Gjykata e Lartë lejoi Ligjin e Teksasit që ndalon shumicën e aborteve

Gjykata e Lartë amerikane lejoi hyrjen në fuqi të një ligji në Teksas, që ndalon shumicën e aborteve në këtë shtet. Me një diferencë të mgushtë, 5-4 Gjykata e Lartë nuk pranoi të marrë në shqyrtim një kërkesë urgjente nga grupet e të drejtave të abortit për ta bllokuar ligjin, raporton VOA.

Në një vendmin të panënshkruar nga shumica, të mërkurën vonë, thuhej se sfiduesit e ligjit nuk përmbushën argumentat e nevojshme për ndalimin e tij, duke lënë të hapur mundësinë që ligji të përballet me sfida të tjera në të ardhmen.

“Në arritjen e këtij përfundimi, ne theksojmë se nuk pretendojmë të zgjidhim përfundimisht çdo kërkesë juridike, apo thelbësore në padinë e aplikantëve,” thuhej në vendim. “Në veçanti, ky vendim nuk i jep përgjigje kushtetutshmërisë, ose jo të ligjit të Teksasit dhe në asnjë mënyrë nuk kufizon sfida të tjera procedurale ndaj ligjit të Teksasit, përfshirë gjykatat shtetërore të Teksasit.”

Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts iu bashkua tre anëtarët liberalë të gjykatës në kundërshtimin e vendimit.

Gjykatësja Sonia Sotomayor, që paraqiti argumentat e palës kundërshtuese, theksoi se ligji “u ndërpret menjëherë kujdesin shëndetësor të paktën 85% të pacientëve të abortit në Teksas” dhe është “qartazi antikushtetues sipas precedentëve ekzistues”.

Në një deklaratë të mërkurën, Presidenti amerikan Joe Biden, mbështetës i së drejtës së abortit, siç janë shumë demokratë amerikanë, tha se ligji në shtetin jugor të Teksasit “shkel në mënyrë të hapur të drejtën kushtetuese” sipas vendimit historik të Gjykatës së Lartë të vitit 1973, në atë që njihet si “çështja Roe v. Wade, ku thuhej se gratë kanë të drejtën kushtetuese për të ndërprerë shtatëzaninë në gjashtë muajt e parë, kur fetusi nuk është në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës.

Teksasi është një ndër mbi dhjetë shtete, kryesisht të udhëhequra nga republikanët, që kanë miratuar ndalimin e abortit “pas momentit që dëgjohet rrahja e zemrës”, që shpesh ndodh në gjashtë javët e para të shtatzanisë dhe nganjëherë para se gruaja ta kuptojë se është shtatzënë.

Gjykatat në të kaluarën kanë bllokuar ligje të tilla me kufizime kaq të rrepta ndaj abortit.

Ligji kundër abortit në Teksas është i pazakontë, pasi u jep qytetarëve të thjeshtë të drejtën për të ngritur padi kundër klinikës, apo mjekut që kryen abortin dhe kujtdo që “ndihmon ose përkrah” një abort pas gjashtë javësh. Ata që fitojnë padi të tilla do të marrin nga humbësi deri në 10,000 dollarë.

Presidenti Biden tha se administrata e tij është “thellësisht e angazhuar” për të mbrojtur të drejtën e abortit të vendosur sipas vendimit të vitit 1973.

Mbështetësit e ligjit në Teksas përshëndetën qëndrimin e Gjykatës së Lartë për të qëndruar mënajnë.

Klinikat që ofrojnë aborte në Teksas, përfshirë rrjetin e fuqishëm të klinikave “Planned Parenthood” si dhe “Whole Women’s Health” thanë se nuk do të ofrojnë më aborte për gratë, që janë më shumë se gjashtë javë shtatzëna. E drejta e abortit është një nga temat më të debatueshme në opinionin publik amerikan.

Megjithëse në shkallë kombëtare anketat tregojnë se shumica e amerikanëve duan të ruajnë të drejtat që fituan gratë përmes vendimit gjyqësor Roe v Wade, në shtete të kontrolluara nga republikanët janë miratuar një numër ligjesh që kufizojnë qasjen tek kjo e drejtë. Disa ligjvënës i kanë kërkuar Gjykatës së Lartë që të dalin me një vendim që ndalon plotësisht abortet.

Gjykata e Lartë e kontrolluar nga konservatorët 6-3, ka ende kohë ta bllokojë ligjin e Teksasit. Gjykata ka pranuar të dëgjojë argumente në sesionin e ri që fillon në tetor lidhur me një ligj në Misisipi që ndalon pjesën më të madhe të aborteve pas javës së 15-të të shtatzanisë, pra shumë javë para se fetusi të jetë në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës së nënës, siç e specifikonte vendimi i vitit 1973.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button