Ballkani Perëndimor dhe dyert e mbyllura të BE-së

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interes jetik i vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë.

Po të mos jetë BE-ja, Ballkani do të kthehej një shekull para, do të kthehej në kohën kur gadishulli ka qenë fuçi baruti. Pa BE-në, gadishulli i sotëm do të rikthehej në kohën e bellum omnium kontra omnes.

Pa një perspektivë integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në rajon do të synonin të penetrohen Rusia dhe Kina. Në vendet ku ka popullsi të fesë islame, do të synonte të depërtojë Turqia.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende ndodhen në fazën kalimtare. Tranzicioni në këto gjashtë vende, i filluar në vitin 1991, akoma s’ka përfunduar. Tri dekada tranzicion. Tridhjetë vjet në fazën kalimtare.

Janë do vende që kanë hyrë në BE pa i plotësuar standardet e Unionit. Një prej tyre është Greqia. Athina, jo vetëm nuk i respekton liritë dhe të drejtat e bashkësive etnike jogreke, por edhe fare nuk i njeh ato. Greqia është pranuar në BE si vend me popullsi të krishterë i cili ndodhet në vijën e parë të frontit përballë Turqisë.

Pa i plotësuar si duhet standardet, janë pranuar në BE të gjitha vendet që kufizohen me Rusinë apo që janë në afërsi të saj. Domethënë vendet të cilave u kanoset rreziku rus.

Vende të cilat nuk i plotësojnë standardet janë edhe Bullgaria me Rumaninë. Megjithëkëtë, ato ia dolën të bëhen anëtare. Vendet që kanë pasur lidhje historike me Gjermaninë apo me Francën, integrimin në BE e kanë pasur më të lehtë.

Kroacia është bërë anëtare e Unionit në saje të mbështetjes së Berlinit. Sllovenia u bë anëtare e Unionit pa kurrfarë problemi. Asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor nuk mund t’i arrijë standardet e Sllovenisë.

Brukseli nuk dëshiron t’i ketë me vete shtetet që janë në konflikt ndër vete. Këtu bëjnë pjesë disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Maqedonia e Veriut është në mosmarrëveshje me Bullgarinë rreth identitetit të sllavo-maqedonasve. Republika Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk e njeh autoritetin e pushtetit qendror. Në Mal të Zi, Beogradi e ka krijuar kolonën e pestë të vet. Me këso mosmarrëveshjesh nuk shkohet në Evropë.

Nuk mjafton të thuhet: “Jemi evropianë, jemi pjesë e kontinentit”. Po qe se vendet e Ballkanit Perëndimor vërtet janë pjesë e kontinentit të vjetër, atëherë ato duhet të ndërtojnë standarde evropiane. Po qe se politikanët dhe popujt e gjashtë vendeve të sipërthëna vërtet janë evropianë, atëherë ata duhet edhe të sillen si evropianë.

Uashingtoni dhe Brukseli e dinë mirë se vendet e Ballkanit Perëndimor, pos integrimit në BE nuk kanë alternativë tjetër. Rusia dhe Kina nuk janë alternativë e BE-së as e aleancës dhe partneritetit me ShBA-në.

 

Fajin për mbylljen e dyerve të BE-së, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kërkojnë në vetvete. Brukseli mund edhe t’i çelë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe. Me Serbinë dhe me Malin e Zi, Brukseli qëmoti i ka çelur bisedimet për anëtarësim, por më kot. Këto dy vende vazhdojnë të jenë jashtë Unionit.

Edhe pasi të çilen bisedimet për anëtarësim, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të presin me vite për t’u anëtarësuar. Edhe kur të hyjnë në BE, këto gjashtë vende do të jenë të shpërfillura nga Brukseli.

 Përgjegjës për ngecjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë politikanët apo klasa politike dhe inteligjencia apo klasa intelektuale, që ndodhen në skenën politike apo në pozita, që nga viti 1991 deri në ditët e sotme. Tridhjetë me radhë.

Përgjegjës për zgjatjen pafund të periudhës kalimtare janë kryetarët e shteteve, kryeministrat, kryetarët e kuvendeve, liderët politikë apo liderët partiakë, ministrat dhe deputetët. Përgjegjës për ngecjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë edhe administruesit e pushtetit vendor.

