Debati mbi digjitalizimin: Ekziston bazë për shërbime plotësisht elektronike, por mbetet ende shumë për të bërë

Për shërbimet plotësisht digjitale për qytetarët duhet të sigurohen zgjidhje të përshtatshme teknike dhe kadrovike, të miratohen ndryshime dhe akte nënligjore shtesë dhe, megjithëse baza për digjitalizimin është e hedhur tani, mbetet ende shumë për të bërë për përfundimin e saj me sukses dhe për të qenë shërbim i mirëfilltë për qytetarët, që do t’ia lehtësojë jetën dhe do t’i plotësojë plotësisht nevojat e tij. Në të njëjtën kohë, duhet kujdes i madh për të gjetur zgjidhje që do të jenë të qëndrueshme, gjegjësisht të përhershme, ndryshe nga disa shembuj nga e kaluara ose tani, kur shërbimet digjitale që janë prezantuar nuk janë në dispozicion tani ose zbatohen vetëm pjesërisht, kështu që qytetarët ende duhet të shkojnë në sportel dhe të marrin ose të dorëzojnë dokumente, thanë pjesëmarrësit në debatin e sotëm “Ofrimi i shërbimeve digjitale të krijuara për qytetarët”, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Ngjarja, e organizuar nga Fondacioni për Liri “Fridrih Nauman”, Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis” dhe Instituti për Shkencat Shoqërore dhe Humaniste, që u mbajt me prani fizike dhe që kishte mundësi të ndiqet përmes platformës Zoom dhe në Facebook, mblodhi së bashku përfaqësues të shoqërisë civile që punojnë në fushën e shërbimeve digjitale dhe përfaqësuesit e Qeverisë për të diskutuar se çfarë është bërë deri më tani, cilat janë gabimet që nuk duhet të përsëriten dhe cilat janë zgjidhjet më të mira për të arritur qëllimin e ofrimit të shërbimeve digjitale cilësore, gjë që është pjesë integrale e Agjendës Digjitale të Qeverisë, e cila në në pjesën më të madh është pasqyrim i Agjendës Digjitale të BE-së.

Digjitalizimi ngec, shembuj të këqij ka më shumë se të mirë

“Tema është e rëndësishme për çdo vend, sepse digjitalizimi nuk është e ardhmja, por e tashmja. Kur flasim për digjitalizimin e qeverisë, të shërbimeve shoqërore, duhet të dimë se ai ka një efekt pozitiv të drejtpërdrejtë jo vetëm në funksionimin e shtetit, por në të gjitha proceset shoqërore dhe zhvillimin e shoqërisë. “Çdo ngadalësim në këtë plan çon në ngadalësim në të gjitha proceset,” tha Ivajlo Conev, koordinator i projektit për Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut në Fondacionin për Liri Fridrih Nauman .

Qëndresa Sulejmani, Drejtore Programi e Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” dhe Iskra Gerazova-Mujçin, hulumtuese në Institutin e Shkencave Shoqërore dhe Humaniste, i prezantuan dy studimet mbi përvojat dhe kërkesat e qytetarëve për shërbimet digjitale, por edhe për drejtimet në të cilat ata duhet të drejtojnë zbatimin e digjitalizimit.

Siç theksoi Sulejmani, nga anketimi i qytetarëve për shërbimet elektronike në nivel komunal u konkludua se është më e rëndësishme që qytetarët të marrin të paktën informacion të qartë në formë digjitale, sesa të ofrojnë shërbime digjitale, të cilat në realitet ende nuk funksionojnë mirë. Hulumtimi i realizuar nga “Metamorfozis” mbuloi 12 shërbime.

