5 pikat e Ahmetit, Arifi: Jo vetëm që do u përmbahemi, por do mundohemi të tërheqim sa më shumë investime

Dje, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti shpalosi platformën e re dhe pesë përbetimet kryesore të cilave me doemos do t’i përmbahen kandidatët për kryetar të komunave nga kjo parti politike. Kryetarja aktuale e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi që njëherit do të kandidojë për të tretin mandat në zgjedhjet e tetorit, për Portalb.mk tha se jo vetëm që do t’u përmbahen këtyre pikave, por në të njëjtën kohë do të shikojnë të tërheqin sa më shumë projekte tjera, shkruan Portalb.mk.

Pesë pikat me të cilat Ali Ahmeti i ka ngarkuar kandidatët për kryetarë komunash nga kjo parti janë:

  1. Agjenda e blertë;
  2. Agjenda dixhitale;
  3. Agjenda e derës së hapur;
  4. Agjenda e përfshirjes së qytetarëve;
  5. Agjenda zero.

Për këtë, Portalb.mk sot pyeti kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifin se a duket ndonjëra prej këtyre pesë pikave të parealizueshme, duke pasur parasysh punën e saj në këto dy mandate si e para e Tetovës. Arifi tha se normalisht që të gjitha pikave jo vetëm që do u përmbahen po në të njëjtën kohë do shikojnë që të arrijnë që të tërheqin sa më shumë projekte tjera.

“Gjithsesi se Bashkimi Demokratik për Integrim ka orientimin e vet dhe programin e vet, i cili tani është një platformë më e gjerë dhe është platforma e gjelbër. Në kuadër të pikave të cilat i nënvizoi kryetari normalisht që ne të gjitha atyre jo vetëm që do u përmbahemi po në të njëjtën kohë do shikojmë që të arrijmë që të tërheqim sa më shumë projekte të cilat do të jenë në linjë të përmirësimit të kualitetit të jetës së qytetarëve. Përveç asaj sa më shumë projekte të cilat kanë për qëllim ngritjen e standardeve ekologjike, si që janë për shembull pikërisht edhe këto projekte rrugore që kanë për qëllim të arrijnë dhe të bëjnë qarkimin e makinave për të lënë anash pikërisht qytetet tona, kjo vlen për Tetovën, por ma merr mendja që duhet të jetë një sfidë edhe për qytetet tjera.” tha Teuta Arifi për Portalb.mk.

Ndryshe, Ahmeti tha se këto pesë përbetime të përgjithshme nuk janë vetëm një premtim zgjedhor i kandidatëve të BDI për kryetarë të komunave por janë kodi I tyre i ri i detyrueshëm i sjelljes.

Zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button