fbpx

Tetovë, gjendja epidemiologjike drejtë përmirësimit por numri i pacientëve ende është i lartë

Tetova periudhën e fundit ka qenë një nga vendet me situatën epidemiologjike më të rëndë në vend. Sipas autoriteteve shëndetësore, situata shkon drejt përmirësimit por numri i pacientëve të hospitalizuar ende është i lartë, vetëm në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë gjashtë persona. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal dhe respektim të protokolleve, interesimi i qytetarëve për vaksinim është i lartë, por pritjet e qytetarëve dhe turmat përpara pikave të vaksinimit janë të gjata, transmeton Portalb.mk.

Në Qendrën Klinike në Tetovë janë gjithsej 91 pacientë të hospitalizuar me përkrahje oksigjeni, ku 8 prej tyre janë me dozën e parë, dhe 6 me dozën e dytë të vaksinës. Gjatë 24 orëve të fundit fatkeqësisht 6 persona kanë ndërruar jetë, dhe të gjithë kanë pasur edhe sëmundje të tjera përcjellëse. Në ambulantën ditore janë 63 pacientë që marrin terapinë dhe trajtimin e duhur, kurse në komunën e Tetovës janë gjithsej 924 raste të regjistruara aktive me Covid-19.

Mjekja Miranda Pajaziti, nga Spitali i Tetovës tha se viktima më e re është e moshës 50 vjeç dhe viktima tjetër është e moshës 80 vjeç, ku njëri pacient ishte me një dozë i vaksinuar por me sëmundje të tjera shoqëruese,

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në një konferencë për shtyp tha se situata është drejtë përmirësimit dhe këto janë shenja të mira.

“Nuk kemi numër të madh të pacientëve të hospitalizuar as në Spitalin e Tetovës, momentalisht kemi 90 pacientë përkundër 120 sa ishin më herët. Ashtu që të gjitha këto parametra flasin se situata po përmirësohet dhe këto janë shenja të mira”, tha Filipçe.

U mbajt mbledhja e shtabit të krizës në Komunën e Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës informojnë se vaksinimi i qytetarëve në komunën e Tetovës shkon mirë dhe me dinamikë inkurajuese.

“Kemi hapur qendrën e rivaksinimit në Qendrën për Kulturë në Tetovë, kurse pika e vaksinimit tek Teleferiku është gati dhe e njëjta do të vendoset në funksion sipas nevojës. Ditëve të kaluara janë realizuar nga 500 vaksinime në ditë, kurse tendanca dhe qëllimi ynë është që brenda 14 ditëve, të arrijmë që 50 % e banorëve të Tetovës të jenë të vaksinuar”, tha Teuta Arifi.

Nga Komuna gjithashtu njoftuan se në shkollat fillore në komunën e Tetovës ku mësimi filloi me prezencë fizike, deri më sot nuk kanë regjistruar raste pozitive me Covid-19 të nxënësve apo mësimdhënësve.

Qytetarët nuk respektojnë protokollet para qendrave të vaksinimit.

Sot në Qendrën për Kulturë të Tetovës është hapur qendra e rivaksinimit, kurse pika te shkolla e mjeksisë është mbyllur. Për momentin qytetarët vaksinohen edhe te Muzeu i Qytetit dhe në fshatin Portoj. Pika te Teleferiku do të aktivizohet sipas nevojës.

Edhe pse autoritetet apelojnë për kujdes maksimal dhe vaksinim, por sipas mjekut Besnik Mustafai pritjet para punkteve të vaksinimit janë të gjata dhe nuk respektohet distanca.

“Nuk respektohet pasi që të gjithë duan ta marrin vaksinën në të njëjtën kohë, nuk respektohet termini paraprak i cili është i caktuar te secili domethënë në cilën kohë të vijnë. Kemi ndihmën e policisë dhe ushtrisë të cilët mundohen të mbajnë rendin mirëpo edhe pse tentojmë përsëri turma bëhet e madhe dhe kemi problem me mbajtjen e rendit. Shpesh kemi probleme edhe me sistemin qendror. Disa herë brenda ditës bie sistemi, por edhe pse teknikët mundohen ta rregullojnë, kur është problemi qendror në Shkup atëherë kemi më shumë ngadalësim të procesit”, tha Mustafai.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut dje informoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 459 raste të reja me Covid-19 nga 5,416 testime të kryera, 368 pacientë u shëruan, ndërsa 21 humbën jetën. Numri i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë është 180,045, numri i pacientëve të shëruar është 158,809, numri i vdekjeve është 6,065, dhe numri i rasteve aktive është 15,171.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button