“Komuna e Kriva Pallankës dhe e Dellçevës janë shembuj të mirë të komunave me bazë në qytet që ofrojnë shërbime digjitale të azhurnuara dhe të qëndrueshme dhe qytetarët janë të kënaqur, kurdse sa i përket komunave me bazë në fshat, këtu shembull i mirë është komuna e Debarcës. Është interesant që 95% e qytetarëve të anketuar thanë se janë të kënaqur me vetëm informacion të qartë, pa ofruar një shërbim të plotë digjital, në vend që të kenë shërbime që nuk janë të qëndrueshme – gjegjësisht, ato mund të jenë ideale, por që nuk zbatohen mirë. I tillë është shembulli i “Shih, raporto, rregullo”, që është një zgjidhje e shkëlqyeshme, por komunat e kanë ndaluar përdorimin. Është shembull i mirë sesi qytetarët humbasin besimin në shërbimet elektronike edhe para se të ekzistojnë. Në hulumtimin tonë, shumë qytetarë thonë se është më efikase të kalosh gjysmë dite në sportele dhe të kjryesh punën, sesa të provosh onlajn”, shpjegoi Qëndresa Sulejmani duke e prezantuar hulumtimin “Analiza e shërbimeve elektronike në komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Iskra Gerazova-Mujçin, duke folur për hulumtimin “Digjitalizimi si rrugë për administratë të vërtetë të orientuar kah qytetarët: decentralizimi i proceseve si mjet për reforma të përshpejtuara dhe efektive” theksoi se kryesisht ishte analizuar shërbimet për dokumente personale. Problemi i madh këtu është se administrata ose nuk i di ose nuk dëshiron të zbatojë ligjet, sepse qytetarëve u kërkohet ende të sigurojnë dokumente që administrata duhet t’i marrë sipas detyrës zyrtare.

“I hulumtuam ligjet dhe aktet nënligjore që kanë të bëjnë me dokumentet personale dhe përshtypja e parë është se në to ka shumë rregullore që në një farë mënyre i ngarkojnë qytetarët dhe janë në favor të administratës. Ligji për Procedurën e Përgjithshme dhe Administrative në Nenin 63 thotë se dokumentet shoqëruese për një shërbim, nëse nuk dorëzohen nga qytetarët, do të sigurojë institucioni. Pra, thuhet se institucioni mund t’i sigurojë, por i kërkon nga qytetari. Sa i përket ligjeve për dokumentet personale, edhe pse që nga viti 2019 disa prej tyre kanë pësuar ndryshime dhe shtesa, asnjëra prej tyre nuk është për digjitalizim, në gati tre vjet, asnjë nuk është përshtatur”, tha Gerazova-Mujçin.

Nevojiten edhe pajisje edhe softuer, por edhe para

Perceptime dhe rekomandime për atë që është bërë deri më tani dhe për atë që duhet të realizohet në të ardhmen, në diskutim dhanë Zoran Dimitrovski, zëvendësministër në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale; Ana Malceva – Marinkoviq, Zyrtare e Kabinetit për koordinim të bashkëpunimit të Kryeministrit me organet shtetërore, ndërmarrjet publike, institucionet, kompanitë, shoqatat e qytetarëve dhe personat e tjerë juridikë; Iskra Bellçeva – Ristovska, Koordinatore e Programit në Qendrën për Menaxhim të Ndryshimeve; dhe Mila Josifovska-Danilovska, Menaxhere e Programit për përgjegjësi shoqërore dhe të drejtave të njeriut onlajn në Fondacionin për internet dhe shoqëri “Metamorfozis” .

Zëvendësministri Dimitrovski gjithashtu sheh mungesa logjike në situatën aktuale, por beson se fakti që qeveria e ka vendosur digjitalizimin si përparësi kryesore jep optimizëm se gjërat mund të rregullohen.

