fbpx

Gënjeshtra, gënjeshtra dhe gënjeshtra se Covid-19 është mashtrim!

Recensojmë një postim në Facebook në të cilin paraqitet një teori konspirative. Në postim thuhet se kovidi është mashtrim dhe sulm i koordinuar global për të shkatërruar ekonominë botërore, për të vendosur monedhë dixhitale botërore, vaksinim të detyruar, identifikim me mikroçip, shkruan Vërtetmatësi. 

Sipas autorit të postimit, pas gjithë kësaj qëndrojnë grupet që kontrollojnë sistemin bankar botëror dhe kanë marrë kontrollin e disa qeverive nga vende të ndryshme. Qëllimi përfundimtar, sipas asaj që thuhet, është të ketë një fe botërore, ndjekja e çdo lëvizjes tënde, një qeveri botërore dhe një rend të ri botëror. Më tej thuhet se qytetarët duhet të ndjekin grupet në Facebook, të dalin për të protestuar dhe kështu të njihen me të vërtetën, sepse ata dëgjojnë vetëm gënjeshtra në televizion.

Në postim thuhet se mediat janë ato që shkaktojnë panik dhe ngjallin frikë te njerëzit, si dhe se njerëzit që vdesin nga diagnoza të tjera paraqiten në mënyrë të rreme në statistika sikur të kenë vdekur nga kovidi, edhe pse kanë vdekur nga kanceri ose diagnoza të tjera.

Më tej thuhet se mjekët që flasin publik se janë të korruptuar, ndërsa ata që ekspozojnë mashtrimet censurohen në mediat sociale. Plani sipas këtij konspiracioni është të krijojë një pandemi të rreme, të shkatërrojë ekonominë dhe ndërmarrjet e vogla, që njerëzit të humbasin punën dhe mjetet e jetesës, dhe kështu të bëhen të varur nga ndihma shtetërore. Sipas postimit, nëse njerëzit varen nga ndihma shtetërore, atëherë qeveritë shumë lehtë do të jenë në gjendje t’ua imponojnë vendimet dhe masat, të cilat përndryshe nuk do të pranoheshin nëse qytetarët nuk do të ishin të varur ekonomikisht.

Me pak fjalë ky është konspiraioni i “dramës” për pandeminë e rreme, që është plasuar në këtë postim.

Shumë palogjikshmëri në një vend

Në të ka shumë “vrima” dhe palogjikshmëri. Për shembull, si mundet që ekzistenca e kovidit t’i bëjë të gjithë njerëzit të besojnë në një fe botërore, kur të infektuarit dhe të prekurit janë nga pothuajse të gjitha fetë dhe virusi nuk diskriminon mbi këtë bazë?! Më tej, protestat në të cilat ai është thirrur të merret pjesë, janë protesta kundër vaksinimit, në të cilat vazhdimisht ka gënjeshtra, dezinformatave, fyerjeve ndaj mjekëve dhe gazetarëve, si dhe palogjikshmëri. Në një protestë të tillë, që u mbajt para Kuvendit të RMV-së, njëra nga të pranishmet bëri thirrje për shkelje të masave shtetërore për të parandaluar përhapjen e virusit, pra mos mbajtjen e maskave dhe mos mbajtjen e distancës dhe mos vaksinim. Asnjë nga të pranishmit në të njëjtën protestë nuk mbanin maska. Në të njëjtën kohë, Klinika Infektive në Shkup ishte plot e përplot me pacientë që vuanin nga kovidi. Të gjithë 159 shtretërit spitalorë janë të zënë aktualisht, përfshirë ata në spitalin modular.

Sa i përket faktit që pacientët të sëmurë me diagnoza të tjera, janë regjistruar sikur të kishin vdekur nga kovidi, këtu bëhet manipulim flagrant. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar protokoll që ndiqet nga Maqedonia e V., sipas të cilit të gjithë ata që kanë kovid, pavarësisht nga sëmundjet shoqëruese, trajtohen si të vdekur nga covidi.

Rekomandimet e OBSH-së thonë se çdo vdekje nga Covid-19, madje edhe rastet e mundshme që kanë përfundim të paspecifikuar, ose raste të dyshuara që nuk mund të testohen, duhet të regjistrohen në statistika si vdekje nga Covid-19. Vendimi përfundimtar i takon mjekut, por edhe nëse testi është negativ dhe fotografia klinike dhe historia e rastit janë qartë në përputhje me Covid-19, rasti duhet të trajtohet si Covid-19.

