Shqipëria e treta, Kosova e katërta për largim masiv të fëmijëve në Evropë

Shqipëria renditet e dyta sa u përket aplikimeve për azil në vendet e BE-së në raport me popullsinë, duke lënë pas vetëm Sirinë, ndërsa e treta për numrin e fëmijëve që aplikuan për azil në vitin 2020, me më shumë se 2 mijë raste. Kosova renditet e katërta pas Shqipërisë, Turqisë e Rusisë për largim masiv të fëmijëve, që marrin leje qëndrimi për arsye familjare në një nga shtetet e BE-së, raporton Koha.net.

Shqipëria renditet e dyta sa u përket aplikimeve për azil në vendet e BE-së në raport me popullsinë, duke lënë pas vetëm Sirinë. Ndërkohë që ky vend është bërë mikpritës i refugjatëve afganë, ku deri tani kanë mbërritur 607 afganë, ndërkohë që pritet të strehohen edhe 3400 të tjerë, ku do të qëndrojnë në këtë vend për një periudhë siç thuhet 1-vjeçare.Pavarësisht se afganët po vijnë në Shqipëri, shqiptarët duket se nuk kanë hequr dorë nga dëshira për t’u larguar nga vendi as në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, pavarësisht se numri i të larguarve ka pësuar rënie të lehtë për shkak të pandemisë.

Sipas të dhënave të Zyrës Evropiane të Azilantëve nga janari në qershor të këtij viti, numri i aplikimeve nga shtetasit shqiptarë kaloi më shumë se 2919 persona, ndërkohë që vetëm 63 persona arritën të marrin statusin e refugjatit. Prej tyre 1978 janë aplikime për herë të parë, ndërsa pjesa tjetër, raste të përsëritura. Franca vijon të mbetet shteti më i preferuar i shqiptarëve për të kërkuar azil, ku janë kryer rreth 2 mijë aplikime ose 39% e totalit.

Pavarësisht kërkesave për azil nga aplikuesit shqiptarë, refuzimet vijojnë të jenë të larta, pasi në muajt janar-qershor janë kthyer 3 mijë përgjigje negative, ndërkohë që vetëm 63 persona kanë arritur të sigurojnë statusin e refugjatit.

Një tjetër statistikë shqetësuese, sipas Zyrës Evropiane të Azilantëve, ka të bëjë me 19 mijë e 539 aplikime të mbetura ende pa u shqyrtuar dhe pa asnjë përgjigje nga vendet përkatëse.

Gjatë vitit 2020, Eurostat ka raportuar më herët se ka pasur mbi 5 mijë kërkesa për azil për herë të parë nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Zvicër. Numri më i ulët rezulton në muajt mars dhe prill që përkon me kohën kur Shqipëria ishte në karantinë, por fluksi njohu rritje prej qershorit dhe në vazhdim.

Ndërkohë i lartë mbetet edhe numri i fëmijëve që aplikuan për azil në vitin 2020, me më shumë se 2 mijë raste. Me këto shifra Shqipëria pozicionohet e treta duke lënë pas vetëm Turqinë dhe Rusinë, të cilat kanë një popullsi shumë më të lartë se Shqipëria.

Ndërkohë që edhe Kosova renditet e katërta pas Rusisë për largim masiv të fëmijëve, që marrin leje qëndrimi për arsye familjare në një nga shtetet e BE-së. Kështu që, dy shtetet shqiptare, Shqipëria e Kosova, janë pjesë e kuartetit të shteteve për dhënien e lejes së qëndrimit për fëmijët nën 15 vjeç, në një nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Sipas shifrave të EUROSTAT-it, në vend të parë në Evropë është Ukraina, me 21% , Shqipëria me 19 %, e treta Rusia me 12% dhe e katërta Kosova me 10%. 12200 fëmijë nga Shqipëria dhe 6400 fëmijë nga Kosova janë një tregues tronditës për çdo shtet, por sidomos për dy shtetet shqipfolëse dhe të vogla të të njëjtit komb. Ky erozion rrezikon të krijojë një vakum që do të sjellë jo pak pasoja për të dy vendet.

Mungesa e besimit, keqqeverisja, korrupsioni, cilësia e arsimit, mosrespektimi i meritës, sistemi shëndetësor, janë disa nga arsyet që i detyrojnë të rinjtë, profesionistët e ardhshëm, kolonën kryesore të zhvillimit, që ta braktisin vendin.

Shqipëria po plaket me ritme të frikshme, pasi pjesa më e re dhe vitale e shoqërisë po kërkon gjithnjë e më shumë mundësi për t’u larguar e për të gjetur një shans për ndërtimin e jetës dhe të ardhmes në Evropë.

Por rezultatit e fundit të EUROSTAT-it tregojnë se edhe Kosova po vazhdon të njëjtën rrugë si bashkëkombësit e saj. Nga 64 mijë leje qëndrimi për herë të parë, për arsye familjare për fëmijët nën 15 vjeç, që kanë dhënë vendet e Bashkimit Evropian për shtetet e Evropës që nuk janë pjesë e BE-së, 19% e tyre, ose rreth 12.2 mijë ishin për shtetasit shqiptarë, ndërsa 10% e tyre, ose 6400 persona janë nga Kosova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button