjashëm me atë që u vendos, e u mbaj për disa muaj, pas sulmit të dhunshëm të 6 janarit. Lajmi u bë i ditur për agjencinë “Associated Press” nga një person në dijeni të diskutimeve mbi këtë çështje.

Megjithëse nuk janë shpallur masa specifike, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi la të kuptohet gjatë konferencës së saj javore për shtyp të mërkurën, se po ndërmerren masa paraprake shtesë të lidhura me sigurinë për shkak të tubimit të 18 shtatorit. Ajo tha se: “Ne synojmë që integriteti i Kapitolit të mos preket”, transmeton VOA.

Në ditët në vijim pritet që ligjvënësit dhe udhëheqësit e Kongresit të informohen mbi këtë çështje.

Sipas një plani sigurie që po finalizohet, bëhet fjalë për vendosjen e një perimetri në rrugët që të çojnë tek ndërtesa e Kapitolit dhe Gjykata e Lartë, tha për “Associated Press” i njëjti zyrtar në kushte anonimiteti.

Policia vazhdon të marrë informacione që tregojnë se grupe të së djathtës ekstreme si “Proud Boys” dhe “Oath Keepers” planifikojnë të marrin pjesë në tubimin e javës së ardhshme, i cili po organizohet me synimin për të kërkuar “drejtësi” për qindra njerëz ndaj të cilëve janë ngritur akuza në lidhje me sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar. Megjithatë udhëheqësi i “Proud Boys”, Enrique Tarrio, ka thënë se nuk pret që anëtarët e grupit të tij të marrin pjesë.

Ndërkohë të mërkurën, FBI-ja publikoi informacione të reja me shpresën për të kapur personin që dyshohet për vendosjen e dy bombave artizanale shumë pranë Kapitolit një natë para sulmit, një nga misteret ende të pazgjidhura të asaj jave kaotike.

Prania e mundshme e grupeve ekstremiste në ngjarjet e javës së ardhshme është shqetësuese sepse ndonese anëtarët dhe bashkëpunëtorët e “Oath Keepers” dhe “Proud Boys” përbëjnë vetëm një pjesë të afro 600 personave ndaj të cilëve janë ngritur deri tani akuza mbi sulmin, ata po përballen me disa prej akuzave më të rënda të lidhura me ngjarjen.

Ata akuzohen se kanë komplotuar për të bllokuar çertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve që nxirrte fitues demokratin Joe Biden. Disa anëtarë të grupit “Oath Keepers” janë vetëshpallur fajtorë mbi akuzat për komplot dhe po bashkëpunojnë me hetuesit.

Tubimi i planifikuar i 18 shtatorit vjen ndërsa Uashingtoni është tronditur nga një seri incidentesh shqetësuese kohët e fundit, sikurse ai kur një person që kishte parkuar një kamionçinë pranë bibliotekës së Kongresit tha se brenda saj kishte një lëndë shpërthyese.

Më shqetësuesja mes ngjarjeve është ajo e lidhur me bombat artizanale, që nuk shpërthyen, të vendosura pranë Kapitolit më 5 janar, ngjarje ende papërgjigje.

FBI-ja publikoi të mërkurën një video të re të personit që dyshohet si autor i vendosjes së bombave. FBI-ja tha për herë të parë se agjentët besojnë se i dyshuari nuk është nga Uashingtoni.

“Shqyrtimi i sjelljes së të dyshuarit nga pamjet filmike dhe intervistat me banorët e lagjes aty pranë kanë bërë që FBI-ja të besojë se i dyshuari nuk është nga kjo zonë”, thanë zyrtarët.

Disa ligjvënës dhe zyrtarë të lartë pritet të informohen mbi planin për ngritjen e gardhit më vonë gjatë kësaj jave dhe një njoftim tjetër më i gjerë për drejtuesit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit është planifikuar për ditën e hënë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button