Pendarovski në “Forumin ekonomik dhe financiar”: Imunizimi është faktori kyç për dalje nga kriza

Imunizimi është faktori kyç për dalje nga kriza dhe në atë proces nuk guxojmë të lejojmë dinamikë të ngadaltë dhe shpërndarje të pabarabartë të vaksinave, porositi Presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në konferencën e parë vjetore “Forumi ekonomik dhe financiar i Shkupit” me temë “Rimëkëmbja ekonomike dhe rritje pas kovidit”, organizuar nga Ministria e Financave, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij, Presidenti Pendarovski theksoi se kjo temë po debatohet intensivisht dhe tërësisht në të gjithë botën dhe porositi se është shumë e rëndësishme që të gjitha diskutimet të bëhen në bazë të të dhënave reale, me qëllim që hartuesit e politikave ekonomike të propozojnë zgjidhje. Ai foli për ekonomitë botërore, për të cilat tha se ka vërejtur rënie të mëdha në produktet e tyre nacionale bruto, tronditje të berzës dhe humbje pothuajse në të gjitha fushat e industrisë, duke nënvizuar se të gjitha vendet në botë janë ende duke luftuar për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të tyre, por edhe për të neutralizuar pasojat e dëmshme ekonomike.

“Ekonomia globale është ende shumë e brishtë, kurse sfidat janë të mëdha. Për dallim prej vitit të kaluar, parashikimi i përgjithshëm ekonomik është përmirësuar, megjithëse rimëkëmbja, sipias pritjeve, është e ngadaltë”, tha Presidenti Pendarovski.

Pendarovski, lidhur me ekonominë vendore, tha se nuk është jashtë trendeve botërore dhe i nënvizoi masat e miratuara, një pjesë e të cilave kishin për qëllim minimizimin e humbjeve në ekonomi dhe ndihmën e sektorëve më të prekur.

“Është e qartë se humbjet janë të mëdha dhe do të duhet kohë që ekonomia e Maqedonisë të rimëkëmbet, e cila edhe para pandemisë nuk ishte në gjendje të lakmueshme. Por ajo që është e rëndësishme është se ne tashmë kemi informacion dhe analiza të mjaftueshme për të vlerësuar se cilat vendime ishin të gabuara dhe nuk duhet të përsëriten, dhe cilat prodhuan efekte pozitive”, tha Presidenti në fjalimin e tij.

Përveç goditjeve në ekonomi, Presidenti Pendarovski nënvizoi edhe sfidat e paraqitura nga pandemia Kovid-19 në aspektin e stabilitetit politik dhe besimit në institucione, në drejtim të qeverisjes dhe sundimit të ligjit dhe solidaritetit të të pasurve me të varfërit. Ai porositi se si shtete individuale ne nuk jemi enklava të izoluara dhe se nevojitet veprim i përbashkët në nivel global.

Në fund të fjalimit, Presidenti Pendarovski tha se pa investime solide dhe të vazhdueshme në kapitalin njerëzor, zhvillimi ekonomik nuk mund të jetë i qëndrueshëm dhe shtoi se për këtë qëllim parakusht është mbështetja e të rinjve që arsimohen dhe ndërtohen në vend. Ai theksoi se shoqëria është e detyruar të zhvillojë potencialin e të rinjve dhe të investojë në idetë e tyre.

“Besojmë se në periudhën post-kovid do të kemi një sërë masash politike dhe ekonomike që do të inkurajojnë prodhimin e koncepteve të reja, të freskëta në atë fushë”, tha Presidenti Pendarovski në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik dhe Financiar të Shkupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button