Në prag të zgjedhjeve lokale filloi rikonstruimi i rrugës Xhepçisht- Tetovë

Sot, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe drejtori i “Rrugët e Maqedonisë, Ejup Rustemi shënuan fillimin e rikonstruimit të rrugës prej 4.2 kilometrave nga fshati Xhepçisht deri te Stadiumi i Tetovës. Kryetarja Arifi tha se ky projekt nënkupton rikonstruimin e plotë dhe lëvizje më të mirë për sa u përket qytetarëve  dhe mjeteve. Nga ana tjetër, Rustemi tha se kjo është rruga më e frekuentuar në RMV, ku kalojnë 7,000 automjete brenda 24 orëve. Projekti do të kushtojë afër 40 milion denarë dhe pritet të përfundojë brenda gjashtë muajve, shkruan Portalb.mk.

Sot filloi rikonstruimi i rrugës nga fshati Xhepçisht deri te Stadiumi i Qytetit të Tetovës, në gjatësi prej 4.2 kilometrave në magjistralen Tetovë- Jazhincë.

“Duke pasur parasysh faktin që bëhet fjalë për një rrugë e cila ka karakter rajonal mirëpo që është shumë e rëndësishme për qytetarët e Tetovës sepse gjendet në Komunën e Tetovës. Dëshiroj të shpreh falënderimet e mia deri te ndërmarrja Rrugët e Maqedonisë, për sa i përket të gjithë këtij projekti i cili kap vlerën afër 40 milion denarësh, dhe që do të nënkuptojë rikonstruimin e plotë dhe një lëvizje më të mirë për sa i përket qytetarëve, mjeteve, makinave e kështu me radhë .Njëkohësisht gjatë tërë kësaj periudhe kohore, bashkëpunimi ynë me ndërmarrjen Rrugët e Maqedonisë ka qenë shumë intensiv dhe bashkërisht kemi realizuar më shumë projekte, te universiteti- rruga që lidh Tetovën me Bërvenicën, pjesët në malësinë e qytetit”, tha Teuta Arifi, kryetarja e Komunës së Tetovës.

Drejtori i “Rrugët e Maqedonisë”, Ejup Rustemi tha se sot filluan punimet në rehabilitimin e rrugës më të frekuentuar në RMV ku brenda 24 orëve kalojnë diku 7,000 automjete të llojeve të ndryshme.

“Nga vetë fakti se është një prej rrugëve më të frekuentuara dhe nga vetë fakti se kjo pjesë e rrugës ka qenë një pjesë më tepër e dëmtuar në infrastrukturën rrugore, ne si ndërmarrje publike ndamë mjete për rehabilitimin e kësaj pjese e cila do të jetë në bazë të standardeve dhe për të siguruar komunikacion më të lirshëm dhe më të sigurt. Ne bëmë prokurorimin e kësaj pjese ku zgjodhëm edhe realizuesin e këtyre punimeve që është Graniti i Shkupit, dhe njëkohësisht kemi zgjedhur edhe mbikëqyrjen.”, tha Rustemi.

Ai theksoi se llogaria e krejt kësaj rruge do të jetë diku rreth 37 milion denarë, Marrëveshja e kësaj kontrate është 6 mujore, por sipas Rustemit pritet që rehabilitimi i kësaj rruge të përfundojë më shpejtë.

Ejup Rustemi, Teuta Arifi, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili
Ejup Rustemi, Teuta Arifi, foto: Portalb.mk/Fisnik Xhelili

Rustemi shtoi se kanë filluar edhe me projektimin e qarkores së Tetovës, që fillon nga zona e lire ekonomike dhe mbaron në fshatin Neproshten.

“Nga vetë fakti se kemi një rrugë të frekuentuar, me 7000 automjete të llojeve të ndryshme, për këtë arsye në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, ne filluam edhe projektimin e qarkores së Tetovës pasi që gjithë ky fluks i automjeteve u shprazeshte në qendrën e Tetovës. Duhet të paraqes edhe këtu se kemi zgjedhur edhe projektuesin e qarkores së Tetovës, që fillon nga zona e lirë ekonomike dhe mbaron në pjesën në fshatin Nerposhten, me çka gjithë ky fluks i automjeteve nuk do të përfundojë në qendër të tetovës por do të anashkalohet një pjesë e madhe e gjithë atyre automjeteve të rrënda nuk do to futen në qendër të Tetovës, me çka do të arrihet në zvogëlimin e ndotjes së ajrit në qendrën e Tetovës”, tha Rustemi.

Ndryshe, gjatë periudhës së fundit, nga korriku e këndej gjegjësisht tre muaj përpara zgjedhjeve lokale, Komuna e Tetovës ka bërë promovimin dhe finalizimin e disa projekteve të mëdha, të cilat sipas premtimeve kohë më parë duhej të kishin mbaruar. Portalb pyeti kryetaren e Komunës së Tetovës, se pse në një periudhë kaq të shkurtër kohore promovohen kaq projekte të mëdha, Arifi tha se tani ka ardhur koha, sepse këta janë projekte të mëdha që kërkojnë shumë punë dhe përkushtim dhe nuk mund të bëhen për një ditë apo një javë.

LEXO: Komuna e Tetovës në “ofensivë” me projekte në prag të zgjedhjeve lokale (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button