fbpx

Krerët e BE-së dhe rajonit shprehin ngushëllime për viktimat në Tetovë

Ngushëllime për tragjedinë e tmerrshme që ndodhi në qendrën kovid në Tetovë, në të cilën humbën jetën  14 persona, vijnë nga të gjitha anët e BE-së dhe rajonit.  Nga Bashkimi Evropian kanë shprehur ngushëllime pas tragjedisë që ndodhi mbrëmë në spitalin modular në Tetovë, njoftoi korrespondenti i MIA -s nga Brukseli, transmeton Portalb.mk.

“BE -ja dërgon ngushëllimet më të thella për familjet dhe miqtë e viktimave të këtij zjarri tragjik në spitalin modular në Tetovë të specializuar në trajtimin e pacientëve me kovid. Iu urojmë shërimit të shpejtë të plagosurve, tha në një reagim dërguar MIA -s, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në shtet, David Geer, ka shkruar se mendimet e tyre janë me qytetarët e Tetovës.

“Mendimet tona këtë mëngjes janë me njerëzit në Tetovë, pas zjarrit tragjik në spitalin modular. Ngushëllime të sinqerta familjeve dhe miqve të atyre që kanë humbur jetën e tyre dhe uratat më të mira për shpëtim të shpejtë të të lënduarve”, ka shkruar Geer në Twitter.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka shprehur shqetësimin dhe trishtimin e tij për tragjedinë në fjalë.

“Një ngjarje tepër e rëndë dhe tronditëse, veçanërisht për numrin e viktimave të raportuara. Shpreh ngushëllimet më të ndjera për jetët e humbura dhe ndaj dhembjen e madhe me familjarët e tyre! Ju uroj shërimin sa më parë të lënduarve! Shpreh solidaritetin e plotë me autoritetet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, që po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar sa më shumë jetë dhe vënë nën kontroll situatën. Mendimet dhe lutjet e mia janë me Tetovën!”, shkroi Meta në Facebook.

Nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë Edi Rama Facebook shprehu ngushëllime për viktimat në Tetovë.

“Duke u bashkuar me të gjithë ju në ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave të tragjedisë së mbrëmshme në spitalin Covid të Tetovës, si edhe në përqafimin vëllazëror për krejt komunitetin tetovar dhe mbarë popullin e Maqedonisë së Veriut, ju uroj një ditë të qetë juve e gjithë familjeve tuaja”, shkroi Rama.

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mbrëmë zhvilloi një bisedë telefonike me Kryetaren e Komunës së Tetovës për ngjarjen e rëndë në spital modular atje.

“Eksplodimi i fuqishëm duket që ka marrë shumë jetë njerëzish, kryesisht pacientë. Kryeministri Kurti i shprehu ngushëllime Kryetares Arifi për këtë tragjedi dhe gatishmërinë për ndihmë, për çfarë Kryetarja Arifi e falënderoi kryeministrin”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot ka biseduar në telefon me Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe me rastin e zjarrit në spitalin e Tetovë ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave në emër të të gjithë qytetarëve serbë, raporton MIA nga Beogradi.

“Qytetarët e Serbisë janë në dhimbje së bashku me njerëzit në Tetovë. Jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë vëllazërore, pasi qytetarët e Maqedonisë nuk janë vetëm në këtë tragjedi”, tha Vuçiç në një bisedë telefonike me kryeministrin Zaev, njoftuan nga pres-shërbimi qeveritar.

Ai të lënduarve iu uroi shërimit të shpejtë.

Ngushëllimet për familjet e viktimave dhe solidaritet me popullin dhe qeverinë shprehën përmes Twitter edhe nga Ministria e Jashtme e Greqi, raporton MIA nga Athina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button