RMV, 0.01 përqind e nxënësve pozitivë, nuk ka transmetim të brendshëm të kovidit në shkolla

Deri dje, janë regjistruar 14 nxënës pozitiv me kovid, që përbën 0.01 nga numri i përgjithshëm i nxënësve të cilët ndjekin mësimin me prezencë fizike, dhe ata janë mbi 233 mijë, tha sot Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Mila Carovska. Përqindje e njëjtë është edhe te kuadri i mësuesve. Në vitin shkollor 2021-2022, mësimin në shkollat ​​fillore dhe të mesme ndjekin rreth 257 mijë nxënës, transmeton Portalb.mk.

“Theksoj se akoma nuk ka transmetim të brendshëm në asnjë shkollë. Për atë se cilat shkolla, cilët fëmijë ose mësues janë pozitivë, informacion kanë shërbimet kompetente, epidemiologët, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe ata veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre dhe janë në dispozicion. Për publikun është e rëndësishme të dijë se përqindja është 0.01 në nivel shtetëror. Drejtimi i gishtit ndaj një shkolle ose nxënësi nuk do t’i sjellë mirë askujt”, tha Carovska pas vizitës në shkollën fillore “Aco Shopov” në Komunën e Butelit.

Carovska bëri thirrje për respektimin e vazhdueshëm të protokolleve mbrojtëse, pasi siç tha ajo, përvoja e vitit të kaluar na tregoi se me praktikimin e masave, shkollat ​​nuk janë bartëse të infeksionit.

Sigurisht, thotë ministri, sjellja e përgjegjshme është e nevojshme edhe jashtë ambienteve të shkollës.

“Vetëm në këtë mënyrë do të parandalojmë përhapjen e virusit dhe do të mundësojmë arsim cilësor për të rinjtë, përmes mësimit me prezencë fizike, i cili nuk ka alternativë më të mirë”, shtoi Carovska. 

Përndryshe viti shkollor 2021/2022 filloi më 1 shtator me prezencë fizike dhe protokolle të veçanta shëndetësore për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Përjashtim bëjnë shkollat ​​e mesme në Tetovë dhe Gostivar, ku mësimi do të zhvillohet online në 14 ditët e para të vitit shkollor, kurse në Kërçovë dhe Strugë në shtatë ditët e para. Pas përfundimit të kësaj periudhe, siç njoftoi Qeveria, do të sillen masa të reja në përputhje me zhvillimin e situatës

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button