RMV, janë ndërmarrë veprime që të shmangen probleme të mëtejme teknike të sistemit të regjistrimit të popullsisë

Pas problemeve që u shfaqën gjatë ditës së djeshme në procesin e regjistrimit të popullsisë, ky operacion sot po zhvillohet në mënyrë normale dhe pa pengesa. Drejtori Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski, në deklaratën e dhënë për media gjatë mbikëqyrjes nga afër të këtij procesin në rajonin e Kumanovës, tha se problemi teknik që ka ndodhur dje është zgjidhur dhe do të intervenohet menjëherë në rast se paraqiten ndonjë problem gjatë procesit, shkruan Portalb.mk.

“Informatat e mia janë se po bëhet azhurnim i asaj që është punuar dje dhe restartim i gjithë procesit. Restartimi i sotëm bëhet që të mos ketë raste të këtilla më tej. Problemi teknik që ndodhi dje është zgjidhur dhe kjo është që të mos ketë më probleme. Çdoherë kur punoni me teknologji janë të mundur raste të këtilla, ato ishin të parapara edhe paraprakisht dhe për këtë është i tërë ekipi, edhe nga provajderi i zgjidhjes aplikative dhe nga provajderi i lidhjes së internetit, ekip i përhershëm i cili është i gatshëm menjëherë të intervenojnë dhe intervenojnë”, tha ai.

Zëvendësdrejtori i ESHS-së, Imi Selami tha se, sot procesi po zhvillohet normal dhe se presin nga sot regjistrimi të marrë hovin e duhur.

“Shpresoj se dita e sotme dhe ditët në vazhdim deri më 30 shtator gjithçka do të shkojë mbarë ashtu siç duhet për një regjistrim të suksesshëm. Them një regjistrim i mbarë sepse, ju e dini dita e parë filloi me mbi 90 mijë regjistrime, dita e djeshme me gjithë problemet që kishim sërish ishte me mbi 50 regjistrime dhe shpresojmë se sot veç më do të merr hovin e duhur për regjistrime të mjaftueshme deri në fund të regjistrimit”, tha ai.

Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev i pyetur nga gazetarët gjatë një aktiviteti në Bojan, tha se nuk ka informata të sakta se pse ka ndodhur ky problem, por për të ka qenë e rëndësishme që procesi i regjistrimit ka vazhduar.

“E di se në një moment të caktuar ka rënë sistemi informatik i cili është kthyer, me siguri pas një ore, nuk di saktë detaje, unë u informova prej jush, për mua ishte  e rëndësishme a ka vazhduar regjistrimi. Bëhet fjalë për teknologji e cila zbatohet për herë të parë dhe lidhja e internet dhe falënderues ndaj Telekomit të Maqedonisë i cili qëndron pas me të gjitha kapacitetet dhe resurset e veta për ta mirëmbajtur softuerin dhe sistemin, për ta mbajtur të rregulluar gjithë këtë periudhë dhe nëse ndodhin prapa kësi rënie të sistemit, e di se mund ta rregullojnë sistemin. Thelbi është se kur ndërtoni zgjidhje të këtilla për herë të parë, çdoherë duhet t’i ndiqni me kujdes, sepse bëhet fjalë për teknologji të reja dhe mënyra të reja moderne të regjistrimit. Vet sistemi është i lidhur me kompjuterët me të cilët dalin regjistruesit, që të munden menjëherë t’i ngarkojnë, përkatësisht t’i vendosin të dhënat që të jenë të garantuara me saktësinë e tyre”, tha Zaev.

Pas rreth 19 vjetësh, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare si dhe banesave filloi të dielen. Operacioni statistikor filloi zyrtarisht më 5 shtator orën 8 të mëngjesit, dhe do të zgjasë deri më 30 shtator, deri kur do të zgjasë regjistrimi online i diasporës, i cili filloi më 1 mars të këtij viti.

Për herë të parë në këtë regjistrim, përveç mbledhjes së të dhënave drejtpërdrejt nga popullsia në terren, do të përdoren të dhëna nga e ashtuquajtura Baza e të dhënave para regjistrimit, ku duke futur numrin e ID-së së qytetarit në aplikimin e regjistrimit, të gjitha të dhënat për atë person në bazat e të dhënave në vend tërhiqen automatikisht. Kjo pritet të përshpejtojë të gjithë procesin, që do të thotë se deri në fund të vitit, jo më vonë se janari 2022, të dhënat duhet të publikohen.

Regjistrimi i parë bashkëkohor në vend u krye në 1921. Tetë regjistrime u kryen pas Luftës së Dytë Botërore: 1948, 1953, 1961, 1971, 1981, 1991, 1994, dhe 2002.

Regjistrimi i vitit 1991 ishte i paplotë dhe për këtë arsye në 1994 një regjistrim u krye përsëri në të njëjtën dekadë. Regjistrimi i vitit 1994 është i pari që nga pavarësia, dhe regjistrimi i vitit 2002 është i fundit i kryer. Sipas të dhënave të mbledhura në atë kohë në vend, popullsia ishte 2,022,547, kishte 564,296 familje dhe 698,143 apartamente.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button