Kjo pritet të jetë temë e rëndësishme në takimin e presidentit Biden me Zelensky

Udhëheqësi i Ukrainës po udhëton për në Shtetet e Bashkuara me shpresën për të forcuar marrëdhëniet në fushën e sigurisë me Uashingtonin dhe për të bindur administratën Biden të shtojë sanksionet kundër entiteteve të përfshira në ndërtimin e një gazsjellësi të ri rus që anashkalon vendin e tij. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, e ka quajtur gabim të rëndë politik dështimin e Uashingtonit për të bllokuar ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2” në Gjermani dhe pritet ta ngrejë përsëri këtë çështje gjatë bisedimeve të tij të mërkurën me Presidentin amerikan Joe Biden, raporton VOA.

Zoti Zelenskyy e ka cilësuar gazsjellësin e ri si një armë të fuqishme gjeopolitike për Rusinë, e cila në vitin 2014 aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka mbështetur një kryengritjeje separatiste në lindje të Ukrainës.

Uashingtoni ka kundërshtuar me forcë ndërtimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, por administrata e Presidentit Biden vendosi të mos ndëshkojë kompaninë gjermane që mbikëqyr projektin, ndërsa njoftoi sanksione të reja kundër kompanive dhe anijeve ruse.

Presidenti Zelenskyy ka paralajmëruar se “Nord Stream 2” do të shënonte një fitore të madhe për Moskën dhe një “humbje personale” për Presidentin Biden.

Komentet jodiplomatike pasqyruan frikën e Ukrainës se ajo do të humbiste mundësinë e përfitimit të rreth 3 miliardë dollarëve në formë tarifash vjetore nga tranziti i gazit rus drejt Evropës, duke e dobësuar rëndësinë e saj strategjike dhe duke e bërë Kievin më të pambrojtur nga presioni i Kremlinit.

“Gazsjellësi është një kërcënim i sigurisë për Ukrainën, sepse nëse nuk ka tranzit fizik të gazit përmes Ukrainës, kjo rrit mundësinë e një lufte në shkallë të gjërë midis Rusisë dhe Ukrainës. Kjo nuk është në interes të Ukrainës, Evropës, dhe Shteteve të Bashkuara. Prandaj, ne duam që partnerët tanë amerikanë ta shohin gazjesllësin “Nord Stream 2” si një kërcënim të sigurisë për Ukrainën dhe botën”, thotë Yuriy Vitrenko, kreu i kompanisë Naftogaz të kontrolluar nga Ukraina.

Kievi u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë të shtojnë presionin ndaj Moskës për të zgjatur kontratën aktuale për tranzitin e gazit rus përmes Ukrainës që skadon në vitin 2024.

Presidenti rus Vladimir Putin ka dhënë shenja për mundësinë e një zgjatjeje të kontratës aktuale, por ai ka theksuar se kjo do të varet nga kërkesat evropiane për gazin rus.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba shprehu shpresën se bisedimet midis Presidentëve Biden dhe Zelenskyy do të ndihmojnë në forcimin e partneritetit strategjik midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.

Ai theksoi se shtytja e Ukrainës për një ndihmë më të fortë amerikane në fushën e sigurisë do të jetë temë qendrore në takimin Biden-Zelenskyy.

Një marrëveshje paqeje e vitit 2015, e ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania, ndihmoi në përfundimin e luftimeve në shkallë të gjerë në Ukrainën lindore. Megjithatë, ka patur përleshje të vazhdueshme mes të dyja palëve dhe përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje politike kanë ngecur.

Më shumë se 14,000 njerëz janë vrarë në luftime që nga viti 2014.

Në fillim të këtij viti, rritja e shkeljeve të armëpushimit në lindje dhe grumbullimi i trupave të shumta ruse pranë Ukrainës nxiti frikën e Kievit dhe të Perëndimit për një rifillim të konfliktit.

Në manovrat masive ushtarake të muajit të ardhshëm të Rusisë dhe Bjellorusisë, që do të zhvillohen në Rusinë perëndimore, do të angazhohen 200,000 trupa dhe ato pritet të shkaktojnë shqetësime të reja.

Në mes të mundësisë së një lufte me Moskën, Ukraina ka intensifikuar përpjekjet për t’u bërë anëtare e NATO-s.

“Ne vazhdojmë të këmbëngulim në rëndësinë e hapjes së dyerve të NATO-s për Ukrainën”, tha ministri i jashtëm ukrainas Kuleba.

Megjithatë, analistët janë skeptikë në lidhje me aftësinë e Ukrainës për të siguruar një udhërrëfyes specifik të anëtarësimit në NATO për shkak të konfliktit në lindje të vendit dhe tensioneve të vazhdueshme me Rusinë.

“Shtetet e Bashkuara e kuptojnë që partnerët e tyre evropianë janë kundër dhënies së një plani konkret anëtarësimi Ukrainës sepse kanë frikë nga një konflikt me Rusinë. Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të forcojë partneritetin e tyre me Evropën dhe Gjermaninë në veçanti, kështu që Uashingtoni duhet të marrë parasysh pozicionin e partnerëve të saj evropianë”, thotë Volodymyr Fesenko, kreu i Qendrës Penta.

Ai vuri në dukje se vizita e Presidentit ukrainas në Uashington nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat të madh.

“Nuk do të ketë përparime të mëdha, por vendosja e bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara në një bazë sistematike ligjore sigurisht që do të ishte një rezultat i madh”, tha zoti Fesenko.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button