NPK “Tetova” pa përgjigje ndaj kërkesës së “Më mirë për Tetovën” për funksionimin e ndërmarrjes

Iniciativa “Më mirë për Tetovën” thotë se ka dorëzuar pyetje në Komunën e Tetovës në lidhje me punë e NPK “Tetova”, përmes Ligjit për qasje të lirë në Informacione të karakterit publik, por sipas tyre ka kaluar afati ligjor, gjegjësisht më shumë se një muaj dhe ende nuk kanë marrë përgjigje. Nga kjo iniciativë për Portalb.mk thonë se janë duke përgatitur ankesë deri te Agjencia për Qasje të Lirë të Informacioneve me Karakter Publik kundër kësaj ndërmarrjeje. Nga NPK “Tetova” nuk japin sqarim për çështjen në fjalë, njofton Portalb.mk.

“Më mirë për Tetovën”, më 3 gusht të këtij viti ka dërguar kërkesë me shkrim në Komunën e Tetovës, për të marrë informacion në lidhje me disa çështje në Ndërmarrjen Publike Komunale “Tetova”, por deri tani nuk kanë marrë përgjigje, pavarësisht se është dashur të marrin deri më së voni 20 ditë pas dorëzimit të kërkesës.

“Vetëm me transparencë mund të dëshmohet se punët kryhen sipas ligjit, çdo arsyetim tjetër është pa bazë dhe pa nevojë”, tha Elmedina Abdulahi nga kjo iniciativë.

Ata shtojnë se NPK-së i kanë kërkuar informata për çështjen e pastërtisë së qytetit, parqeve, por edhe menaxhimin e ndërmarrjes.

“Për arsye të problemeve të vazhdueshme me ujin, pastërtinë, parqet, hapësirat publike me të cilat ballafaqohen qytetarët e Tetovës, dhe të cilat burojnë nga menaxhimi jo adekuat i ndërmarrjes komunale NPK “Tetova”, thanë nga Më mire për Tetovën.

Këto janë informacionet të cilat Më mirë për Tetovën ka kërkuar të marrë përgjigje:

  • Numri i të punësuarve në departamentet dhe funksionet e tyre?
  • Numri i makinerive funksionale që posedojnë, dhe numrin e veturave zyrtare?
  • Planet operative që i ka ky institucion për menaxhim me mbeturina, dhe menaxhim dhe furnizim me ujë?
  • Pronat që i posedon NPK “Tetova”, dhe të ardhurat që gjenerohen nga këto prona.

Sipas nenit 21 të Ligjit për qasje të lirë në informata me karakter publik, bartësi i informatës, në këtë rast NPK “Tetova” e ka për obligim t’i përgjigjet kërkesës menjëherë, ose më së voni në afat prej 20 ditëve, prej ditës së pranimit të kërkesës. Mirëpo kanë kaluar më shumë se një muaj që nga paraqitja e kësaj kërkese dhe ende nuk ka përgjigje.

Nga kjo iniciativë për Portalb.mk konfirmuan se janë në përgatitje të ankesës deri te Agjencia për Qasje të Lirë të Informacioneve me Karakter Publik kundër NPK “Tetova”, për shkak se kjo e fundit ka shkelur ligjin duke mos dhënë informacione të cilat i kanë kërkuar përmes Ligjit për qasje të lirë në Informacione të karakterit publik.

Portalb kontaktoi NPK “Tetova” për ta pyetur se pse ende nuk janë përgjigjur në këtë kërkesë, por si thirrjeve telefonike, ashtu edhe porosive në telefon dhe e-mail, NPK deri në këtë moment nuk na është përgjigjur.

Kjo nuk është hera e parë që NPK “Tetova” nuk përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk. Gjatë muajit të kaluar, kur situata me mbeturinat në Tetovë ishte në kulminacionin e saj, gazetari i Portalb.mk tre ditë radhazi, me dhjetëra herë nëpërmjet telefonit, porosive, por edhe e-maileve, tentoi të marrë përgjigje nga NPK Tetova, në lidhje me papastërtinë në qytet, pas ankesave të shumë qytetarëve se të njëjtat kanë vërshuar qytetin dhe nuk po pastrohen me ditë të tëra.

Rikujtojmë se në intervistën e Portalb.mk dhe Vertetmates.mk, kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi premtoi se do të jetë transparente dhe ekipi me marrëdhënien me publikun do ta bëjë të njëjtën. Të njëjtën e premtoi edhe më herët në debatin Jeta në Maqedoni si dhe në mandatin e kaluar të saj. Kjo komunë nuk është në listën e komunave më transparente në Maqedoni.

Ndryshe, NPK Tetova është nën hetim të Policisë Financiare për keqpërdorime të mundshme. Kanë kaluar dy muaj që Drejtoria e Policisë Financiare vazhdon të hetojë ndërmarrjen publike të themeluar nga Komuna e Tetovës. Policia Financiare për Portalb.mk tha se hetimet tani më janë në një fazë të avancuar dhe kërkojnë kohë, pa mos dhënë detaje të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button