Qymyri mbetet ndotësi numër një: KXE Manastiri vitin e kaluar ka emetuar më shumë dyoksid sulfuri se të gjitha termocentralet në Gjermani

KXE Manastiri vitin e kaluar ka emetuar më shumë dyoksid sulfuri nga të gjitha termocentralet në Gjermani së bashku, ndërsa nëse përfshihet TC Osllomej, të dy termocentralet e kanë ndotur ajrin me PM grimca dy herë më shumë se sa lejohet në vend. Sipas raportit të fundit të CEE Bankwatch Network и Centre for Research on Energy and Clean Air (CREA), të përgatitur në bashkëpunim me “Eko-vëtëdija” (Eko-svest), ndotja nga TC Manastiri dhe TC Osllomej vitin e kaluar, pavarësisht pandemisë, është në nivelin e njëjtë të lartë si në vitin 2019, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Në Raport theksohet që nëse emetimet e KXE Manastirit do të silleshin brenda kufijve ligjorë, supozohet se vetëm në vitin 2020 kanë mund të parandalohen gati 300 vdekje të parakohshme nga kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe kardiovaskulare.

Emetimet e dyoksidit të sulfurit mbeten problemi më i madh kur bëhet fjalë për termocentralet me qymyr. Dy oxhaqet e termocentralit të Manastirit, Manastiri B1 + B2 (60.422 tonelata) dhe Manastiri B3 (24.091 tonelata), sipas raportit të fundit, mbeten burimi më i madh i dyoksidit të sulfurit në vend. Këto janë sasi që janë nëntë herë më të larta se ajo që lejohet të lëshojë termocentrali dhe janë më të larta se emetimet totale të dyoksidit të sulfurit të të gjitha termocentraleve në Gjermani.

Emetimet e pluhurit (PM grimcat) gjithashtu mbeten një problem serioz. Me 3.684 tonelata nga TC Manastir dhe TC Oslomej së bashku, niveli është pothuajse i njëjtë me atë në vitin 2019 dhe 2018 – më shumë se dy herë më i lartë se sa lejohet në vendin tonë.

Ndotja dhe pasojat për shëndetin e njeriut dhe mjedisin vazhdojnë pavarësisht faktit se, siç përkujtojnë nga “Eko vetëdija”, Direktiva për objektet e mëdha për djegie – Direktiva e BE-së për zvogëlimin e emetimeve të substancave të rrezikshme, e cila është transponuar në legjislacionin e Maqedonisë si pjesë e detyrimeve para aderuese në BE nëpërmjet Marrëveshjes së Komunitetit Energjetik, kërkon që vendi të zvogëlojë emetimet nga kapacitetet e mëdha që nga janari i vitit 2018.

“Në dhjetë vitet e fundit, nuk ka pasur pothuajse asnjë përparim në zvogëlimin e ndotjes nga termocentralet me qymyr. Vendi mbetet shumë i varur nga qymyri si burim energjie pavarësisht njoftimeve për braktisje graduale të tij. Por edhe nëse realizohen angazhimet strategjike për mbylljen e dy termocentraleve në pesë deri në shtatë vitet e ardhshme, është e papranueshme që ata të vazhdojnë të ndotin në këto nivele. “KXE Osllomej duhet të ndërpresë menjëherë punën pa vonesa të mëtejshme, dhe TC Manastiri duhet të zvogëlojë orët e punës për të zvogëluar të paktën një pjesë të ndotjes që shkakton”, tha Nevena Smilevska nga “Eko-vetëdija”.

Sigurisht, shton ajo, ky proces duhet të bazohet në parimet e një tranzicionit të drejtë, ku punëtorët dhe komunitetet që varen nga funksionimi i termocentraleve me qymyr nuk do të harrohen. Prandaj, planet për këtë tranzicion duhet të fillojnë menjëherë me të gjitha palët përkatëse, veçanërisht komunitetet më të prekura.

Në tre vitet që kur Direktiva u bë e detyrueshme për zbatim në vendet e rajonit, termocentralet në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë lëshojnë rregullisht gjashtë herë më shumë dyoksid sulfuri sesa lejohet. Si rezultat, nga viti 2018 deri në vitin 2020, vetëm në Ballkanin Perëndimor janë shkaktuar rreth 19.000 vdekje të parakohshme nga termocentralet me qymyr. Gati 12.000 prej tyre janë shkaktuar nga tejkalimi i vlerave kufitare të emetimeve, që do të thotë se ato mund të parandalohen nëse vendet përmbushin detyrimet e tyre ligjore.

“Maqedonia Veriore ka zyrtarisht një plan për të ndaluar përdorimin e qymyrit dhe ky është një shembull që duhet të ndiqet nga vendet e rajonit. Por gjërat duhet të lëvizin më shpejt për të siguruar mbrojtje maksimale për shëndetin e njeriut. Duhet të bëhen investime intensive në efikasitetin energjetik, si dhe energjinë diellore dhe të erës, në mënyrë që tranzicioni i planifikuar energjetik të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Davor Pehçevski, koordinator për ndotjen së ajrit për Ballkanin në CEE Bankwatch Network.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button