Regjistrimi fillon nesër, rezultatet më së voni në janar 2022, tha drejtori i ESSH-së Smovski

Regjistrimi i parë pas 20 vitesh fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 30 shtator, kurse drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) Apostol Simovski thotë se beson se të dhënat që do të fitohen do t’i publikojnë më së voni në janar të vitit 2022. Simovski thotë se protokolli që është përgatitur për të realizuar Regjistrimin në kohë pandemie të kovid-19 është shumë i rreptë dhe i saktë, njofton Portalb.mk.

“Regjistruesit tanë janë njohur me Protokollin, atyre tashmë u janë dhënë maska ​​mbrojtëse dhe dezinfektues KN95 dhe ata e dinë saktësisht se si të sillen dhe çfarë të bëjnë kur të hynë në ndonjë amvisëri. Dhe kjo është: të vendosin maskën në mënyrë korrekte, të kërkojnë nga mikpritësit, nëse nuk mban maskë, të vendosë maskë, para se të hyjë në shtëpi të dezinfektojë duart si dhe laptopin me të cilin do të kryejnë regjistrimin dhe nëse regjistrimi bëhet në ambient të mbyllur, të kërkojnë që dritaret të hapen dhe pozicionimi i uljes të jetë detyrimisht në një distancë prej të paktën 2 metra. Kudo që do të lejojnë kushtet, rekomandohet regjistrimi të bëhet në vend të hapur dhe mendoj se kushtet e motit do të na lejojnë ta bëjmë këtë”, tha Simovskiintervistën për MIA.

Ky është regjistrimi i parë me model të kombinuar, që do të thotë dalje në terren, gjegjësisht regjistrim ballë për ballë dhe përdorim të të dhënave nga bazat e të dhënave. Zakonisht, kjo metodë e kombinuar është fazë kalimtare midis regjistrimit klasik dhe regjistrimit të bazuar në regjistra. Maqedonia është një nga 12 vendet në Evropë që zbatojnë metodë të kombinuar të regjistrimit.

“Çfarë nënkupton kjo: mbledhja e të dhënave drejtpërdrejt nga popullata në terren dhe përdorimi i të dhënave nga e ashtuquajtura Bazë e të dhënave Para-regjistrimit e cila është përpiluar nga disa baza të të dhënave që ekzistojnë në vend dhe cilësia e të cilave analizohet dhe kontrollohet. Duke futur numrin amë të qytetarit në aplikimin e regjistrimit, të gjitha të dhënat që ekzistojnë për atë person në bazat e të dhënave në vend tërhiqen automatikisht. Sigurisht, ka pyetje të cilave personi do t’i duhet të përgjigjet sepse nuk ka të dhëna në bazën e të dhënave, dhe kjo veçanërisht i referohet pyetjeve të ndjeshme në lidhje me etninë, fenë, gjuhën amtare dhe gjuhën që zakonisht flitet në familje. Këto janë pyetje që shprehin një ndjenjë personale dhe prandaj përgjigjet shënohen ashtu siç do të thotë personi. Besoj fuqimisht se pas regjistrimit të suksesshëm të këtij shtatori, vendi ynë, në ciklin tjetër të regjistrimeve rreth vitit 2030, do të jetë në gjendje të kryejë një regjistrim të bazuar plotësisht në regjistra”, tha Simovski.

Deri më tani, në ueb-faqen e ESHS-së, janë regjistruar afërsisht 191.000 shtetas të Maqedonisë jashtë vendit.

Simovski thotë se sipas Ligjit për Regjistrimin, Enti e ka për obligim t’i publikojë të dhënat 6 muaj pas përfundimit të aktiviteteve në terren, por që ata besojnë se do të jenë në gjendje të përfundojnë përpunimin shumë më herët edhe deri në fund të vitit , që më së voni në janar 2022 të publikojnë të dhënat.

“Ndryshe nga më parë, kur kishim të dhëna fillestare, e pastaj vijoi proces i gjatë i shënimi të të dhënave, me këtë proces tani do të publikohen vetëm të dhënat definitive përfundimtare”, tha Simovski.

Me këtë Regjistrim do të sigurohet sasi jashtëzakonisht e madhe e të dhënave që do të jenë me interes dhe rëndësi për pothuajse çdo sferë të jetesës dhe punës në vend.

“Para së gjithash, ne do të fitojmë numër të saktë se sa jemi në vend dhe ku jemi vendosur saktësisht, domethënë shpërndarje të saktë territoriale të popullsisë për kilometër katror. Do të fitohet pamje e saktë e gjinisë, moshës, arsimit, strukturës ekonomike të popullsisë. Pastaj do të fitohet pamje të saktë të fondit të banesave në vend dhe gjendja e tyre, karakteristikat e njësive të banimit dhe vendndodhjen e tyre, do të fitohet pamje e kushteve të jetesës së popullsisë – dhe kjo është me të vërtetë një pasuri e madhe e të dhënave, treguesve që do të na udhëzojë se ku dhe si duhet të lëvizim në të ardhmen”, tha Simovski.

Gjatë regjistrimit, mbi 5.500 regjistrues duhet t’i vizitojnë shtëpitë e qytetarëve. Për regjistrim nuk nevojitet pasaportë valide, por numër unik identifikimi. Nëpër shtëpi do të shkojë një regjistrues, përveç në zonat ku ka shumë bashkësi etnike. Regjistrimi do të zhvillohet në 7 gjuhë. Regjistruesit me vete do të marrin laptop, kurse qytetarët do të duhet t’u përgjigjen rreth 60 pyetjeve. Të dhënat e futura do të shkojnë menjëherë në bazën e të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave dhe do të kryqëzohen me bazat e të dhënave të tjera, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kadastrën, Agjencinë për Punësim, DAP-in, etj. Pyetësorët me të dhëna të rreme do të refuzohen automatikisht dhe do të shkojnë për verifikim shtesë. Kjo është paraparë me Metodologjinë e regjistrimit.

Për ata që do të refuzojnë të regjistrohen, ligji parashikon përgjegjësi kundërvajtëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button