VENDI I HARRUAR

Në vendin e harruar njerëzit pengohen nëpër gropa mitesh. Veset fshehen nën maska virtytesh. Aty ditët meskine, pa çaste veçantie, si zhgabonjë e mitit ta hanë mëlçinë. Gurin e rutinës ta ngarkojnë mbi shpinë.

Në vendin e harruar të njëjtën përrallë qindra herë ta rrëfejnë. Ta përsëritin të njëjtin slogan apo refren. Rrugët të kthejnë në vendin ku je nisur. Koha aty ka ngrirë si në orë të pakurdisur.

Në vendin e harruar verbërisht i besohet fjalës së të marrit. Marrëzia lartësohet përmbi majat e Sharrit.

Në vendin e harruar, që gulçon nga teoritë e komplotit, u jepet rëndësi gjërave të parëndësishme. Rrena e njëjtë paketohet në mënyra të ndryshme. Krimi me flamur mbulohet. Urrehet armiku i ri dhe i vjetri adhurohet.

Në vendin e harruar njerëzit njësoj qeshin e qajnë. Njësoj flasin dhe shajnë. Njësoj bekojnë dhe mallkojnë. Urrejnë shumë dhe bëjnë se dashurojnë.

Në vendin e harruar shije të humbjes kanë fitoret. Për profesionalizëm flasin amatorët. Për etikë flasin njerëzit me etiketa. Në rreth të mbyllur rrjedhin koha dhe jeta.

Në vendin e harruar edhe vonesa me vonesë vjen. Të renë shumëkush e urren. Kultivohen mashtrimet, gënjeshtrat, marrëzitë. Dhe çdo ditë aty është e njëjta ditë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button