Trendafilova: Gjykata Speciale do të funksionojë deri kur t’i mbyllet mandati

Kryetarja e Gjykatës Speciale Trendafilova po qëndron në Kosovë. Ajo tha se mandati i Gjykatës varet nga Këshilli i Evropës. Trendafilova vizitoi edhe veriun e Mitrovicës.

Kryetarja e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, Ekaterina Trendafilova, tha se kjo gjykatë është shumë e fokusuar në mbrojtjen e dëshmitarëve. Sipas saj, Dhomat e Specializuara nuk do të përballen me ndonjë rast ku do të rrezikohet jeta e dëshmitarëve dhe tha se pikërisht “është mbrojtja e dëshmitarëve një prej arsyeve që kjo gjykatë, që ka selinë e saj në Hagë, është krijuar”, transmeton DW.

“Edhe aktgjykimi më i mirë gjyqësor nuk vlen asgjë nëse ai gjykim merret në kurriz të njerëzve”, tha Ekaterina Trendafilova gjatë konference për media të mbajtur në Prishtinë. Një konferencë tjetër për medie Kryetarja e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, Ekaterina Trendafilova, do ta mbajë në Veri të Mitrovicës. Vetë Trendafilova nuk u përgjigj në pyetjen se pse duhet mbajtur edhe një konferencë për medie në veri të Mitrovicës, por, ndërhyri zëdhënësja e saj Angela Griepit, duke thënë se “Specialja po përpiqet të zgjerojë komunikimin e vet”.

“Sa i përket vizitës të kryetares dhe administratores kemi dashur të ofrojmë qasje për një numër të madh të njerëzve, që nuk mund të vijnë në Prishtinë. Do të kemi edhe këtu njerëz që na janë bashkuar nga Mitrovica, kjo është arsyeja specifike pse jemi këtu. Me siguri do të zgjedhim dy vende tjera me qëllim të arrijmë sa më shumë njerëz”, deklaroi Griepit.

Gjatë kohës sa Ekaterina Trendafilova bante konferencë për medie disa aktivistë të Partisë Social Demokrate hynë në sallë duke i fryrë bilbilave dhe penguan konferencën. Ata thanë se “nuk mund të lejojnë një konferencë të një përfaqësueseje të një gjykate të padrejtë që asnjëherë nuk mund të sjellë drejtësi”. Intervenoi policia e Kosovës duke i larguar nga salla aktivistët dhe duke i arrestuar disa të tjerë jashtë vendit ku mbahej konferenca.

Synimi i vizitës takimi i sa më shumë njerëzve

Kryetarja e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, Ekaterina Trendafilova, po qëndron në Kosovë së bashku me administratoren e Gjykatës, për të takuar siç thanë sa më shumë njerëz, por pa dhënë detaje tjera. Sipas Trendafilovës, ajo nuk e di nëse Prokuroria e Specializuar ka në plan që të ngrejë akuza ndaj personave të tjerë në Kosovë. Deri tash Prokuroria e Specializuar ka ngritur akuza ndaj, ish krerëve të UÇK-së, ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Po ashtu akuzë është ngritur edhe ndaj ish ushtarit të UÇK-së, Sali Mustafa dhe dy udhëheqësve të shoqatave të dala nga Lufta Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Këta të fundit akuzohen për publikim të dokumenteve konfidenciale të Gjykatës, dhe ngarkohen me veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”. Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt do të nisë në fund të shtatorit, ndërsa ndaj Sali Musfatës në gjysmë të shtatorit.

Ndërkaq, përsa i përket rastit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Trendafilova tha se puna po ecën me intensitet. Katër ish-krerët e UCK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Që nga nëntori i vitit të kaluar, ata ndodhen në paraburgim në Hagë. Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ditë më parë hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, për vetëtërheqjen e saj nga detyra specifike e caktimit të panelit të Gjykatës së Apelit, i cili do të vendosë mbi ankesën e Thaçit për lirimin e përkohshëm. Kërkesa e Thaçit për lirim të përkohshëm është hedhur poshtë.  Kryetarja e Gjykatës Speciale Ekaterina Trandafilova, ndërkaq,  tha se mandati i Gjykatës Speciale mund të përfundojë “sapo Këshilli i Evropës të njoftojë Kosovën që hetimet dhe procedurat e dala prej tyre do të përfundojnë”, por kjo me gjasë nuk do të ndodhë shpejt.

“Mandati i gjykatës është përcaktuar me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me qëllim që të garantohet një gjykim i drejtë, i paanshëm, dhe ka juridiksion mbi krimet që janë kryer gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë që nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000”, tha Trendafilova.

Ky ligj ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin  2015 dhe gjykata u funksionalizua në vitin 2017 dhe tash ka selinë e saj në Hagë. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, apo siç njihet në opinion Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden edhe në një raport të Këshillit të Evropës të vitit 2011, i  hartuar nga një senator zviceran, Dick Marty. Vizita në Kosovë e kryetares së Gjykatës Speciale Ekaterina Trendafilova, është vizita e saj e dytë në Kosovë që nga krijimi i Speciales nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button