“Para çdo seance të Qeverisë, ndahet informacion për procesin. Tani po flasim për korrikun 2022 si periudhë përfundimtare për transformim digjital. Por duhet t’i kushtojmë vëmendje edhe këtij procesi, sepse në të kaluarën e patëm E-qeverinë, pastaj një sistem me një sportel, nisma për të lehtësuar shërbimet për qytetarët, por që u përball me probleme në terren, dhe në fund ka shërbime që kemi marrë në mënyrë digjitale, këtu, nga Drejtoria për udhëheqjen e dokumenteve amë, për shembull, ju mund të aplikoni në mënyrë digjitale, ata ju caktojnë termin që ju të sillni dokumente fizike, dhe ai proces nuk është i lehtësuar, por i komplikuar. Procesi i digjitalizimit duhet të marrë parasysh qëndrueshmërinë, mbështetjen e softuerit, punonjësit… Ne e dimë se si burokracia jonë, gjegjësisht administrata sillet kur lëshon dokumente, e pamë me MPB-në me letërnjoftime dhe pasaporta dhe të del se procesi i digjitalizimit mund të jetë më i komplikuar nëse nuk merret parasysh qëndrueshmëria. Qeveria duhet qysh tani të bëjë buxhetim për Agjendën Digjitale për harduer, softuer, menaxhim, e gjithë kjo kërkon fonde. “Shumë komuna ankohen se nuk mund të hyjnë në procesin e digjitalizimit, sepse nuk kanë financa dhe qeveria duhet të marrë parasysh bllok-grantet për këtë qëllim”, tha zëvendësministri i Vetëqeverisjes Lokale.

Ana Malceva –Marinkoviq nga Zyra e Kryeministrit theksoi se digjitalizimi përmban edhe elemente të luftës kundër korrupsionit, për një jetë më të mirë dhe më të gjelbër të qytetarëve – në aspektin e zvogëlimit të përdorimit të letrës, por edhe në aspektin e interesave të qytetarëve. Aktualisht tre grupe pune janë duke punuar në realizimin e Agjendës Digjitale, tha ajo.

“Tani po bëhet kopje digjitale e të gjitha ndërveprimeve tona fizike dhe ajo që e kemi veçanërisht në mendje duke e zhvilluar sistemin e ri është të shmangim parimin e shëtitjes së qytetarëve në platforma të ndryshme digjitale, por të jemi të centralizuar, në një pikë komunikimi. Më 16 dhjetor 2019, e krijuam Portalin Kombëtar për Shërbimet Elektronike, dhe ai u promovua, por për shkak të epidemisë, përdorimi i tij ra. Përndryshe, aktualisht në Qeveri për digjitalizim janë formuar tri grupe pune: një për ndryshimin e 150 ligjeve, një grup pune inxhinierësh të koordinuar nga MSHIA dhe i treti për digjitalizimin e sistemit gjyqësor dhe të gjithë kanë koordinim të ngushtë. Për sa i përket vendit ku duam të shkojmë si vend, korriku 2022 është padyshim data kryesore dhe shpresoj se do ta arrijmë. “Tani ka shumë ligje në procedurë qeveritare, një bollëk ndërhyrjesh ligjore, me ç’rast qëllimi nuk është të dhunohet sistemi ligjor, por të ndërhyhet në minimum për të siguruar siguri juridike”, tha Malceva-Marinkoviq.

Sa i përket sigurisë dhe të drejtave të qytetarëve, Mila Josifoska-Danilovska nga “Metamorfozis”  si veçanërisht të rëndësishëm e përmendi respektimin e versionit të fundit të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Sa i përket digjitalizimit, ajo tha se duhet të konsultohen qytetarët në mënyrë që të digjitalizohen shërbimet, por edhe të sigurohet infrastruktura për qasjen e qytetarëve në shërbimet digjitale.

“Parakusht për digjitalizimin është të kemi institucione të gatshme që kanë kapacitet për të hartuar, ofruar dhe promovuar shërbime digjitale, si dhe për të mbështetur qytetarët në këtë proces. Në të njëjtën kohë për të siguruar infrastrukturën e nevojshme që qytetarët të mundësohet hyrja në shërbimet digjitale, dhe ata që nuk kanë qasje në shtëpi në internet dhe pajisje digjitale. Kjo mund të bëhet nëpërmjet qendrave lokale për mbështetjen e qytetarëve, klubet ekzistuese të internetit, qendrat “Një pikë për shërbime”, tha Josifoska-Danilovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button