Një fillim i ri

Shtatori sapo ka filluar e bashkë me të edhe viti i ri shkollor. Disa nga nxënësit po kthehen në shkollë pas një periudhe të gjatë mësimi onlajn. Prej më se një viti e gjysmë ata u sfiduan me vazhdimin e mësimit nga distanca, larg mësuesve, larg shokëve e shoqeve të tyre. Një vit e gjysmë humbje e socializimit për fëmijët dhe të rinjtë të cilët nuk do ta përjetojnë sërish këtë moshë që ikën shpejt, si vera që po kalon.

Pandemia Covid-19 e tronditi mënyrën e jetesës në gjithë botën me pasoja shumë të mëdha. Pasojat janë ende këtu, më të forta dhe më të dhmibshme se kurrë. E megjithatë, jeta duhet të vazhdojë, me gjithë rreziqet e reja, me gjithë sfidat me të cilat nuk jemi përballur më herët, as ne, e as fëmijët tanë.

Viti i ri shkollor do të jetë posaçërisht sfidues në kushtet e pandemisë. Por megjithatë, mësimi duhet të vazhdojë dhe është mirë që filloi në kohë dhe me prezencë fizike, të paktën për një numër të madh të nxënësve. Në kohën kur dasmat u realizuan pa pengesa e kafenetë mbeten plot, është absurde që shkollat të vazhdojnë të mbeten bosh edhe më tej.

Protokollet e mbajtjes së mësimit në kushte pandemie duhen respektuar me përpikshmëri të plotë, po qe se duam që fëmijët të mbeten në bankat shkollore më gjatë, pa u detyruar që sërish ta ndërpresin mësimin. Virusi nuk ka vdekur por është në mesin tonë, më i fuqishëm se kurrë. Por dallimi është se tani ka mjet të fuqishëm kundër tij dhe ky mjet quhet vaksinim. Po u vaksinuam në numër sa më të madh, fëmijët do të vazhdojnë të shkojnë në shkollë më gjatë dhe do të përfitojnë më gjatë nga mësimi me prezence fizike. Por po vazhduam ti besojmë teoritë konspirative e jo të vërtetat shkencore, atëherë fëmijët do e paguajnë çmimin e injorancës tone.

Arsimi dhe edukimi janë elementet që e zhvillojnë arsyen njerëzore dhe shkencën. Le t’ua mundësojmë fëmijëve tanë që të thithin sa më shumë njohuri të reja nga këto burime të pashtershme, le të mos i pengojmë në rrugën e tyre në bazë të frikës sonë të paarsyetuar dhe emocioneve tjera që na pengojnë shpesh të marrim vendime të arsyeshme. Fëmijët e vegjël ende nuk mund të vaksinohen kundër kësaj sëmundeje që e ndryshoi mënyrën e jetesës për të gjithë ne. Por adoleshentët dhe të rriturit mund të vaksinohen dhe të ndihmojnë që mjedisi ku jetojmë të jetë më mirë i mbrojtur.

Sigurimi i edukimit dhe arsimimit për fëmijët tanë është e drejtë e tyre themolre dhe obligim themelor për ne si prindër. Le të bëhemi të përgjegjshëm dhe t’i kryejmë obligimet tona që fëmijët tanë të mos kenë ngecje në zhvillimin e tyre intelektual. Këtë ua kemi borxh fëmijëve që me gëzim u nisën dje në shkollë, të përmalluar për shokët e shoqet e mësueset e tyre. Paçin një fillim të mbarë dhe vit të suksesshëm. Mos u shtertë kurrë etja e tyre për dituri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button