Arsovski: Gjithçka është gati për fillimin e regjistrimit

Zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski deklaroi sot se, gjithçka është gati për fillim të regjistrimit i cili duhet të fillojë të dielën më 5 shtator. Në konferencën e rregullt në Qeveri, Arsovski tha se në të gjitha komisionet e 50 rajoneve regjistruese kanë përfunduar trajnimet dhe instruktorëve dhe regjistruesve rajonal, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë këtyre ditëve deri të dielën, kur në orën 8 të mëngjesit regjistruesit do të dalin në terren, do të realizohen trajnime shtesë, por edhe turne në qarqet regjistruese me të cilat janë të ngarkuar regjistruesit. Deri të dielën, çdo regjistrues së bashku me instruktorin e tij rajonal do të bëjë edhe plan për lëvizje në rrethin regjistrues me qëllim që asnjë objekt, asnjë amvisëri të mos mbetet e papërfshirë. Jemi të sigurt si Qeveri se, qytetarët do t’i pranojnë regjistruesit me besim dhe do t’u japin të dhënat e nevojshme të cilat do të mundësojnë ardhmëri më të mirë për të gjithë ne dhe për vendin në tërësi”, deklaroi Arsovski.

Ndërkohë, Qeveria miratoi mbrëmë vendimin që obligon të gjitha ministritë dhe organet e administratës shtetërore të marrin në konsideratë mundësitë që për nevojat e regjistrimit të popullsisë t’i vënë në dispozicion të Entit Shtetërore të Statistikave të punësuarit e përkohshëm në këto institucione.

Fati i zbatimit të këtij procesi të rëndësishëm pritej të jetë prilli i këtij viti. Megjithatë, përmes pazareve politike, Zaev dhe Mickoski, pa konsultim edhe të partive shqiptare opozitare, vendosën që ta shtyjnë këtë proces dhe të zhvillohet nga 5 deri më 30 shtator. Partitë shqiptare nga ana tjetër, nuk ishin aspak faktor për shtyrjen ose mos-shtyrjen e këtij procesi. Zaevi, përmes një bisede telefonike e informoi Ahmetin për vendimin që kishin marrë me Mickovski, kurse kreu i BDI-së vetëm i shtoi “aminin”.

Por kësaj radhe, kryeministri Zoran Zaev në fjalimet e tij vazhdimisht ka thënë se regjistrimi i popullsisë nuk do të vonohet dhe se do të bëhet brenda afatit të caktuar prej 5 deri më 30 shtator.

Edhe drejtori i ESHS-së, Apostoll Simovski ka thënë se, opsioni për shtyrjen e sërishme të regjistrimit, i cili për shkak të pandemisë nuk u mbajtë në prill, tani për tani nuk ekziston.

Në regjistrimin e ardhshëm, i cili do të zhvillohet nga 5 deri më 30 shtator, mbi 5.500 regjistrues duhet t’i vizitojnë shtëpitë e qytetarëve. Për regjistrim nuk nevojitet pasaportë valide, por numër unik identifikimi. Nëpër shtëpi do të shkojë një regjistrues, përveç në zonat ku ka shumë bashkësi etnike. Regjistrimi do të zhvillohet në 7 gjuhë. Regjistruesit me vete do të marrin laptop, kurse qytetarët do të duhet t’u përgjigjen rreth 60 pyetjeve. Të dhënat e futura do të shkojnë menjëherë në bazën e të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave dhe do të kryqëzohen me bazat e të dhënave të tjera, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kadastrën, Agjencinë për Punësim, DAP-in, etj. Pyetësorët me të dhëna të rreme do të refuzohen automatikisht dhe do të shkojnë për verifikim shtesë. Kjo është paraparë me Metodologjinë e regjistrimit.

Për ata që do të refuzojnë të regjistrohen, ligji parashikon përgjegjësi kundërvajtëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button