Regjistrimi vazhdon: asnjë refuzim dhe problem teknik – për një ditë janë regjistruar 91.681 persona

Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar 91.681 persona, 28.355 familje dhe 37.404 banesa, njoftoi mbrëmë ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, duke vlerësuar se ky është më shumë se një fillim i suksesshëm i operacionit më të madh statistikor në vend, transmeton Portalb.mk.

Dita e parë kaloi pa vërejtje, pa refuzim nga qytetarët, ndërsa nuk është raportuar asnjë problem teknik, tha dje drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave Apostoll Simovski pas regjistrimit të një familje në Gjorçe Petrov.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me qëllim që të marrin të dhënat përkatëse dhe të mos u nënshtrohen iniciativave që bëjnë thirrje për të mos u hapur derën regjistruesve. Ai përsëriti se regjistrimi është i sigurt në lidhje me përhapjen e virusit dhe theksoi se regjistruesit kanë dokumentet e duhura që duhet t’i tregojnë.

Autoritetet theksojnë se operacioni do të jetë i sigurt, duke pasur parasysh se kryhet në kushtet e pandemisë kovid-19, në valën e katërt, kur periudhën e kaluar numri i të infektuarve është rritur.

Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dje theksoi se nuk pret që për shkak të tensioneve politike dikush të komprometojë rezultatet e regjistrimit.

“Ne nuk mund të dëshirojmë plotësisht të dalim nga ajo matricë e numërimit sipas përkatësisë etnike pasi në Kushtetutën tonë ekziston një dispozitë që të drejtat dhe statuset e caktuara u përkasin atyre komuniteteve jo shumicë që janë së paku 20 përqind e popullsisë, kështu që kjo është dispozitë, ashtë që kjo është një dispozitë nga Marrëveshja kornisë, dispozitë e Kushtetutës sonë”, tha Pendarovski.

Kryeministri Zoran Zaev përmes “Facebookut” u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me regjistruesit me qëllim që të marrin të dhëna përkatëse pas 20 vitesh që do të jenë bazë për krijimin e politikave të ardhshme.

“Pas 20 vitesh, vendi ynë më në fund do të marrë të dhëna relevante dhe aktuale që do të jenë më tej bazë për krijimin e politikave realiste, të cilat plotësisht u përgjigjen nevojave të qytetarëve. Prandaj ju bëj thirrje që të jeni partner në këtë proces, pasi vetëm në këtë mënyrë Qeveria, institucionet publike, qeverisja lokale dhe komuniteti i biznesit do të mund të sigurojnë jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, shkroi Zaev.

Bashkimi Demokratik për Integrim u bëri thirrje qytetarëve që të regjistrohen të gjithë, pasi, sipas tyre, përmes këtij procesi të Regjistrimit i cili realizohet pas shumë vitesh, përveç numrave që do të tregojë realitetin në vend në përbërjen etnike dhe qytetare, por edhe se ne do të tregojmë shembull dhe vlera edhe në rajon.

Vendi është i ndarë në 50 rajone regjistrimi, kurse për përgatitjen, organizimin dhe zbatimin është ngarkuar Enti Shtetëror i Statistikave. Në organizimin dhe zbatimin e Regjistrimit, marrin pjesë  edhe Këshilli për statistika, komisionet për rajonet e regjistrimit, instruktorët shtetërorë, instruktorët rajonalë, regjistruesit rajonalë dhe pjesëmarrës të tjerë në përputhje me dispozitat e Ligjit për regjistrimin e popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 2021.

Ndryshe, fati i zbatimit të këtij procesi të rëndësishëm pritej të jetë prilli i këtij viti. Megjithatë, përmes pazareve politike, Zaev dhe Mickoski, pa konsultim edhe të partive shqiptare opozitare, vendosën që ta shtyjnë këtë proces dhe të zhvillohet nga 5 deri më 30 shtator. Partitë shqiptare nga ana tjetër, nuk ishin aspak faktor për shtyrjen ose mos-shtyrjen e këtij procesi. Zaevi, përmes një bisede telefonike e informoi Ahmetin për vendimin që kishin marrë me Mickovski, kurse kreu i BDI-së vetëm i shtoi “aminin”.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button