fbpx

Premtohej që në vitin 2013, më në fund u hap tregu i rikonstruar i Bit Pazarit (VIDEO)

Projekti për modernizimin e tregut të Bit Pazarit që premtohej për vite të tëra, më në fund ka përfunduar dhe tregu është lëshuar në funksion. Në hapjen solemne të tij i cili filloi të rikonstruohej në vitin 2018, kanë marrë pjesë kryeministri, Zoran Zaev i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, kryetarët e Komunës së Çairit dhe Qytetit të Shkupit, si dhe disa ministra të tjerë, shkruan Portalb.mk.

Foto: Qyteti i Shkupi

Sipas autoriteteve, rikonstruimi i këtij tregu ka kushtuar 250 milionë denarë, ndërsa do të ketë 650 tezga, 175 lokale dhe 220 parkingje.

Drejtori gjeneral i SHA Skopski Pazar, Mladen Danev tha se çmimet e qirasë do të mbesin të njëjta.

“Nga 4,500 denarë në muaj do të jetë për tezga, ndërsa shumë shtesë do të paguhet për të njëjtën, nëse ka edhe hapësirë para. Lokalet mesatarisht do të jepen për 250 euro në muaj”, tha Danev.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov tha se, investimi është rezultat i raportit të partneritetit mes investitorëve dhe institucioneve.

“Ky investim është e një rëndësie shumë të madhe për qytetin tonë, sepse paraqet hap të madh përpara në rregullimin e kësaj hapësire e cila mundëson kushte më të mira edhe për tregtarët edhe për qytetarët të cilët i shfrytëzojnë çdo ditë shërbimet e tyre. Qyteti i Shkupit së bashku me Komunën e Çairit, disa institucione kompetente në nivel qendror, Odën e Tregtarët të RMV dhe Esnafin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, një kohë më të gjatë po tentojmë të vendosim rend në hapësirat publike, ndërsa para së gjithash para trotuareve dhe rrugicave për biçikleta”, tha Shilegov.

Foto: Qeveria

Ndërsa, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se me pamjen e re, Bit Pazari është bërë një qendër multifunksionale.

“Bit Pazari mori një pamje të re moderne por, ne lirisht mund të themi se u bë edhe qendër multifunksionale. Sot jemi dëshmitar të një investimi të suksesshëm në Komunën e Çairit që peshon hiq më pak se 250 milionë denarë. Investimet e këtilla nënkuptojnë avancim ekonomik, avancim të mirëqenies, hapje të vendeve të punës, apo thënë shkurt nënkuptojnë jetë më të mirë në komunën”, tha Ganiu.

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev, tha se, Qeveria i mbështet investimet kapitale, posaçërisht ata të cilët kanë vlerë të përhershme dhe i përmirësojnë kushtet e punës.

“Në atë drejtim, adresoj përgëzime për dukjen bashkëkohore të Bit Pazarit tradicional i pozicionuar në lokacion strategjik me dalje në rrugën më të frekuentuar që i lidh Komunën e Çairit me Komunën Qendër. Është evidente se hapësira afariste është shfrytëzuar në mënyrë efektive, me qëllim plotësimin e nevojave të blerësve. Me dukjen e re, kapacitetit të zmadhuar, qendra e rinovuar Bit Pazar bëhet tregu më i madh në shtet, vend ku mund të gjendet gjithçka në një vend”, tha Zaev.

Modernizimi i tregut të Bit Pazarit është premtuar për rreth 10 vite. Në vitin 2013, kryetari i atëhershëm i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, prezantoi projektin për ndryshimin e pamjes së Bit Pazarit në Shkup, duke thënë se projekti duhet të fillojë të realizohet pas tre muajve, ai do të kushtojë 10 milionë euro para të siguruara nga Skopski Pazar.

Por ky projekt filloi të realizohet 5 vite më vonë,  në vitin 2018 dhe  u promovua pothuajse në çdo fushatë parazgjedhore nga kandidatët e partisë se BDI-së të cilët garuan për të parin e kësaj komunë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button