Për zgjatjen pambarim të kalimit nga monizmi në pluralizëm mban përgjegjësi morale edhe inteligjencia e gjashtë vendeve të lartpërmendura. Gjatë periudhës së tranzicionit      institucionet arsimore dhe shkencore të vendeve këtij rajoni, nuk kanë qenë në krye të përgjegjësisë. Me fjalë të tjera, akademitë e shkencave, institutet pranë akademive dhe universitetet, gjatë periudhës kalimtare nuk e kanë luajtur rolin e tyre.

Inteligjencia e gjashtë vendeve ka qenë oportuniste dhe konformiste. Preokupim i tyre ka qenë zënia e pozitave nëpër institucionet arsimore dhe shkencore – për interesa vetjakë.

Për t’i arritur qëllimet personale, inteligjencia e këtyre vendeve, para pushtetarëve është treguar edhe inferiore. Një akademik, një dijetar apo një profesor universiteti ndjehet inferior para një pushtetari mediokër! Në Ballkan ka politikan me diploma universitare të blera apo të falura. Ky injorant e dirigjon dhe e shndërron në vegël, në mjet një drejtor shkolle të mesme, emëron dhe shkarkon rektorë universiteti! A thua një Ballkan i tillë e ka vendin në familjen demokratike!?

Heshtja e inteligjencies dëshmon edhe mungesën e demokracisë. Gjithmonë gjatë historisë politikanët autoritarë dhe autokratë kanë synuar ta heshtin dhe ta frikësojnë inteligjencien. Ka raste kur i ndajnë në të përshtatshëm dhe në të papërshtatshëm. Të përshtatshëm i quajnë ata që flasin mirë për ta, ndërsa të papërshtatshëm – ata që i kritikojnë gabimet dhe abuzimet e tyre.

Të keqen kanë për detyrë morale ta kundërshtojnë edhe krijuesit letrarë apo artistikë. Askush s’ka të drejtë t’i mbyllë sytë para të keqes. Politika e Ballkanit ka forma të ndryshme për ta neutralizuar shkrimtarin.

Shkrimtarët e mëdhenj konsiderohen ndërgjegje e kombit. Të jesh indiferent ndaj një tranzicioni që zgjatë pambarim është akt i pamoralshëm. Intelektuali me integritet është zëri i kohës. Në kohë zezonash shkrimtarët e mëdhenj nuk janë mbyllur në kullën e fildishtë. E keqja dhe e pavërteta troket në ndërgjegjen e shkrimtarit dhe e trazon atë.

Mediumet në Ballkan janë vegla, mjete dhe instrumente të pushtetarëve. Ato janë në shërbim të politikës dhe të pushtetarëve. Detyrë e mediumeve apo e studiove televizive është që nëpërmjet debateve të ditëpërditshme të bëjnë shpëlarjen e trurit të njeriut. Rolin e përpunuesve të trurit e luajnë analistët politikë. Mediumet e rajonit janë nën kontrollin e hekurt të politikës dhe të pushtetarëve. Nga kjo del se në këtë rajon apo në këtë pjesë të rajonit, nuk mund të flitet për mediume të pavarura. Kjo është një utopi. Të ballafaquar me probleme financiare, mediumet e rajonit detyrohen të vihen në shërbim të politikës dhe të pushtetit. Kuptohet, ka edhe mediume që përpiqen të ruajnë mëvetësinë, të jenë më asnjanës, më objektiv dhe më të baraspeshuar.

Vegla, mjete dhe instrumente të politikës janë edhe analistët politikë apo personat që krijojnë opinione. Për punën e pandershme që bëjnë, këta farë opinionistë shpërblehen prej punëdhënësve të tyre. Detyrë e këtyre mashtruesve të stërvitur është të shkaktojnë huti, të mbjellin mjegull, të krijojnë nebuloza, të pavërtetën ta paraqesin si të vërtetë.

Në këtë pjesë të rajonit shkalla e demokracisë është në pikën më të ulët. Në këto gjashtë vende mungon mendimi kritik, mungon kritika politike, mungon mendimi alternativ, mendimi ndryshe. Mungon edhe kritika sociale. Edhe kur ka njëfarë kritike politike apo kritike sociale, ajo nuk është gjithaq objektive. Edhe ky lloj i kritikës politike është në funksion të politikës, por tani në shërbim të opozitës.

