fbpx

Me Deklaratë, vendet e Ballkanit Perëndimor do të kthejnë trenat e ndërprerë ndërkombëtarë

Vendet e Ballkanit Perëndimor në të ardhmen do të ndërlidheshin me anëtarët e BE -së me trena ekspresë ndërkombëtarë, të cilët tashmë disa vjet gradualisht po ndërpriteshin në rajon, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në seancën e djeshme, Qeveria e RMV e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin lidhur me samitin e ardhshëm të ministrave që do t’i kushtohet hekurudhave, në organizim të Sekretariatit ekzistues të Komunitetit të transportit, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Qeveria autorizoi Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski të nënshkruajë deklaratën “Samiti i Ministrave kushtuar hekurudhave – Hekurudhat janë e ardhmja”.

“Kjo deklaratë, ndër të tjera, parashikon rivendosjen e lidhjeve të drejtpërdrejta të trenave ndërurban  midis kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, në mënyrë që të krijojë një lidhje më të mirë për bizneset dhe njerëzit, digjitalizimin e sistemeve të ndërlidhjes hekurudhore dhe të mundësohet shkëmbimi i të dhënave për transportin ndërkufitar të udhëtarëve dhe mallrave deri në fund të vitit 2025, si dhe përfundimin e marrëveshjeve “One Stop Go” midis të gjithë partnerëve rajonalë dhe vendeve fqinje të BE-së për të gjitha kalimet kufitare hekurudhore deri në tremujorin e katërt të vitit 2023, për të lehtësuar procedurat “për kalimin e kufirit për udhëtarët dhe ngarkesat”, thuhet në komunikatën e shërbimit të qeverisë për media.

Trafiku ndërkombëtar hekurudhor në Ballkanin Perëndimor ka thyer rekorde famëkeqe historike vitet e fundit. Maqedonia e Veriut këtë vit nuk është e lidhur me asnjë tren ndërkombëtar me vendet fqinje. Treni i shpejtë nga Shkupi në Beograd dhe Selanik nuk është parashikuar në orarin e këtij viti, ndërsa i vetmi tren me shpejtësi të lartë midis Shkupit dhe Prishtinës nuk funksionon. Nga vendi vite me radhë nuk qarkullojnë as trenat që dikur shkonin Zagrebit dhe Lubjanës, si dhe treni për në Mal të Zi në muajt e verës.

Vendet fqinje janë në situatë të ngjashme. Beogradi dhe Prishtina nuk janë të lidhura me hekurudhë, ndërsa prej disa vitesh nuk funksionon treni ndërkombëtar midis kryeqytetit serb dhe atij boshnjak. Vitet e fundit, trenat midis Selanikut dhe Stambollit, Beogradit dhe Bukureshtit janë anuluar, ndërsa trafiku ndërkombëtar hekurudhor midis vendeve të Ballkanit është reduktuar në minimum edhe ndër destinacionet që mirëmbahen rregullisht.

Ndryshe, “Portalb.mk” dhe “Meta.mk” tashmë kanë shkruar për nevojën për të filluar shfrytëzimin e pikave të përbashkëta kufitare hekurudhore midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshja për bashkëpunimin ndërkufitar në sektorin hekurudhor me Kosovën u nënshkrua në vitin 2012, por deri më sot nuk është ndërtuar asnjë stacion hekurudhor i përbashkët në Elez Han midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Marrëveshje u nënshkrua edhe me Serbinë në vitin 2015 për fillim të një stacioni të përbashkët hekurudhor në Tabanoc, por deri më sot ndërtimi i objektit të planifikuar nuk ka filluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button