Ganiu nuk ka realizuar as premtimin për garazhet në kate, Komuna e Çairit dhe Ministria e Transportit jotransparente

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, po përfundon mandatin e tij të parë pa realizuar problemin me parkingun, ku si zgjidhje ofroi ndërtimin e katër garazheve në kate në këtë komunë. Por, edhe pse kanë mbetur më pak se dy muaj nga përfundimi i mandatit të tij, Ganiu nuk realizoi këtë premtim. Në lidhje me këtë, Portalb.mk ka drejtuar pyetje në Komunën e Çairit dhe Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, por asnjëra nga këto dy institucione nuk u janë përgjigjur pyetjeve nëse është miratuar plani urbanistik që do t’i hapte rrugë dhënies së lejes dhe fillimit të realizimit të këtij projekti, raporton Portalb.mk.

Portalb.mk ka tentuar që të kontaktoj me zëdhënësin e Ministrisë së Transportit që nga dita e djeshme në forma të ndryshme, duke dërguar pyetje nëpërmjet sms – porosisë dhe në emailin zyrtar të zëdhënësit dhe po ashtu, ka tentuar që të bije në kontakt disa herë nëpërmjet thirrjes telefonike, por në asnjërën prej këtyre tentimeve zëdhënësi nuk ka qenë i qasshëm për redaksinë tonë.

Komuna e Çairit vitin e kaluar i kishte dorëzuar Ministrisë së Transportit kërkesat për miratimin e planeve urbanistike për projektet e ndërtimit të dy garazheve në kate.

Por, që të dy planet urbanistike i ishin kthyer Komunës së Çairit nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, që të harmonizohen me aktet ligjore dhe nën ligjore nga fusha e planifikimit urbanistik. Nga Komuna e Çairit në mars thanë se, kërkesat fillimisht ishin kthyer nga ministria në fjalë, për shkak të disa problemeve teknike dhe jo se ato nuk kanë qenë në përputhje me ligjin dhe se do të ridërgohen gjatë muajit mars.

Por, në përgjigjen e fundit që kemi marrë nga ministria në muajit korrik, thanë se nuk kanë kërkesa aktive nga Komuna e Çairit.

“Ju informojmë se, në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve nuk ka kërkesa aktive nga Komuna e Çairit që kanë të bëjnë me garazhet në kate. Gjithashtu, Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, në pajtueshmëri me kompetencat e saj, jep miratim për ndërtim vetëm për objekte të kategorisë së parë. Në këtë rast, garazhet në kate nuk janë objekte të kategorisë së parë, që nënkupton se, miratimin për ndërtimin duhet ta jep komuna”, thanë nga kjo ministri për Portalb.mk në korrik.

Në “Kontratën” e tij, Ganiu kishte parashikuar buxhet prej 1,156,293,957,00 denarë (18.8 milionë euro) për ndërtimin e 4 garazheve në kate në territorin e kësaj komune.

Ai kishte premtuar se do të ndërtohen garazhe në kate në “Saat Kullë”, për çka kishte parapara buxhet pre 176,668,200 denarë, (2,8 mln euro) garazh në kate te Teatri Shqiptar, ku kishte paraparë buxhet prej 112,455,000 denarë (1.8 mln euro). Garazhe në kate po ashtu, ishin premtuar edhe te Sheshi Skënderbeu dhe te “Çairçanja”, për të cilat ishte paraparë buxhet prej 786,169,857 denarë (12,7 mln euro) dhe 81,000,000 denarë (1,3 mln euro).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button