Presidentja Osmani bisedoi me zëvendëspresidenten Kamala Harris

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot një bisedë telefonike me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, transmeton Portalb.mk.

“Presidentja Osmani i ka shprehur zv.presidentes Harris mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të dhe ka ritheksuar se SHBA-të mbeten partner kryesor strategjik i vendit tone në procesin e konsolidimit të shtetësisë.  Palët diskutuan dhe për situatën me pandeminë, me ç’rast Presidentja Osmani i falënderoi dhe njëherë SHBA-të dhe presidentin Biden për donacionin prej mbi 500.000 vaksinash. Presidentja Osmani tha që një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së parreshtur të SHBA-ve për vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkaq nga zyra e Presidentes thanë se, zëvendëspresidentja Harris theksoi se SHBA-të janë thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikëpritjen e mijëra qytetarëve afganë. Presidentja Harris përcolli falënderimin e saj të përzemërt për organizimin e ceremonies nga ana e Presidentes Osmani për dhënien e Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Joseph Robinette “Beau” Biden III.

Osmani e ftoi zv. Presidenten Harris ta vizitojë Republikën e Kosovës, për t’i parë për nga afër sukseset e përbashkëta. Të dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti.

Ndryshe, ky donacion do të vijë në Kosovë përmes programit COVAX, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button