Sipas dokumentit të publikuar nga OBSH, të cilin e ndjek edhe vendi ynë, përkufizimi i asaj çfarë është vdekja për shkak të Covid-19 thotë:

Si vdekje nga Covid-19 përkufizohet vdekja që vjen nga sëmundje klinikisht e pajtueshme, në rast të mundshëm ose të konfirmuar me Covid-19, përveç nëse ka shkak të qartë të vdekjes që nuk mund të lidhet me Covid-19. Për shembull, trauma. Vdekja për shkak të Covid-19 nuk duhet t’i atribuohet një sëmundjeje tjetër, siç është kanceri, dhe duhet të llogaritet pavarësisht nga rrethanat e dyshuara për nxitjen e rrjedhës agresive të Covid-19.

Pra, vetëm fakti që ndonjë pacient kishte komorbiditet (sëmundje shoqëruese) mund të mos kishte kontribuar në vdekjen e tij, nëse ai nuk do të kishte koronavirusin në këtë rol si katalizator!

Mikroçipet tashmë janë marrëzira të demaskuara

Sa i përket asaj që thuhet në postim se njerëzit do të vaksinohen me forcë dhe do të monitorohen me mikroçipa, kjo është teori konspirative, të cilën ne e kemi demaskuar vazhdimisht. Nuk ka mikroçip në vaksina dhe kur dikush do të donte të monitoronte lëvizjen e çdo qytetari, ata mund ta bënin këtë përmes telefonave celularë për shembull. Ose përmes aktiviteteve të rrjeteve sociale, ku qytetarët ndajnë vullnetarisht informacionin e tyre. Por pse dhe si do të bëhet kjo me një pandemi?! Nuk ka mikroçip në vaksina dhe dozat janë shumë të vogla për të pasur edhe mundësi teorike.

Pretendimi se qeveria dëshiron t’i bëjë qytetarët të varur ekonomikisht nga ndihma shtetërore është gjithashtu jologjike dhe nuk korrespondon me ndonjë strategji të fortë qeveritare të bazuar në logjikë. Çdo qeveri nuk dëshiron të ofrojë ndihmë financiare, por qytetarët të jenë ekonomikisht të pavarur, të fitojnë nga sektori privat, dhe buxheti i shtetit të shpenzohet për mallra dhe shërbime me karakter publik. Por kur bëhet fjalë për shëndetin publik, shumë qeverive në të gjithë botën u është dashur të vendosin kufizime në ekonomi për të parandaluar përhapjen e virusit. Ishte vetëm një përgjigje ndaj pandemisë, jo plan për varësi. Mbrojtja e shëndetit publik është e drejtë kushtetuese.

Teori konspirative nga SHBA

Në postim rrejshëm pretendohet se qëllimi është që të ketë një valutë botërore, edhe pse nuk thotë se si do të bëhej. Ndërkohë, realiteti është i qartë, monedhat që ishin aktive para pandemisë ende funksionojnë në çdo vend të botës.

Nëse lexuesi i shqyrton ato në mënyrë të arsyeshme dhe mendon pas secilës prej tezave të paraqitura, ai do të kuptojë se ato janë të pabaza në realitet. Por ato kanë ngjashmëri të madhe me teorinë e konspiracionit fillimisht të popullarizuara në Shtetet e Bashkuara.

Por ka edhe elemente të teorisë së konspiracionit Q.

Protestat kundër vaksinave në Maqedoni fliten vazhdimisht si “zgjim i madh”, narrativë e përdorur gjerësisht në këto teori konspirative. Por kjo nuk është vetëm një shpikje maqedonase, por prirje globale për të cilën shkruan edhe BBC.

Vlerësojmë se postimi është kakofoni e teorive të konspiracionit, të pabazuar në fakte, të pabazuara në prova dhe të pabazuara në logjikën e shëndoshë. Origjina e tyre nuk është në Maqedoni, por ato u morën nga Shtetet e Bashkuara, të përziera në përpjekje për të ndikuar popullatën nga perceptimi i pandemisë si kërcënim për shëndetin publik!

Disklejmer, baner, Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button