Ali Ameti shpalosi pesë pikat që kandidatët për kryetarë komunash duhet t’u përmbahen

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot shpalosi platformën e re dhe pesë përbetimet kryesore të cilave me doemos do t’i përmbahen kandidatët për kryetar të komunave nga kjo parti politike, transmeton Portalb.mk.

Ahmeti tha se fushata zgjedhore duhet të zbardhë se si kandidatët do ta zhvillojnë komunën e tyre edhe më shumë, si do të përfshijnë qytetarët edhe më tepër dhe se si do ta dëgjojnë zërin e tyre çdo ditë.

Këto janë pesë përbetimet kryesore të cilave me doemos do t’i përmbahen kandidatët për kryetar të komunave nga kjo parti politike:

1. Agjenda e blertë;

“Që nënkupton investim në menaxhim efektiv me mbeturinat, përfundim të rrjeteve të kanalizimit dhe ujit të pastër për pije, gasifikim, shtigje vrapimi dhe çiklizmi, parkingje, trafik të lehtësuar, më shumë gjelbërim, më shumë parqe.” tha Ahmeti.

2. Agjenda dixhitale;

“Një administratë elektronike është çelësi për shërbim efikas publik por edhe transparent duke dhënë shërbime tërësisht dixhitale. E-komuna nënkupton edhe dixhitalizim të shkollave, internet të shpejtë, cilësorë dhe të lirë në të gjitha vendbanimet si dhe infrastrukturë përkatëse.”, tha Ahmeti.

3. Agjenda e derës së hapur;

“Kryetarët e komunave janë në shërbim të qytetarëve dhe komunat tona ju takojnë qytetarëve. Nuk guxon të ketë derë të mbyllur për hallin e qytetarit. Të gjithë qytetarët do të kanë çasje të plotë tek kryetarët e komunave sepse komuna është e tyre.” tha Ahmeti.

4. Agjenda e përfshirjes së qytetarëve;

“Politika e përditshme nënkupton marrje të vendimeve të shpeshta dhe të rëndësishme të cilat ndikojnë jetën e përditshme të qytetarëve dhe të ardhmen e tyre. Përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje nënkupton që vendimet e mëdha nuk do të mirën nga rrethi i ngushtë drejtues i komunës, por nga ju, qytetarët. Të gjithë kryetarët e komunave tona obligohen të organizojnë referendum për të gjitha çështjet e rëndësishme dhe të respektojnë vullnetin e qytetarëve.” tha Ahmeti.

5. Agjenda zero;

“Të jesh i zgjedhur do të thotë të përfitosh besimin e qytetarëve. Kryetarët tanë të komunave do të sigurojnë dhe mbrojnë këtë besim me çdo kusht. Andaj, risia e këtyre zgjedhjeve është politika ZERO, që nënkupton zero mbeturina, zero keqpërdorim, zero keqmenaxhim, zero korrupsion, zero qenë endacak, zero mungesë parkingu, zero ndërtime pa leje, zero qytetarë të lënë pas dore.” tha Ahmeti.

Ahmeti shtoi se këto pesë përbetime të përgjithshme nuk janë vetëm një premtim zgjedhor i kandidatëve tanë për kryetarë të komunave por janë kodi jonë i ri i detyrueshëm i sjelljes.

Ndryshe, BDI dje zgjodhi kandidatët për kryetar të komunave në zgjedhjet e 17 tetorit të këtij viti.

Kjo është lista e kandidatëve:

Ejup Abazi – Studeniçan
Suat Shaqiri – Çashkë
Hekuran Duka – Dibër
Erkan Arifi – Likovë
Nebi Rexhepi – Vrapçisht
Ramiz Merko – Strugë
Fatmir Izairi – Zhelinë
Besnik Emshiu – Bogovinë
Nuhi Neziri – Tearcë
Ali Jaoski – Pllasnicë
Arkin Jahii – Brvenicë
Blerim Bexheti – Saraj
Visar Ganiu – Çair
Fatmir Dehari – Kërçovë
Nevzat Bejta – Gostivar
Teuta Arifi – Tetovë
Ridvan Ibrahimi – Haraçinë
Kandidati për komunën Dollnen do të përcaktohet në ditët në vijim nga Ali Ahmeti.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button