“Ballkani i hapur”, një utopi apo një alibi politike?!

Akti i pranimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në Bashkësinë Evropiane (BE) interpretohet sot si një shembull historik i ngutjes së pranimit, në gjirin e saj, të shteteve që akoma ishin larg plotësimit të kushteve sipas kërkesave të zgjerimit.

Ajo që e shpëtoi Evropën nga pasojat më të rënda të pranimit të tyre të “parakohshëm” lidhet sidomos me faktin se shtetet në fjalë, nëse stagnuan në reforma të shumta, nuk u ballafaquan megjithatë me probleme të rënda ndër-fqinjësore të “llojit ballkanik”!

Duket se shembujt e këtyre dy shteteve i kanë “lëkundur” rëndë strategjitë e protagonistëve të proceseve të zgjerimit të BE; për hapjen e dyerve ndaj shteteve të tjera, është zgjeruar edhe lista e kushteve të anëtarësimit ! Problematika e konsolidimit të brendshëm të radhëve të BE paraqet një faktor plotësues vështirësish.

BE i ka pra edhe telashet e saja dhe nuk do të lejojë që në gjirin e saj të pranojë anëtarë të rinjë që jetojnë nën klimën e grindjeve dhe kacafytjeve historike me njëri-tjetrin, jo shtetet të cilat konfliktet e tyre mund t’i bartin potencialisht edhe në brendësinë e BE.

Në kontekstin e tillë, si duket ky “Ballkani i hapur” i debateve të pafundëta? Nëse u cekën emra iniciuesish, u harrua sadopak ajo se, para propozimit të tij nga disa akterë ballkanikë, janë pikërisht qarqet evropiane ata të cilat, kah moti, kërkojnë një intensifikim marrëdhëniesh në nivel të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin perëndimor. BE është e interesuar që në këtë rajon të mbizotëroj paqja, të privilegjohet bashkëjetesa dhe bashkëpunimi, pa marrë parasysh se si do t’i quanim ne instrumentet e përdoruara për me arritur objektivin e tillë dhe çfarë forme do t’iu jepet tyre.

Origjinën e faktorëve shtytës për projektet e bashkëpunimit e gjejmë pa diskutim në brendësinë e BE. Është pikërisht kjo e fundit ajo e cila kërkon të krijohen aleanca në mes të shteteve të Ballkanit që synojnë hyrjen në radhët e BE. Kjo është evidente dhe nuk mund të futet assesi në diskutabilitet. Tjetër është pyetja se disa protagonistë të politikës ballkanike propozojnë pastaj forma aleancash të cilat nuk i plotësojnë kushtet për me qenë funksionale.

Projekti “Ballkani i hapur” pa Kosovën mund të jetë vetëm një utopi. Ekzistojnë probleme që paraqesin barriera të pashmangshme. Ndryshe me thënë, mungon një etapë e rëndësishme e cila duhet domosdoshmërish t’iu paraprijë këtyre projekteve, kurse ajo lidhet me siguri me çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Kështu që, ky projekt, i arsyeton kritikat e shumta, pasi që ai dështoi së paku me formën e tij, qoftë për shkak strategjisë së zgjedhur, qoftë për shkak të ambicieve më tepër idealiste se sa diçka tjetër, përfshirë këtu edhe qëllimet e mjegullta të dikujt.

Historikisht, në gjirin e BE kemi hasur shembuj të shumta të bashkëpunimeve ndërshtetërore dhe rajonale, siç është edhe simbolika e Shengenit, e cili ndoshta sot shërben si burim inspirimi për akterët ballkanikë. Por, nuk duhet harruar faktin se në kohërat që i paraprinë Shengenit, jo vetëm se çdo shtet e kishte pranuar njëri-tjetrin, por ishte punuar shumë edhe në drejtim të stabilizimit dhe konsolidimit të marrëdhënieve me njëri-tjetrin. Ende larg nga kjo gjenden fatkeqësisht disa shtete ballkanike. Larg për me synuar formula për imitimin e shembujve të atyre që lanë mbresa në historinë e BE.

Merita teorike e iniciativës “Ballkani i hapur” është se ajo e prekë thelbin e disa nevojave reale të Ballkanit. Mirëpo, konkretizimit të saj praktik i mungojnë parakushtet, i mungojnë shumë gjëra, sa që, sipas të gjitha gjasave, ia hapin saj vetëm horizontin e dështimit! Apo, sipas një analize sadopak më optimiste për dikë, ajo do të mund të realizohet dhe implementohet vetëm pjesërisht, duke iu shkuar përshtati interesave të dikujt, dhe vetëm dikujt!

Fatkeqësisht, me gjithë ambiciet e afishuara, së paku në shikim të parë, projekti përkatës vuan nga një e metë e cila lehtë e zbehë vlerën e tij; aleancat e kësaj natyre kërkojnë bashkëpunim të ndërsjellë dhe reciprocitet konstruktiv në kuadër të aplikimit të parimeve të një marrëveshje të propozuar.

Me plotë arsye, Kosova nuk mund të futet në një formulë të propozuar funksionimi, të cilës i mungojnë parakushtet primare, të cilës i mungon një etapë e rëndësishme, siç është së paku e ajo e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Jo pra një “Ballkani të hapur” që çalon në shumë aspekte, kurse Po një “Ballkani të hapur” të një forme tjetër, Po atëherë kur të plotësohen ca kushte elementare paraprake!

Shkruan: Lirim Begzati

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button