Të rinjtë të arsimohen për punë të gjelbra, ka mungesë të stafit në të gjitha industritë në Maqedoninë e Veriut

Efikasiteti energjetik, burimet e rinovueshme të energjisë, ndërtimtaria, bujqësia, trajtimi i mbeturinave dhe ruajtja e burimeve janë vetëm disa nga fushat që viteve të fundit po krijojnë numër të madhe të vendeve të gjelbra të punës, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Koncepti i qëndrueshëm dhe ekonomia rrethore bëhen pjesë e pothuajse çdo aspekti të jetës së përditshme si për qytetarët ashtu edhe për bizneset. Ajo lidhet ngushtë me të ardhmen dhe mënyrën e edukimit të të rinjve. Ata që do të duhet të jenë bartësit kryesorë të luftës kundër ndryshimeve klimatike duhet të arsimohen, por edhe të trajnohen për të punuar në pozicionet e duhura për të ruajtur planetin dhe njerëzimin. Punët e gjelbra janë realitet dhe ardhmëri, kjo është arsyeja pse ky koncept duhet të zhvillohet me shpejtësi dhe të rinjtë duhet të marrin drejtimin e duhur për arsimin dhe punën që do të zgjedhin.

Në Maqedoninë e Veriut, termat ekonomia e gjelbër dhe punët e gjelbra ende nuk janë të njohura mirë dhe janë të pakuptueshme për publikun e gjerë. Kjo parandalon kuptimin e duhur të rëndësisë së tyre për zhvillimin ekonomik të vendit, i cili, nga ana tjetër, tashmë është i varfër në burimet natyrore dhe kërkon menaxhim shumë të kujdesshëm dhe të qëndrueshëm, tha Mila Jovanovska nga organizata mjedisore “Go Green”.

Ajo thekson se sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe institucioneve financiare botërore, vendi, pa krijuar kushte për zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, do të mbetet gjithnjë e më shumë prapa në tendencat moderne ekonomike dhe sociale.

“Punët e gjelbra janë punë të denja që kontribuojnë në barazinë sociale dhe ruajtjen, rinovimin dhe përmirësimin e mjedisit jetësor”. Ato kontribuojnë në përdorim efikas të burimeve, në zvogëlim dhe menaxhim të mbeturinave, në zvogëlimin e ndotjes së ajrit, në mbrojtjen dhe restaurimin e ekosistemeve, në zvogëlimin e emetimeve të gazrave serrë, në përshtatjen me efektet e ndryshimit të klimës, dhe për rritjen e efikasitetit energjetikës, e njëkohësisht  produktive, sigurojnë të ardhura solide për punonjësin, siguri në punë, mbrojtje sociale për familjet, zhvillim personal dhe integrim social, hapësirë ​​për shprehjen e lirë të shqetësimeve të tyre në punë, si dhe mundësi dhe trajtim të barabartë edhe të burrave edhe grave”, tha Jovanovska.

Raporti dyvjeçar mbi ndryshimet klimatike i botuar në vitin 2018 nga Ministria e Mjedisit Jetësor vendet e gjelbra të punës i shënon si masa “win-win-win”. Kohët e fundit, ato janë përmendur në kontributet përkatëse kombëtare të Maqedonisë së Veriut për Marrëveshjen e Parisit për Klimën, me të cilën vendi obligohet të zvogëlojë dyoksidin e karbonit për 30 përqind deri në vitin 2030. Në këtë dokument theksohet se nëse zbatohen masat për efikasitet energjetik në sektorin e ndërtesave dhe furnizimin me energji me karbon të ulët me burime të rinovueshme dhe gaz, atëherë deri në vitin 2030 në Maqedoni mund të priten rreth 6.000 vende pune të gjelbra.

Këto të dhëna, sipas Jovanovska, janë një përparim në drejtim të ndërgjegjësimit të disa institucioneve për rëndësinë e vendeve të punës të gjelbra në kushtet e mungesës së analizës dhe hulumtimit mbi reformat sistemore dhe masat që duhen të ndërmerren për të pasur një lëvizje substanciale të shoqërisë në drejtim i cili do të sigurojë një ekuilibër midis ekonomisë dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor. Gjithashtu, Raporti i dytë dyvjeçar për ndryshimet klimatike konfirmon gjetjet, duke konstatuar se 6.200 vende pune të gjelbra do të krijoheshin deri në vitin 2035, nga të cilat 4,000 janë në sektorët e efikasitetit energjetik dhe ndërtesave.

Sipas Kontributit të rishikuar kombëtar nga viti 2021, deri në vitin 2030 priten 8.000 vende pune, ndërsa 10.000 deri në vitin 2035, të cilat kryesisht do të kontribuojnë në politikat dhe masat e efikasitet energjetik, edhe atë 77 %. Këto janë rindërtimi i ndërtesave ekzistuese të banimit (42%), ndërtimi i shtëpive pasive (21%), energjia e rinovueshme pa stimuj (6%) dhe kolektorët termikë diellorë (8%).

