Letër nënës

Viti i parë pa ty po kalon ngadalë, edhe pse mund të duket se koha ka fluturuar. Secila ditë e ka shtuar mungesën tënde. Secila ditë e ka pasur të paktën një moment kur e kam ngritur instiktivisht telefonin për të të kërkuar, për të të pyetur si je, për të biseduar mbi ditën time, gëzimet, hallet, pritshmëritë… Secila ditë e ka pasur të paktën një zhgënjim se këto ndjenja më nuk mund të ndahen me ty. Secila e premte ka qenë një përkujtim se nuk je më mes nesh. Secili moment ka qenë më i varfër se nuk është ndarë me ty.

Thonë se koha i shëron të gjitha plagët por ja që paska plagë që nuk shërohen kurrë, mungesa të cilat nuk plotësohen, fjalë që mbeten pa u thënë, momente që duken të zbehta pa ty. E megjithatë, ti vazhdon të jetosh në kujtimet tona që janë aq të freskëta, aq të çiltra, të tilla si buzëqeshja jote që ndriçonte sa herë merrje një lajm të mirë. Fjalët e tua vazhdojnë të mbeten mes nesh, në bisedat ditore kur na kujtohet secili reagim i yti, secila shprehje, secili emocion që përcillje.

Rrallë kam njohur njerëz që e jetojnë aq intenzivisht jetën, që janë aq prezentë në qenien e të afërmve, që angazhohen me mish e me shpirt edhe për projektin më të vogël, që e bëjnë prioritet mirëqenien e dikujt sa herë që mund të ndihmojnë. Të rrallë janë njerëzit si ti.

Fillimi i shtatorit është posaçërisht i dhimbshëm pa ty. Mjafton një shikim i shpejtë në fotografitë e viteve të kaluara që tregojnë se nipat dhe mbesa jote, stacion të parë para se të niseshin për në shkollë e kishin kopshtin tënd, ku i prisje me këshilla se çfarë duhet të bëjnë gjatë vitit shkollor dhe si t’u qasen mësimeve. Gjatë gjithë jetës ishe mësuese dhe mbete e tillë në kujtimet tona. Të tillë të kujtojnë të gjithë që të njohin, të tillë të kujtojnë edhe pasardhësit e tu sa herë që hapin një libër për ta lexuar.

Më mungon entuziazmi që përçoje në secilën punë që filloje. Në gjithçka që bëje, edhe në veprimin më të vogë, ishte i dukshëm ky entuziazëm. Më kujtohet që edhe në vitet e fundit para pensionimit me entuziazëm mësoje gjëra të reja, mësoje gjuhën fringe, mësoje punën me kompjuter, mësoje komunikimin me anë të teknologjisë, mësoje, mësoje, mësoje pa ndërprerë edhe pas pensionimit. Në një vend ku shumica e njerëzve janë thellësisht të bindur se dinë gjithçka, ky entuziazmi yt ishte frymëzues, ishte ngjitës, më ngjitës se sa sëmundja që të mori jetën, ishte hipnotizues.

Do të doja që më shumë njerëz ta kenë pozitivitetin tënd, forcën që ua jepje të gjithëve të ecin përpara, solidaritetin dhe empatinë që e ndaje me të gjithë.

Bota është një vend më i zymtë pa ty, nënë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button