Teuta Arifi zyrtarizoi kandidaturën edhe për një mandat: Kemi bërë shumë për Tetovën, është koha që të bëjmë një Tetovë moderne

Kryetarja aktuale e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi do të kandidojë edhe për një mandat. Këtë e ka konfirmuar ajo nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ka shkruar se, ka pranuar propozimin e degës së BDI-së në Tetovës që të kadindohet edhe për një mandat për kryetare të Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk.

“Sonte në takimin e strukturave partiake të Bashkimit Demokratik  për Integrim – Dega Tetovë, dhe në prani të Kryetarit Ali Ahmeti, me shumë përulje, përgjegjësi dhe përkushtim mbi misionin dhe rrugëtimin që na pret, pranova propozimin e degës së BDI-së në Tetovë, si kandidate për kryetare të komunës së Tetovës në zgjedhjet lokale që vijnë! Duke qenë kryetare e komunës së Tetovës prej tetë vitesh tashmë, i njoh problematikat dhe sfidat më mirë se kushdo tjetër. Prandaj e di se çfarë mbetet për t’u bërë. E kam mësuar se nuk mundemi t’a realizojmë këtë mision ndryshe, veçse bashkë. Bashkë me ju, bashkë me miqtë tanë, me mbështetjen e qeverisjes qendrore, e bashkë me qytetarët!”, ka shkruar ajo.

Arifi pretendon se ka bërë shumë për Tetovën, por se mbetet akoma shumë punë për t’u bërë.

“Për Tetovën kemi bërë shumë, por kemi edhe akoma shumë punë për t’i bërë bashkë. Realizuam bulevarde, transport publik, ujësjellës, infrastrukturë rrugore urbane dhe rurale, si dhe shumë projekte të tjera. Ky 4 vjeçar ishte përplot sfida. Si të gjithë vendet, edhe ne kaluam periudha të vêrshtira në qytetin tonë gjatë këtij një viti e gjysmë. Ende nuk ka përfunduar, ende qytetarët humbin jetën nga Covid çdo ditë. Në kohë të vështira si këto, qytetit tonë i nevojitet lidership i fortë e me eksperiencën e duhur – e veçanërisht në valën aktuale të pandemisë kemi treguar se mundemi t’ja dalim mbanë nëse punojmë bashkë. Me ndihmën e Florinit dhe miqëve tanë në qeverinë vendore arritëm të hapim tre qendra të reja vaksinimi në vetëm pak ditë, i zgjeruam orët e hapjes deri në mesnatë. E pas përpjekjeve tona, qeveria pranoi të shtyjë fillimin e vitit shkollor për shkollat e mesme”, ka thënë Arifi.

Ajo po ashtu ka shtuar se, tani është koha që të bëjmë një Tetovë moderne.

“Tani është koha të përgatisim Tetovën për të ardhmen, me investime në gazifikim, me infrastrukturë ekologjike – një Tetovë moderne, që do të na bëjë krenarë jo vetëm si metropol i rajonit, por edhe si një qytet i pastër e i gjelbërt për brezat e ardhshëm. Tetova si qytet për të cilin jemi të gjithë jemi krenarë, dhe ku NE e fëmijët tanë do të duam të jetojnë”, ka shkruar Arifi në Facebook.

Në këtë takim me propozim të kryetarit të degës së BDI – Tetovë Florin Besimi, si shef i shtabit komunal zgjedhor të BDI në Tetovë u zgjodh Faton Ahmeti.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button