RMV, mbështetje kryeministrore dhe ministrore në garën për vota lokale

Mbulimi dhe mbivendosja mes partisë dhe shtetit janë në baza minimale në krahasim me partinë e mëparshme në pushtet, thotë Presidenti Pendarovski. Ndërkohë, kryeministri Zaev po promovon projekte lokale me kandidatë, ndërsa partitë po promovojnë kandidatë edhe pse fushata nuk ka filluar, shkruan REL, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Zoran Zaev, Kryetari i Shkupit Petre Shilegov, Kryetari i Komunës Saraj, Blerim Bexheti, dhe lideri i BDI -së Ali Ahmeti, të gjithë këtë të diel ishin në një ngjarje të quajtur “inspektimi i rindërtimit të rrugës lokale në fshatin Bojanë”.

Dy prej tyre, Shilegov dhe Bexheti, janë përsëri kandidatë për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor. Zaev nga pozita e Kryeministrit shprehu mbështetjen e tij.

“Rindërtimi është vetëm një nga dhjetëra projektet investuese të autoriteteve lokale në vendin tonë dhe ata e kanë mbështetjen e plotë të qeverisë përmes disa programeve të ndryshme”, tha Zaev.

Ai e tha këtë të martën, disa javë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore për qeverisjen e re lokale, në të cilën do të garojnë Shilegov dhe Bexheti, i pari si kandidat i partisë së tij, dhe i dyti i partisë së Ali Ahmetit, partner i koalicionit qeveritar.

Por, Kryeministri aktual, si opozitar në vitin 2014, kërkoi kushte për zgjedhje nga VMRO-DPMNE-ja në atë kohë në pushtet. Shtatë vjet më parë, ia paraqiti qeverisë pesë kërkesa, përfshirë rregullimin e ndarjes së partisë nga shteti. Ai pohonte se qeveria e Gruevskit kishte “ndarje jo të përshtatshme midis aktiviteteve partiake dhe shtetërore”.

Ndërsa në vitin 2016, para zgjedhjeve parlamentare pas të cilave erdhi në pushtet, LSDM në një deklaratë e kritikoi Nikolla Gruevskin, lider i VMRO-DPMNE-së që atë kohë ishte në pushtet, sepse kishte shkuar të promovojë një projekt në Gazi Babë i paguar, siç shkruanin, me para të qytetarëve dhe e pyeti në çfarë cilësie kishte qenë atje.

“Në vend që Nikolla Gruevski të japë përgjigje për strukturimit kriminal dhe veprime për mashtrime zgjedhore, sot ai përsëri tregoi dëshirën e VMRO-DPMNE-së për të mbuluar shtetin në nivelin qendror dhe lokal”, pohonte LSDM pesë vjet më parë.

Pendarovski – mbivendosjet midis partisë dhe shtetit janë minimale

Presidenti Stevo Pendarovski edhe si ish-kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për përzierjen e partisë dhe shtetit tani që LSDM është në pushtet, opsioni që e mbështeti atë beson se ka përmirësime. Ai për Radio Evropa e Lirë tha se tejkalimet të cilat i kanë konstatuar vëzhguesit ndërkombëtarë për ciklet e fundit zgjedhore janë minimale në krahasim me ato që i kishte bërë qeveria e Gruevskit.

“Të bëjmë një paralele pa e justifikuar këtë qeveri kur diku ajo mjegullon kufirin midis partisë dhe shtetit. Këtu merrni ciklin tim zgjedhor 2019, ose më herët 2017, ato zgjedhje lokale. Me të gjitha vërejtjet e bëra nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i atëhershëm, misioni i atëhershëm i OSBE-së mbivendosja e midis partisë dhe shtetit ishte minimale në krahasim me atë që shihnim më herët kur partia dhe shteti u bashkuan praktikisht gjatë garniturës së mëparshme politike”, thotë Pendarovski.

Ndërkohë, kandidatët për kryetarë të komunave janë në terren, duke biseduar me qytetarët, duke premtuar se çfarë do të bëjnë, cilat janë projektet e tyre të ardhshme që do të zbatonin nëse qytetarët votojnë për ta më 17 tetor. E gjithë kjo duket si një fushatë zgjedhore, e cila në Kodin Zgjedhor përcaktohet si “tubim publik dhe ngjarje të tjera publike, shfaqje posterësh, shpërndarje materialesh të shtypura dhe prezantim publik të kandidatëve të konfirmuar nga autoritetet kompetente zgjedhore dhe programet e tyre”.

Por, edhe pse disa kandidatë po i bëjnë të gjitha këto, fushata zgjedhore ligjërisht nuk ka filluar. Sipas orarit të zgjedhjeve lokale publikuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve , fushata fillon më 27 shtator dhe do të zgjasë deri më 15 tetor. Fjala kyçe në ligjin, në të cilën thirren nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, që është përgjegjës për monitorimin e fushatës, janë kandidatët e konfirmuar. Sipas orarit të KSHZ-së, Komisionet Komunale Zgjedhore, pas inspektimit në institucionet kompetente, duhet të konfirmojnë kandidatët më së voni deri më 11 shtator.

“Nuk mund të shkoj drejtpërdrejt rast pas rasti, por 11 shtatori do të jetë dita kur do të publikohen listat. Dhe atëherë do të dimë se cilët do të jenë kandidatë zyrtarë, nga ajo që shohim tani, disa që ishin propozim për kryetarë komunash, tani nuk janë”, tha kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.

Mbështetje ministrore dhe e liderëve për autoritetet lokale

Varësisht nga kandidati, nëse vjen nga partitë qeverisëse apo opozitare, në promovimin e tyre përfshihen ministra të qeverisë ose udhëheqësit e opozitës. Kështu, me kandidatin e LSDM-së për komunën Qendrës, Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq shëtit nëpër lagjet e komunës, ndërsa qytetarët e Karposhit, me kandidaten e partisë në pushtet, i viziton drejtoresha e Drejtorisë për të Ardhurat Publike, Sanja Lukarevska.

Kandidatja e pavarur për qytetin e Shkupit Danela Arsovska, të cilën e mbështet VMRO-DPMNE, shkon në promovimet e saj me udhëheqësin e opozitës Hristijan Mickoski, i cili nga ana tjetër i promovon kandidatët e tyre për Butel dhe Gjorçe Petrov. Partitë i bëjnë të gjitha këto në takimet me qytetarët, tribunat ose me vizita derë më derë.

Ish-kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjave Aleksandar Novakovski thotë se në raportet e OSBE/ODIHR ka pasur vërejtje të vazhdueshme për përzierjen e partisë dhe shtetit. Ai shton se nuk kishte deklarime konkrete për shkelje ligjore, por që vëzhguesit ndërkombëtarë kanë sugjeruar që partitë të gjejnë mënyrë ligjore për ta parandaluar këtë.

“Por kjo nuk bëhet te ne. Sa i përket fushatës, për momentin askush nuk mund të ndërmarrë asnjë sanksion ose të fillojë ndonjë procedurë sepse fushata nuk ka filluar. Është mangësi në Kodin Zgjedhor që partitë, qofshin në pushtet apo në opozitë, nuk duan ta zgjidhin një herë e përgjithmonë. Në këtë janë unikë këtu sepse të gjithë bëjnë fushatë”, tha Novakovski.

Përndryshe, fushata zgjedhore fillon njëzet ditë para ditës së zgjedhjeve, që do të thotë se për këto zgjedhje lokale fushata fillon më 27 shtator dhe do të zgjasë deri në mesnatën e 15 tetorit. Për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, fushata do të zgjasë deri në mesnatën e 29 tetorit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button