Në Maqedoninë e Veriut ndjehen të sigurt, por duan të shkojnë në ndonjë shtet tjetër për punë, sqaroi një familje afgane

“Afganistani nuk është vend i sigurt për të rritur vajza”. Kështu e nisin rrëfimin e tyre për Euronews Albania bashkëshortët afganë, prindër të 3 vajzave të vogla nga 8 muaj deri 4 vjeç, në mëngjesin e parë pas arritjes në Shkup.

Një mjek dhe një mjeke të cilët lanë vatrën dhe profesionet e tyre në vendlindje për të shpëtuar kokën.

“Ne nuk ishim të sigurt në Afganistan dhe për shkak të fëmijëve tanë ne kemi ardhur këtu”, tha refugjatja afgane.

Çifti thotë se ndjehen të sigurt në Maqedoninë e Veriut, por nuk do të donin të ishte destinacioni i fundit për ta.

“Po, tani këtu ndjehem i sigurt. Kam ardhur vetëm për shkak të fëmijëve të mi, familjes sime”, tha bashkëshorti.

“Dua të shkoj në ndonjë shtet apo lokalitet ku do të mund të vazhdoj punën dhe të gjithë të jemi të sigurt. Shpresoj që unë dhe fëmijët e mi të jemi të sigurt dhe vajzat e mia ta vazhdojnë shkollimin në një shoqëri të sigurt”, shtoi gruaja afgane.

Kjo familje afgane arriti mbrëmë në Shkup përmes Gjeorgjisë, në kontingjentin e parë refugjatësh afganë i cili numëronte gjithsej 149 pasagjerë.

Mes tyre edhe një grua në javën e 39-të të shtatzënisë, e cila u transportua me urgjencë nga aeroporti në Spitalin Gjinekologjik në Shkup. Në ditën e tyre të parë në Maqedoninë e Veriut, refugjatët nga Afganistani po qëndrojnë të izoluar në një hotel në periferi të Shkupit, ndërsa presin të vaksinohen kundër COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button