RMV, mjekët me prognoza vjeshte – kur do t’i themi lamtumirë koronës?

Vala e verës, e cila mbushi spitalet e Maqedonisë me të infektuar me Kovid-19, po zbutet ngadalë, por numri i të vdekurve mbetet i lartë. Në veçanti shqetëson fakti se të rinjtë po bëhen më të ndjeshëm ndaj sëmundjes. Maqedonia e Veriut regjistroi dje viktimën më të re nga virusi-një vajzë 15-vjeçare nga fshati Tetovë, Sellcë, e cila vdiq në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup. Një ditë më parë, një djalë 22-vjeçar nga Kumanova iu nënshtrua sëmundjes. Një pjesë e mjekëve shpresojnë për vjeshtë më të qetë – siç rritet numri i të vaksinuarve, ashtu edhe virusi të bëhet çdoherë e më i pafuqishëm me pasoja fatale në shëndetin e qytetarëve.

“Përbindëshi delta ngadalë do të bëhet në një” luan të zbutur ” – ashtu siç ka ndodhur me simotrat e saj, katër llojet e koronaviruseve që shkaktojnë ftohjen e zakonshme. Pavarësisht shfaqjes së mundshme të ndonjë mutacioni të ardhshëm, ka pak gjasa që përsëri të shfaqet pandemia. Popullsia e planetit nuk është më imunologjikisht ‘naive’. Ka mbaruar me koronën ”, janë parashikimet optimiste të prof. dr Dragan Danillovski, epidemiolog i cili gjatë pandemisë përditë i ndihmon qytetarët me këshilla se si të sillen në mënyrë më efektive me sëmundjen. Disa mjekë, nga ana tjetër, janë përmbajtur nga prognozat/parashikimet, shkruan DW.

“Virusi është i paparashikueshëm, askush nuk mund ta dijë se si do të zhvillohet situata më tej”, thanë disa infektologë për DW.

Të rinjtë në sulm

Frika se çfarë do të sjellë vjeshta janë të justifikuara, nëse kihet parasysh se pas më shumë se një viti mësim online, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur që vitin e ri shkollor ta fillojë me prezencë fizike.

Grupimi i fëmijëve në oborret e shkollave, autobusët plot përplot me udhëtar, shoqërimi në kafene vetëm nxiti frikën se virusi mund të përhapet edhe më shpejt, veçanërisht në mesin e popullatës më të re, ku përqindja e të vaksinuarve është dëshpërimisht e ulët. Nëse situata epidemiologjike ndryshon, Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se janë gati për ndryshim të shpejtë të modelit të mësimdhënies me ndonjë nga skenarët rezervë që do të sigurojnë vazhdimësi të procesit arsimor.

“Vetë rinia nuk mbron nga kovidi, siç mendohej në fillim të epidemisë. Kemi të bëjmë me një infeksion të rëndë dhe duhet të jemi jashtëzakonisht seriozë, pavarësisht rinisë. Rinia nuk na mbron siç kemi menduar apo shpresuar në fillim të epidemisë”, tha drejtoresha e Klinikës Infektive, dr. Milena Stevanoviq, e cila u bëri thirrje të rinjve që të jenë të përgjegjshëm dhe të respektojnë masat.

Në Klinikën infektive janë të hospitalizuar 160 kovid-pacientë, nga të cilët 10 deri në 15 ishin marrë një ose dy doza vaksine. Sipas Stevanoviq, pasqyra klinike e atyre që kanë marrë vaksinën është në mënyrë drastike më e lehtë sesa ajo e të pavaksinuarve.

Luan i zbutur

“Vala e verës po zbutet, por nëse ndodhin “ngjarje të rëndësishme shtesë epidemiologjike “, siç janë mësimi i drejtpërdrejtë në shkolla pa testime dy herë në javë të fëmijëve dhe mësuesve me teste të shpejta, dhe nëse shumica e anëtarëve të familjeve të tyre qëndrojnë të pavaksinuar, si dhe grupimet në hapësira të mbyllura më tej në ditët e ftohta, kjo valë mund të pasohet nga një valë tjetër, vjeshtë-dimër. Pastaj lakorja e epidemisë verë-vjeshtë-dimër do të ketë formën e një deveje me dy koka”, analizon epidemiologu Danillovski.

Por ajo valë e re, sipas tij, nuk duhet të jetë me amplitudë të lartë si e tanishmja, pasi tashmë praktikisht “djeg gjithçka që ishte për tu djegur”. Nuk do të ketë më karburant të mjaftueshëm. Pse? Numri i të infektuarve dhe të vaksinuarve po rritet. Ata gradualisht do të bëhen shumicë. Pasi delta depërton deri diku në imunitetin e fituar, mes të infektuarve do të ketë gjithnjë e më shumë të vaksinuar dhe prej atyre qytetarëve që e kanë kaluar. Dhe ky do të jetë një terren i mirë për të filluar përhapjen e ideve se vaksinat nuk funksionojnë, se ne jemi të vaksinuar kot, etj. Por duhet të kihet parasysh se ata që vaksinohen dhe ata që e kanë kaluar janë të mbrojtur në një masë të madhe nga përfundimi me simptoma të rënda … ose më keq …”, thekson ai.