Tranzicioni në këtë pjesë të gadishullit nuk zvarritet rastësisht. E keqja në këtë pjesë të rajonit është pjesë e politikës, është shndërruar në sistem dhe kjo nuk mund të luftohet lehtë. Në këtë moçal interesash të rretheve të privilegjuara, individi është i pafuqishëm.  Ndërkohë, popujt e këtyre gjashtë vendeve paguajnë çmim të lartë. Në vendet e Ballkanit Perëndimor kemi dyndje popujsh, drejt Gjermanisë dhe Amerikës. Trojet shqiptare në gadishull ballafaqohen me shpopullim të frikshëm. Për politikën shqiptare kjo trajtohet si çështje statistikore. Para kësaj tragjedie kombëtare inteligjencia është indiferente dhe indolente. Po t’i hapë Gjermania dyert, shqiptarët do të mbeten pa rini.

Në Ballkanit Perëndimor, brenda tri dekadave, përkundër ngecjes, asnjë politikan, kryeministër, ministër dhe deputet nuk dha dorëheqje si detyrim moral. Secili prej tyre shikonte punët e veta dhe interesat e vet dhe jo interesin e përgjithshëm.

Të keqen në gjashtë vendet e rajonit s’e has dot askund në Evropë. Ligësinë dhe shëmtinë në këtë pjesë të siujdhesës, mbetet ta krahasosh vetëm me vendet më të pazhvilluara të botës.

Dyert e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të mbyllura ngase:

– këto gjashtë vende nuk ia dolën të ndërtojnë shtet ligjor;

– nuk ia dolën të ndërtojnë shtet demokratik;

– në këto vende nuk kemi reforma në drejtësi:

– reformat në drejtësi në këto vende janë vonuar;

– në disa nga këto vende sistemi i drejtësisë ka qenë dhe vazhdon të jetë inekzistent;

– në këto vende kemi politizim të skajshëm të të gjitha poreve të shoqërisë;

– në këto vende kemi politizimin dhe partizimin e të gjitha institucioneve të shtetit;

– në këto vende zënë pozita të larta politike edhe individë me të kaluar të dyshimtë;

– një numër i politikanëve posedon nivel arsimor ulët;

– administrata shtetërore e këtyre vendeve është administratë partiake;

– administrata publike e këtyre vendeve është në shpërpjesëtim frapant me nevojat e institucionit;

– rreth 50% e punëtorëve të administratës janë tepricë;

– diletantizmi në këto vende sundon mbi profesionalizmin;

– përcaktimi partiak vlen më shumë se niveli profesional;

– militantizmi partiak vlen më shumë se vlerat etike të individit;

– oportunizmi, konformizmi dhe poltronizmi çmohet më tepër se integriteti moral;

– korrupsioni në këto vende ka përmasa dramatike;

– korrupsioni në këto vende i përfshin majat e shtetit dhe të politikës;

– nepotizmi në këto vende konsiderohet punë normale;

– nepotizmin në këto vende e zbatojnë politikanët dhe pushtetarët;

– në pozita politike dhe shoqërore emërohen dhe caktohen militantët partiakë;

– dallimet sociale janë si në kohën e Çarls Dikensit dhe të Uilliam Thekerit;

– në disa nga këto gjashtë vende, ka punëtorë me paga 150 deri në 200 euro;

– në këto gjashtë vende, për të kryer një punë në ndonjë institucion, duhet të japësh mitë dhe ryshfet;

– në këto gjashtë vende, asnjë punë nuk ka mundur të kryhet pa i dhënë nëpunësit ryshfet;

– ryshfet – në bashki apo në komunë, në administratë, tek ofiqari, korrupsion në gjykatë, në prokurori, në spital, në universitet, në dogana, në polici;

– korruptohen politikanë, ministra, zëvendësministra, deputetë, policë, doganierë, mjekë, profesorë universiteti, kryetarë bashkish apo komunash;

– në disa nga këto gjatë vende, vite me radhë mallrat kanë kaluar nëpër kufij dhe dogana, pa kurrfarë kontrolli;

– kontrabanda në këto vende është kryer me implikimin e personave zyrtarë, policëve, doganierëve, ministrave etj.;

– në disa nga këto gjashtë vende kultivimi i lëndëve narkotike, trafikimi dhe përhapja e tyre të përkujton vendet e Amerikës Latine;

