POLITIKA DHE ROMANI

“Romani-histori është arma më me influencë e politikës.”

M. Özel

Romani si gjini letrare, si krijimtari, si një tekst fiktiv i lindur në Perëndim është një thesar të dhënash shoqërore që rrëfen për atë që përjeton dramën. Romani shpalos edhe qorrsokakun e njerëzimit. Ai është një krijim, një plan, një rrëfim për dhimbjet, për traumën e kalimit nga shoqëria bujqësore drejt asaj inustriale; një pasqyrë e shndërrimit të vlerave në shoqërinë moderne që ka një të kaluar pesë-shekullore. Njëqind vjet më parë, Ziya Gökalp-i qe shprehur se romani përbën “sociologjinë më autentike”. Kurse Mustafa Özel, autori i veprës së sapobotuar të “Logos-A” që keni në dorë, Politika me gjuhën e romanit, thekson se “romani reflekton  historinë më autentike”. (Kaplan, 2018) Në këtë vepër, ky filozof i ekonomisë dhe mendimtar i letërsisë bën një analizë të thellë të romanit si një nga tre fiksionet e modernitetit (bashkë me bankënotën dhe kombin). Sipas tij, sikur të mos ishte paraja e shtypur nuk do të kishte kapitalizëm; pa gazetën s’do të lindnin kombet; ndërsa pa romanin nuk do të ishte individi.

Sipas Özel-it romani është motivues dhe narkozë njëherësh; kurse romancierët janë “radarë shoqërorë”. (Negiz, 2020) Të mëdhenjtë mes tyre janë si orakujt. Autorët e romaneve, edhe nëse janë të çmendur dhe maskarenj, përmes karaktereve që gdhendin pasqyrojnë sistemin. Kjo sepse fusha e tyre e kërkimit është shpirti i njeriut dhe jeta shoqërore. Historia si veprimtari letrare është një roman i shndërruar në realitet; ndërsa romani është një histori që mund të jetë realizuar në të kaluarën, ose mund të bëhet fakt në të ardhmen. Duke mësuar fizikën ne njohim botën dhe universin, kurse duke mësuar sociologjinë njihemi me shoqërinë dhe njerëzimin; në të dy rastet ne njohim tjetrin. Nga ana tjetër, duke lexuar poezi, tregime dhe romane njohim vetveten. Leximi i romanit është një ndërmarrje shumë e rëndësishme, ndaj dhe shpërfillja e tij përbën një humbje të madhe. (NetGaste, 2018) Mendja dhe ndërgjegjja e popujve shpërfaqen më shumë nëpër romane sesa nëpër veprat akademike. Së këndejmi, mund të themi se është i gabuar perceptimi i zakonshëm se romanet janë vetëm për kohën e lirë, për t’u zbavitur, për relaks. Te romani gjejmë vetë jetën, trendet dhe rrjedhat sociale, lëvizjet politike, frymën e një populli, kombi dhe epoke të tërë.

Në veprën Politika me gjuhën e romanit shqyrtohet shahu ose lëkundjet politike të rrëfyera nëpër veprat e romancierëve të mirënjohur, si: Kemal Tahir, Amin Maalouf, Émile Zola, Robert Musil, Ahmet Hamdi Tanpınar, Halide Edib, Joseph Conrad, Sabahattin Ali, Peyami Safa dhe Jules Verne.

Gjithnjë në kontekstin e romanit, kjo vepër trajton edhe fenomene e nocione si  imperializmi, kolonializmi, fashizmi, bolshevizmi, racizmi, barra e njeriut të bardhë, teknologjia, frojdizmi dhe lufta botërore. Në veçanti autori ndalon te “krijimet e dobishme”, që u mundësojnë disa njerëzve ngritjen e sundimit mbi disa të tjerë, gjegjësisht imperializmi si oportunizëm i gatuar me idealizëm, si një ideologji që niset nga premisa se një racë është çliruese, udhëheqëse dhe civilizuese për shkak të gjakut/sojit; ndërsa disa të tjera, veçmas racat e zeza dhe “të prapambetura”, “popujt e ulët” (J. S. Mill) kanë ardhur në ekzistencë për t’u pastruar nga racat e bardha dhe të rafinuara.

Pra, mund të konstatohet se romani është një konstrukt apo fabrikim me një mesazh të fuqishëm politik që i ka shërbyer ekspansionit të qytetërimit oksidental, që autori e krahason me një automobil që ecën me shpejtësi të madhe, të cilit ose duhet t’i hapësh rrugën, ose do të të shtypë; që të detyron ta harrosh veten, të shkruash përmes një kulture të huaj, në një gjuhë të tretë (Conrad-i, polak, di frëngjisht, por vendos të shkruajë në anglishte).

Romani ka dhënë kontributin e vet edhe në procesin e ndërtimit të vetëperceptimit nacional të orientalit, të tjetërsimit të tij përmes injektimit të vlerave të huaja. Për sa i përket turkut, sipas autorit, në fund të periudhës osmane dhe qysh nga fillimi i periudhës  republikane, gjeologjia shoqërore kaloi nga faltorja te marketi (tregu), ku për t’u civilizuar duhej t’i jepje hakun djallit (kujto “Faust”-in e Gëtes, ku tregohet se si djalli është futur te njeriu modern), por pa hidhëruar Zotin. (H. Edip Adivar)

Kjo vepër, – një sociologji alternative, narrative dhe tejakademike – që shpalos shpirtin e romanit, dimensionin analitik dhe krahasues të autorit; që afirmon vlerën e leximit dhe të kuptuarit e kësaj kategorie letrare, përmban materiale që vetëdijësojnë. Ky studim mund të bëhet pjesë e programeve të departamenteve të shkencave politike, të letërsisë dhe shumë disiplinave të tjera. Kjo nuk i përjashton lexuesit e tjerë, që duan të lexojnë dhe të shijojnë shumë vepra njëherësh, për të zgjeruar kështu horizontin e tyre të dijes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button