PS-ja emëroi ministrat e Qeverisë Rama 3

Në Asamblenë e Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS) të mbajtur të enjten, më 2 shtator, kryetari i kësaj partie, njëherësh kryeministri i vendit, Edi Rama shprehi ambiciet për një mandat tjetër pas katër vjetësh, duke thënë se PS-ja e ka përballë vetës një sfidë të vështirë.

Tetë ditë para mbledhjes së kuvendit të ri me legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet të mbajtura në muajin prill të këtij viti, Rama u shpreh se partia e tij duhet të “ul këmbët në tokë dhe të gjejë fuqi të reja për të parë fitoren me sy kritik”, transmeton REL.

“Kjo është fitorja jonë më e vështirë për t’u merituar. Ndryshe nga sporti që fitoret arrihen kur meritohen, fitoret në politikë meritohen vetëm pasi arrihen. Fitore e zgjedhjeve janë mundësia për të zhvilluar beteja të vazhdueshme për t’iu kthyer zgjedhësve me punë dhe rezultate bindëse kredinë e lartë të përfaqësimit që ata u japin borxh fituesve në formë me votën e tyre”, tha Rama.

Ai tha se detyra e udhëheqjes së vendit vetëm sa po vjen e po bëhet më e vështirë, duke shtuar se kundërshtarin më serioz kjo e parti e ka vetveten, pasi sipas tij Partia Demokratike, që është e dyta në numër, nuk mund t’í afrohet PS-së.

“E vetëkuptueshme, herën e katërt do ta kemi më të vështirë se këtë të tretën. Por, ama nuk e luan topi që detyra jonë ndaj gjithë atyre që na besuan dhe patjetër ndaj vetes, Shqipërisë, që kemi nderin e jashtëzakonshëm të udhëheqim për të tretin mandat radhazi për të bërë të pamundurën për t’ia dalë të rikonfirmohemi përsëri pas katër vjetësh”, tha kryeministri.

Në asamblenë e Partisë Socialiste u emëruan edhe ministrat e ri të qeverisë Rama 3, shumica emra të njohur në vendimmarrjen shqiptare.

Ndër ndryshimet në kabinetin Rama 3 janë emërimi i Ulsi Manjës si ministër i Drejtësisë, Frida Krifca si ministre e Bujqësisë dhe Mirela Kumbaro që mori postin e ministres të Turizmit.

Nëntë ministri do të vijojnë të mbajnë postet e tyre nga qeveria e kaluar. Olta Xhaçka do të vijojë të jetë ministre e Punëve të Jashtme, Bledi Çuçi ministër i Brendshëm, Evis Kushi ministre e Arsimit, Delina Ibrahimi ministre e Ekonomisë dhe Financave, Ogerta Manastirliu ministre e Shëndetësisë, Niko Peleshi ministër i Mbrojtjes, Belinda Balluku ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Elva Margariti ministre e Kulturës dhe Elisa Spirpoali që mbetet ministre shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Ndërkohë Milva Ekonomi u emërua ministre shteti për Standardet dhe Shërbimet, Edon Abilali ministër shteti për Biznesin dhe Sipërmarrjen dhe Bora Muzhaqi ministre shteti për Rininë dhe Fëmijët.

Në zgjedhjet qendrore të mbajtura më 25 prill të këtij viti, Partia Socialiste fitoi 74 mandate, Partia Demokratike ka marrë 59 mandate, ndërsa Lëvizja Socialiste ka pësuar humbje, ku ka arritur që të marrë vetëm katër mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara, të mbajtura më 2017.

Qeveria e re pritet të formohet më 10 shtator.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button