Ajri i ndotur vrasës më i madh se pirja e duhanit, aksidentet në trafik ose HIV/AIDS

Ajri i ndotur e shkurton jetën e miliarda njerëzve në planet – në disa raste deri në gjashtë vjet, duke e bërë kështu vrasës më i madh i njerëzve se pirja e duhanit, se aksidentet në trafik ose HIV/AIDS, tregojnë hulumtimet e reja, njofton Portalb.mk.

Sipas gazetës britanike “Guardian”, fajtori më i madh për ndotjen e ajrit të ambientit është djegia e thëngjillit, kurse vendi më i prekur nga ajri i ndotur është India, banorët e së cilës, mesatarisht, vdesin gjashtë vjet më parë. Megjithëse Kina në 10 vitet e fundit e ka zvogëluar në mënyrë drastike ndotjen e ajrit, kjo ende shkakton dëme atje, duke shkurtuar jetëgjatësinë e njerëzve me 2,6 vjet.

Shkencëtarët në Universitetin e Çikagos, të cilët e hartuan Indeksin e Jetëgjatësisë për shkak të Ajrit – Air Quality Life Index (AQLI)-, paralajmërojnë se ajri i ndotur është kërcënimi më i madh i jashtëm për shëndetin e njerëzve në planet, si dhe që kjo sot nuk po kuptohet siç duhet ose nuk po i kushtohet vëmendja e duhur.

Sipas këtij indeksi, në nivel global, çdo banor i Tokës po përjeton shkurtim të jetëgjatësisë prej 2,2 vjet me nivelin aktual të ndotjes së ajrit, dhe e gjithë kjo së bashku arrin në gjithsej 17 miliardë vitesh të humbura.

“Çfarë tjetër në planet po shkakton që njerëzit të humbasin 17 miliardë vjet?” Gjëja më e tmerrshme është se, ne nuk e lejojmë atë të ndodhë, por po e shkaktojmë atë. Gjëja më e habitshme është se ka vende të mëdha ku, në thelb, kombinimi i fuqisë dhe normave shoqërore bën që njerëzit të jetojnë jashtëzakonisht më shkurtër dhe shumë më të dhimbshme”, tha profesori Majkël Grinstoun, i cili me kolegët e ka përgatitur edhe raportin për indeksin.

Ata gjithashtu e kanë vlerësuar jetëgjatësinë që do të ndodhte në shumë vende nëse ata vendosnin të zvogëlonin ndotjen e ajrit në nivelet e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Në Indi kjo do të sillte 5,9 vjet jetë më të gjatë – tani në veri të këtij vendi nënkontinent rreth 480 milionë njerëz thithin ndotjen e ajrit 10 herë më shumë se kudo tjetër në Tokë.

Sa i përket Maqedonisë, sipas indeksit, për të cilin përdoren të dhënat deri në vitin 2019, situata është normale, kushtet e OBSH-së janë plotësuar dhe ndotja e ajrit nuk ka pothuajse asnjë efekt në shkurtimin e jetëgjatësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button