“Nëse i ndjekim këto parashikime, rekomandimet për të rinjtë që duhet të zgjedhin profesion ose drejtim duhet të përqendrohen në studimin e energjetikës, energjisë së rinovueshme dhe ndërtimtarisë, sepse ata janë sektorët që duhet të përshtaten më së shumti dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e ndryshimeve klimatike. Duhet të rritet informimi i të rinjve për përfitimet e këtyre profesioneve, gjegjësisht ata të inkurajohen që të regjistrohen në shkolla të mesme profesionale në mënyrë që të jenë më të kualifikuar dhe të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në fakultet”, thekson Jovanovska.

Në të njëjtën kohë, vlerëson ajo, nxënësit duhet të motivohen që qysh në arsimin fillor të kuptojnë konceptin e ndryshimeve klimatike dhe ata vetë të kuptojnë se përmes profesionit të tyre mund të kontribuojnë në zbutjen e tyre dhe krijimin e një shoqërie të qëndrueshme. Për ta arritur këtë, nevojitet qasje e përgjithshme me strategji të mirë që do të mbulojë si procesin arsimor ashtu edhe tregun e punës.

Një nga industritë që me të shpejtë po krijon vende pune të gjelbra është ajo për burimet e rinovueshme të energjisë. Këtu, mungesa e stafit të kualifikuar po ndjehet një kohë të gjatë. Për këto arsye, shoqata “Solar Maqedonia”, e cila ka mbi 80 kompani anëtare në këtë industri, tashmë ka zhvilluar katër trajnime në të cilat qindra punëtorë kanë marrë diploma të certifikuara. Sidoqoftë, sipas kryetarit të shoqatës, profesorit Ilija Nasov, mungojnë të paktën edhe kaq.

“Në dy deri në tre vitet e fundit, Solar Maqedoni mori dy grante nga USAID për disa aktivitete, duke përfshirë organizimin e trajnimeve për kandidatët që duan të arsimohen për instalimin e kolektorëve diellorë, sistemet fotovoltaike dhe kolektorët më të fundit hibridë që prodhojnë energji elektrike dhe energji për ngrohje. UNDP gjithashtu ka punësuar Solar Maqedonia për të zhvilluar profesione për persona të rritur. Shoqata është e autorizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe Qendra për Arsimin e të Rriturve për të organizuar stërvitje dhe trajnime me diploma të certifikuara. Në tre vitet e fundit, kemi organizuar katër trajnime në disa tema, si teorike ashtu edhe praktike, me nga njëzet kandidatë, të cilët kanë marrë diploma të tilla ”, shpjegon Nasov.

Shoqata, në periudhën e kaluar, ka kryer trajnime për caktimin e përmasave të sistemeve diellore me softuerin më të fundit T sol, PV sol dhe Geosol, me të cilat u ngrit niveli i njohurive i pothuajse të gjithë projektuesve, instaluesve, projektuesve në nivelin më të lartë, sepse njohuritë e marra nga palët e interesuara i përmbajnë të gjitha të dhënat e nevojshme për përgatitjen e planeve të biznesit dhe marrjen e vendimeve për investime. Investimet më të mëdha në pesë vitet e ardhshme, thotë Nasov, të cilat do të bëhen nga Bashkimi Evropian, do të jenë në burimet e rinovueshme të energjisë, si një nga mënyrat më të mira për të zgjidhur gazrat serë, shkaku më i madh i ngrohjes globale. Investimet intensive në termocentralet diellore dhe burimet e tjera të energjisë së rinovueshme kanë filluar tashmë edhe në vendin tonë, të cilat do t’u mundësojnë punëtorëve të trajnuar që të gjejnë shpejt një angazhim pune në këtë industri të gjelbër.

“Ka një mungesë të stafit në këto profesione, ndoshta më shumë se njëqind punëtorë. Vendet e gjelbra të punës dhe energjia e gjelbër janë aktualisht angazhimet më tërheqëse gjatë punësimit, pasi përcaktimi i institucioneve botërore dhe evropiane se e ardhmja qëndron në një ekonomi të qëndrueshme të gjelbër është e qartë. Pothuajse të gjitha institucionet financiare, agjencitë, qeveritë…këmbëngulin në investimet e gjelbra sepse në këtë mënyrë ata zgjidhin jo vetëm ndotjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, por edhe angazhimet e marra ndaj OKB -së, BE -së dhe direktivat, protokollet dhe marrëveshjet. E ardhmja është në ekologji, kurse këto profesione dhe trajnime ndihmojnë të rinjtë të gjejnë vendin e tyre në industritë që sapo kanë filluar të zhvillohen”, thekson Nasov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button