Prognoza

Gjatë vjeshtës do të infektohen edhe të vaksinuarit, pasi antitrupat e tyre gradualisht do të bien. Megjithatë, e zakonshme për të gjithë (përveç atyre të pavaksinuarve dhe të atyre që nuk e kanë kaluar) do të jetë marrja e imunitetit bazë që do t’i mbrojë në pjesën më të madhe nga një pasqyrë e rëndë klinike dhe vdekje. Prandaj, thotë Danillovski, karakteristikë e valës së mundshme vjeshtë-dimër do të jetë shfaqja e një numri të madh të infeksioneve (por më të vogla se në valën aktuale), me shumë pak hospitalizime dhe vdekje. Pas valës së dimrit, shton ai, me shumë gjasa, kovidin do ta kemi midis nesh vetëm si sëmundje endemike që do të ndizet dhe herë pas here do të shpërthejë në formën e “xhepave” lokalë. Vetëm qytetarët me rrezik të lartë do të kenë nevojë për vaksinim.

Një mendim të ngjashëm ka edhe dr. Goran Kungullovski, i cili jo shumë kohë më parë deklaroi se shpreson që para nesh nuk qëndron një dimër i vështirë, duke pasur parasysh se një përqindje e madhe e popullsisë do të imunizohet deri atëherë.

“Tani shohim se ka linjë rritëse te pacientët pozitivë të infektuar me koronavirus. Pasi zbuluam pacientin e parë me variantin Delta në Maqedoninë e Veriut, e dinim që do të ketë lakore të përpjetë dhe e dinim që ajo lakore përpjetë do të merrte njëfarë intensiteti në gusht dhe se me gjasë do të arrinte kulmin në shtator”, tha Kungullovski.

Por dr. Mile Bosilkovski nga Klinika për Sëmundje Infektive dhe gjendje febrile për DW tha se është e vështirë të parashikohet se sa kohë mund të qetësohet pandemia dhe sa viktima do të marrë.

“Shpresë ka gjithmonë, njerëzimi ka luftuar me pandemi dhe sëmundje shumë më të mëdha si gripi spanjoll, i cili vlerësohet se ka marrë 50 milionë jetë. “y virus do të kapërcehet, por për sa kohë, është e vështirë të parashikohet”, thotë infektologu.

Më shqetësuese për të është numri në rritje i vdekjeve të personave që kanë sëmundje të tjera të rënda, kurse për shkak të pandemisë për gati dy vjet nuk mund të trajtohen në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur. Ndërsa trajtohen për kovid, shumë shpesh sëmundjet e tyre primare janë ata që i japin fund jetës së tyre.

Frika

Mjekët shpresojnë për imunizim më masiv të popullsisë, me qëllim që të parandalohen pasojat fatale të virusit. Komiteti Kombëtar për Imunizim jo shumë kohë më parë lëshoi ​​rekomandime duke deklaruar se vaksina siguron mbrojtje kundër zhvillimit të formave të rënda të sëmundjes dhe vdekshmërisë. Të dhënat tregojnë se te njerëzit që vaksinohen nëse shfaqen simptoma, sëmundja kalon shumë më thjesht dhe pa pasqyrë të rëndë klinike. Të dhënat epidemiologjike në mbarë botën tregojnë se sëmundja po përhapet dhe po ndodh tek personat që nuk janë të vaksinuar, kurse në këtë valë janë kryesisht të rinjtë si popullatë, ku përqindja e vaksinimit është më e ulëta.

Sipas shifrave të fundit, 53% e popullsisë mbi 40 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës. Gjithsej 728.628 qytetarë janë vaksinuar në pikat e vaksinimit në vend dhe në terren. Janë aplikuar gjithsej 1.267.666 doza vaksinash, ndërsa 539.037 qytetarë janë rivaksinuar.

Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Bekim Zekiri, është i bindur se masat mbrojtëse dhe vaksinimi janë arma më e fuqishme kundër virusit dhe mutacioneve të reja. “Shumë veta janë qetësuar pasi mendojnë se janë infektuar nga virusi dhe nuk janë më në rrezik. I madh është numri edhe i atyre që nuk besojnë fare se virusi ekziston fare. Iu ka kaluar frika edhe atyre që e kanë kaluar virusin me simptoma të lehta ose pa simptoma dhe tani i bindin të tjerët se nuk ka asgjë për tu frikësuar”, deklaroi dr. Zekiri për DW. Por se virusi nuk duhet nënvlerësuar, sipas tij, tregon se ditët e fundit ka pasur më shumë vdekje të të rinjve, për të cilat autoritetet informuan se nuk kanë qenë të vaksinuar.

“Nuk ka garanci 100 për qind që të vaksinuarit nuk do të infektohen, por fakt është se imunizimi zvogëlon efektin shkatërrues të virusit dhe në një përqindje të madhe mbron nga vdekja”, tha Zekiri.

Përndryshe, dje në vendin tonë u regjistruan 906 raste të reja me Covid-19 nga 6006 testime të kryera, u shëruan 343, ndërsa 26 vdiqën. Numri i rasteve aktive në vend është 14,785.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button