– në disa nga vendet e rajonit zbatohet pastrimi i parave të pista njësoj si në vendet e prodhimit të lëndëve narkotike;

– në disa nga këto vende kemi trafikim armësh dhe qeniesh njerëzore;

– shoqëria civile në këto vende nuk është e organizuar sa duhet;

– disa nga këto gjashtë vende nuk tregojnë aftësi për të realizuar zgjedhje parlamentare apo zgjedhje vendore demokratike;

– politikanët e këtyre vendeve nuk dinë se ç’është përgjegjësia politike;

– diskursi, fjalori dhe retorika e politikanëve të këtyre vendeve ndaj oponentëve politikë është triviale, vulgare dhe parake;

– në disa nga këto vende vjedhjet, reketimet, rrëmbimet, plagosjet dhe vrasjet janë dukuri e përditshme;

– aksidentet rrugore në disa nga këto vende janë shndërruar në çështje statistikore;

– ndotja e mjedisit në disa nga këto vende është lënë jashtë kujdesit të shtetit;

– grumbujt e hedhurinave janë shndërruar në gjë normale;

– ndërtimet pa leje kanë përmasa të paimagjinueshme;

– ekonomia gri dhe informale lulëzon në të katër anët;

– në disa nga këto vende qytetarët nuk i kanë shlyer dhe vazhdojnë të mos i shlyejnë detyrimet tatimore, tatim-qarkullimin e mallrave, tatimfitimin; detyrimet për harxhimin e rrymës elektrike, të ujit, të depozitimit të hedhurinave; për klasifikim e hedhurinave as që mund të flitet;

– në disa këto gjashtë vende është e përhapur në përmasa të frikshme dhuna në familje, e në veçanti dhuna ndaj grave;

– infrastruktura e shkarkimit të ujërave të zeza dhe e ujërave atmosferike e këtyre vendeve është primitive dhe e vjetruar;

– në disa nga këto vende cilësia e arsimit është në nivel të ulët;

– shumica e udhëheqësve politikë të këtyre gjashtë vendeve janë politikanë autoritarë dhe autokratë, ndërsa në partitë politike nuk ka demokraci të brendshme; ku është dallimi ndërmjet këtyre partive të kohës së demokracisë parlamentare dhe partive të kohës së bolshevizmit!?

Krejt kjo nuk është as socializëm as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm.

Politikanët e Ballkanit Perëndimor, duke e vjedhur shtetin, janë pasuruar. Kanë krijuar pasuri marramendëse. Politikanë të pasur të vendeve të varfra, të popujve të varfëruar. Shtetet me politikanë dhe me qeveritarë të korruptuar nuk zhvillohen ekonomikisht. Askush nuk investon në shtete të tilla. Papunësia në ato shtete ka përmasa të frikshme. Çdo i dyti në ato shtete e ka në mendje emigrimin, ikjen, shpërnguljen.

Çdo popull ka qeveri të tillë siç është vetë. Grekët e vjetër kanë thënë: ”Si është populli, e tillë qeveria”. Janë popujt që i votojnë këta politikanë, që i votojnë partitë e tyre. Popujt e Ballkanit Perëndimor nuk votojnë politikisht. Ata votojnë si popuj me probleme dhe me nevoja sociale. Ata janë shndërruar në popuj socialë. Ata votojnë për një vend pune, për një pagë apo për një rrogë. Ata s’bëjnë politikë. Janë të zhveshur nga çdo ideologji. Interesi dhe preokupimi i tyre është ta punësojnë djalin, vajzën, renë, vëllain. Këta popuj të rajonit rrezikojnë të humbin edhe aftësinë për ndryshime.

Për shkak të problemeve të sipërthëna që mbizotërojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, BE-ja nuk është e interesuar t’i pranojë ato në radhët e veta. Të ngarkuar me probleme, këto gjashtë vende do të ishin barrë për Unionin. Për të trokitur në dyert e mbyllura të Brukselit, këto gjashtë vende duhet ta ndryshojnë vetveten. Kjo rrugë është e gjatë. Po qe se nuk do ta marrin rrugën e ndërtimit të shtetit ligjor, ironia e politikanëve ballkanikë do të duket si vox clamantis in deserto.

Shkruan: Xhelal Zejneli

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button