Franca sot fillon gjykimin për sulmet terroriste të vitit 2015

Një gjykim i përmasave të papara do të fillojë më 8 shtator në Francë kundër 20 personave të dyshuar për përfshirje në sulmet terroriste në Paris, gati gjashtë vjet më parë, transmeton REL.

Ky vlerësohet se do të jetë gjykimi më i madh në historinë e Francës.

Sulmet në bare, restorante, një sallë koncertesh dhe stadiumin e futbollit jashtë kryeqytetit francez patën lënë të vrarë 130 njerëz dhe qindra të plagosur.

“Kërcënimi terrorist në Francë është i lartë, veçanërisht në raste siç është gjykimi i sulmeve”, tha ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin për radion France Inter.

Policia është vënë në gatishmëri të lartë. Makinat do të ndalohen në rrugët që çojnë në drejtim të gjykatës.

Sulmet u kryen nga sulmues vetëvrasës dhe një grup prej 10 personash në mbrëmjen e 13 nëntorit të vitit 2015. Ato u morën përsipër nga grupi ekstremist Shteti Islamik.

Kjo ishte mizoria më e keqe që i ka ndodhur Francës që nga Lufta e Dytë Borërore.

Salah Abdeslam, 31-vjeçari francez-maroken i cili besohet të jetë i vetmi anëtar i mbijetuar i sulmuesve, do të jetë në bankën e të akuzuarve në objektin e ndërtuar për këtë qëllim. Ai do të gjykohet së bashku me 13 të pandehur të tjerë.

Krahas Abdeslam, nëntëmbëdhjetë nga të dyshuarit tjerë, gjashtë prej të cilëve do të gjykohen në mungesë, akuzohen se kanë ndihmuar në sigurimin e armëve dhe makinave ose kanë luajtur një rol në organizimin e sulmeve.

Nga gjashtë të gjykuarit në mungesë, pesë supozohen të vdekur, kryesisht në sulmet ajrore në Siri.

Abdeslam, 31 vjeç, gjithashtu duhej të hidhte në erë veten, por në vend të kësaj ai hodhi rripin e tij vetëvrasës dhe iku përsëri në Bruksel, ku u arrestua muaj më vonë. Nga burgu ai ka thënë shumë pak, por dëshmia e tij do të jetë një pikë kyçe e gjyqit.

Dymbëdhjetë nga 20 të dyshuarit përballen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë.

Gjatë 145 ditëve të procesit gjyqësor janë angazhuar gati 1,800 prokurorë dhe rreth 330 avokatë.

Ministri i Drejtësisë Eric Dupond-Moretti ka thënë se procesi gjyqësor është “historik”.

Padia arrin në një milion faqe në 542 vëllime dhe të gjitha dokumentet bashkë arrijnë një lartësi prej 53 metrash.

Vendimi pritet në fund të majit 2022.

Ecuria e gjykimit

  • 8 shtator: Fillon gjyqi. Në javët e para, ekspertët dhe policia tregojnë se si u zhvilluan sulmet.
  • 28 shtator- 29 tetor: Paraqiten dëshmitë e viktimave.
  • 2-5 nëntor: Të pandehurit do të merren në pyetje. Procesi gjyqësor do të shqyrtojë lidhjet e tyre dhe udhëtimet në Siri.
  • 9-22 shkurt 2022: Të akuzuarit do të merren në pyetje në lidhje me përgatitjen e sulmeve.
  • 2-9 mars 2022: të akuzuarit do të dëshmojnë për natën e sulmeve.
  • 6-22 prill 2022: fjalimet përmbyllëse nga avokatët e paditësve.
  • 2-5 maj: Deklaratat përfundimtare të prokurorisë.
  • 6-23 maj: Fjalimet e mbrojtjes.
  • 24 ose 25 maj: Gjyqtarët shpallin vendimin e tyre.

Në nëntor do të dëshmojë ish -presidenti francez, Francois Hollande.

Qëllimi i gjykimit nuk është vetëm të vërtetojë fajësinë ose pafajësinë e 20 të akuzuarve, por gjithashtu të dokumentojë origjinën, planifikimin dhe ekzekutimin e komplotit, nga konceptimi i tij në nivelet më të larta të Shtetit Islamik në Raka, Siri pastaj në dërgimin e operativëve të fshehtë në radhët e migrantëve që hynë në Evropë nga Turqia dhe Greqia më 2015 dhe deri te detajet logjistike të përgatitura në Bruksel dhe më pas veprimet e tre skuadrave të sulmit të njohura si “komando” natën e vrasjeve.

Procesi gjyqësor nuk do të transmetohet për publikun, por do të regjistrohet me qëllim të ruajtjes në arkivë. Kamerat e mediave mund të xhirojnë vetëm jashtë dhomës së gjyqit.

Çfarë thotë një e mbijetuar e sulmeve?

Në mbrëmjen e 13 nëntorit 2015, Theresa Cede, një nënë austriake e dy fëmijëve që jetonte në Paris kishte ftuar mikun e saj Stephane për të festuar ditëlindjen e tij të 40 -të.

Dhurata e saj ishin dy bileta për koncertin në sallën e koncerteve Bataclan.

Të dy, sipas BBC-së, po qëndronin pranë hyrjes së sallës kur tre persona të armatosur filluan të qëllonin drejt njerëzve.

Ajo u shpëtua nga një burrë i cili u qëllua dhe ra pranë saj.

“Unë shpëtova pasi u mbrojta nga trupi i tij derisa të shtënat vazhduan rreth nesh”, tha ajo.

Rreth orës 22:00 një polic dhe shoferi i tij qëlluan mbi njërin prej personave të armatosur duke shkaktuar shpërthimin e xhaketës së sulmuesit.

Menjëherë pas kësaj, dy xhihadistët e mbetur u tërhoqën në një korridor të Bataclan, duke marrë pengje.

Theresa dhe Stephane u evakuuan përfundimisht pak para sulmit përfundimtar në orën 00:20.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button