Ministri Nuredini: problematika e mbeturinave nuk është vetëm në Tetovë, por në të gjithë shtetin

Keqmenaxhimi me mbeturinat është një nga problemet më të mëdha të qytetit të Tetovës ndër vite. Autoritetet ende nuk kanë gjetur një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe efikase për menaxhimin e mbeturinave. Mbeturina të shumta të grumbulluara në çdo cep të qytetit krijojnë mbi dhjetëra deponi të vogla në qytetin e Tetovës, madje në disa raste bllokojnë edhe trotuaret për kalimin e këmbësorëve. Gjendja ka qenë më kritike gjatë muajit të fundit kur edhe u shtua numri i qytetarëve me ardhjen e mërgimtarëve, dhe gjatë kësaj kohe autoritetet komunale refuzuan të përgjijgjen në pyetjet e Portalb.mk. Për këtë pyetëm ministrin e Mjedisit, se pse nuk intervenojnë për të ndihmuar Tetovën në këtë proces, Nuredini për Portalb.mk tha se ky është një problem i gjithë shtetit e jo vetëm i Tetovës, por kjo do të rregullohet në periudhën e ardhshme me funksionimin e deponisë Rusino.

Bazuar në faktin se Tetova është një ndër vendbanimet në të cilën është më e theksuar problematika me mbeturinat pyetëm ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredinin se pse ministria nuk intervenon për ta ndihmuar Tetovën në tejkalimin e kësaj problematike. Nuredini për Portalb.mk  tha se kjo është një problematikë në të gjithë shtetin dhe jo vetëm në Tetovë.

Gazetari i Portalb: Mirëpo në Tetovë është më e theksuar.

Nuredini: Tash ju shpjegoj edhe ajo ku është, nuk është vetëm Tetova. Të koncentrohemi te gjithë rajoni i Pollogut. Ne kur do të krijojmë zgjidhje për mbeturinat në shtetin tonë kemi plan rajonal, domethënë nëse jemi duke biseduar për Tetovën, është pjesa e Pollogut ku Rusino është tash për tash deponia e rajonit.

Ai shtoi se janë duke investuar bashkë me shtetin zviceran ku i janë falënderues programit SEKO për 1.9 milion frangat zvicerane.

“Rehabilitimi i deponisë është duke përfunduar tash edhe pak, fillimi janë shkallët e para ku rregullohet rruga, asfaltimi deri në deponi, peshorja do të vendoset atje dhe ujërat e zeza të mbyllen atje që mos e ndotin rajonin atje. Pastaj do të ketë një pranim dorëzim nga ndërmarrja e Komunës së Gostivarit në ndërmarrjen rajonale që është formuar, ato do të menaxhojnë deponinë dhe të gjithë nëntë komunat në rajonin e Pollogut do ti hedhin mbeturinat atje”, tha Nuredini.

Ministri tha se në të njëjtën kohë janë Kuvend në proces me gjashtë ligje të reja për zgjedhjen e problematikës së mbeturinave, ku do të përkrahim selektimin e mbeturinave që mos të përfundojnë në deponi të ndryshme në shtetin tonë.

“Me këtë zgjidhje edhe Tetova do të pjesë e asaj zgjidhjes. Në të njëjtën kohë kemi përkrahje shtesë nga shteti zviceran, kemi edhe një grant tjetër gjashtë milion franga na ofrojnë ata për zhvillimin e sistemit të menaxhimit rajonal. Plus jemi në procesin të marrim një huazim të ri nga BERZH-i 55 milion euro, presim edhe ata të na konfirmojnë atë huazim nga të cilat 17,8 besoj do të investohen në rajonin e Pollogut për rehabilitimin e deponisë Rusino, kamiona të rinj, transfostaciona në komuna të ndryshme dhe kontejnerë për çdo komunë. Kjo është në proces, normalisht nuk ndodh sot nga nesër por në kohën e ardhshme do ta rregullojmë”, tha Nuredini.

Mbeturinat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten një ndër problemet kryesore për qytetin e Tetovës për shumë vite me radhë. Përgjegjës për menaxhimin e këtyre mbeturinave është Ndërmarrja Publike Komunale (NPK), e cila ndër vite akoma nuk ka gjetur një zgjidhje për këtë problem. Duke pasur parasysh se mbeturinat në koshat e plehrave nuk mblidhen mjaftueshëm dhe orari i mbledhjes së tyre nuk është i mjaftueshëm, dhe përderisa autoritetet kompetente nuk janë serioze dhe të gjejnë një zgjidhje më efikase për këtë problem, qytetarët po vazhdojnë të ngulfaten në erë të keqe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button