Brazil, presidenti Bolsonaro e nënshkroi dekretin e diskutueshëm për rrjetet sociale

Presidenti brazilian Jair Bolsonaro ka nënshkruar një dekret që synon kufizimin e kompetencave të kompanive në pronësi të rrjeteve sociale për të fshirë profilet dhe përmbajtjen e përdoruesve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Bolsonaro tha se ishte i nevojshëm ndryshimi në rregulloret për të luftuar heqjen “arbitrare” të profileve të përdoruesve në rrjetet sociale, raporton BBC.

Ai tha se rregullorja e re do të ndihmojë në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe kërkon sqarimin e kompetancave të kompanive të mediave sociale për kontrollimin e përmbajtjes.

Dekreti kërkon që gjigantët e teknologjisë të japin “arsye bindëse” para se të heqin llogaritë ose përmbajtjet.

Dekreti vjen përpara demonstratave masive të mbështetësve të Bolsonaros që priten të mbahen më 7 shtator në Brazil, Ditën e Pavarësisë.

Protestuesit pritet të shprehin pakënaqësinë kundër Kongresit dhe Gjykatës Supreme, të cilët muajin e kaluar e vendosën emrin e Bolsonaros në listën e njerëzve nën hetim për përhapjen e dezinformatave.

Gjatë pandemisë së koronavirusit (COVID-19), Twitter dhe Facebook hoqën shumë postime të shpërndara nga Bolsonaro dhe mbështetësit e tij, të cilat u konsideruan si të pasakta.

Në korrik, YouTube hoqi rreth 15 video nga një kanal në pronësi të Bolsonaros për përhapjen e dezinformatave rreth COVID-19.

Përveç kësaj, vitin e kaluar Facebook veproi në përputhje me një vendim të Gjykatës Supreme për bllokimin e llogarive të një numri të madh të mbështetësve të Bolsonaros, të akuzuar për përhapjen e dezinformatave kundër gjyqtarëve.

Bolsonaro që atëherë i ka drejtuar mbështetësit e tij në platforma alternative si Telegram dhe Parler.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button