Autobusët e Tetovës edhe 15 ditë do të jenë pa pagesë (Infografik)

Është shtyrë edhe 15 ditë udhëtimi pa pagesë me autobusët e Tetovës, që paraprakisht ishte deri më 30 gusht. Këtë e ka konfirmuar për Portalb.mk kryetari i Këshillit Komunal të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, sipas tij kjo është bërë me arsyetimin se nxënësit e shkollave të mesme do të fillojnë pas dy javëve. Njëkohësisht, do të përcaktohen dhe vendosen shumë çështje nga ndërmarrja Tetova Transport për sa i përket funksionimit të tyre. Biletat e transportit publik janë të ndara në shtatë kategori dhe tani më janë gati për tu shitur, ndërsa ndryshime pritet të ketë në linjat e përcaktuara paraprakisht, shkruan Portalb.mk.

Qytetarët e Tetovës do të kenë mundësi që deri me 15 shtator të udhëtojnë me transportin publik falas, që paraprakisht ishte deri me 30 gusht. Ky vendim sipas kryetarit të Këshillit Komunal të Tetovës, Bekim Memetit është bërë me arsyetimin që nxënësit e shkollave të mesme pritet të fillojnë me prezencë pas dy javëve.

“Autobusët do të jenë pa pagesë edhe 15 ditë prej 1 shtatorit, sepse ne e kishim me 1shtator të fillojmë me transportin normal. Është vendosur që të shtyhet edhe për 15 puna e transportit falas për qytetarët,  me arsyetimin se edhe nxënësit e shkollave të mesme do të fillojnë pas dy javëve. Shpresoj se gjithçka do të jetë gati, edhe pjesët materiale po edhe pjesa e punëve tjera që kanë ngelur do jenë gati, edhe shpresojmë që edhe nxënësit të kthehen nëpër banka që edhe ato ti shfrytëzojnë”, tha Bekim Memeti.

Memeti shtoi se në  ndërkohë edhe materialet e shtypura për linjat që duhet të ngjiten nëpër autobusë se nga cila pjesë do të kalojnë e kështu me radhë, janë në përfundim e sipër edhe besojnë që kur të fillojë puna e transportit normal të ngjiten edhe ato.

 Biletat e autobusëve tani më janë gati për tu shitur, Memeti tha se biletat do të shiten nëpër kioske dhe nëpër shitore që janë sa më afër vendeve ku do të ndalen autobusët.

Këto janë çmimet dhe kategoritë e biletave:

Ende nuk është marrë vendimi përfundimtar për linjat nëpër të cilat do të qarkullojnë autobusët e Tetovës

Edhe pse çmimet e biletave tani më janë të përcaktuara, e njëjta nuk është për linjat në të cilat do të qarkullojnë autobusët. Gazetari i Portalb.mk, kontaktoi me Ndërmarrjen Publike “Tetova Transport” për të konfirmuar se nëse linjat e planifikuara paraprakisht a do të jenë të njëjtat, nga kjo ndërmarrje thane se do të ketë ndryshime.

“Nuk janë definuar saktë, do të ketë ndryshime. Për çdo linjë do të informoheni më saktë. Do ju informojmë kur të vijë vendimi final”, thanë nga Tetova Transport për Portalb.mk.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Tetova Transport”, Darko Spirovski në një intervistë për Portalb.mk, deklaroi se tani janë krijuar kushtet minimale për funksionimin e autobusëve të transportit publik në Tetovë. Edhe pse Ndërmarrja është themeluar, disa punë vazhdojnë të jenë të papërfunduara dhe për këtë sipas Spirovskit duhet kohë.

Ndryshe, premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button