Pakistani thotë se ka vrarë 11 militantë të Shtetit Islamik

Njëmbëdhjetë militantë të grupit terrorist Shteti Islamik (IS) janë vrarë pasi njësitet kundër terrorizmit të Pakistanit bastisën një vendstrehim të militantëve në provincën jugperëndimore të Baluçistanit.

Njoftimi u bë nga ana e policisë pakistaneze, raporton AP.

Informacionet për lokacionin ku gjendeshin militantët, ishin siguruar nga organet e inteligjencës. Në këtë rajon militantët e IS-it kishin vrarë kohët e fundit dy policë, transmeton REL.

Policia tha se në këtë bastisje u konfiskuan rripa që përdoren për sulme vetëvrasëse, granata dore dhe pushkë.

Departamenti kundër terrorizmit nuk dha detaje për kombësinë e militantëve të vrarë.

Policia kundër terrorizmit është një degë e veçantë e policisë pakistaneze që lufton grupet militante.

Kueta është kryeqyteti i provincës Baluçistan ku grupi IS ka kryer disa sulme në vitet e fundit. Grupi terrorist IS ka degë rajonale si në Pakistan ashtu edhe në Afganistanin fqinj.

Baluçistani, që gjendet në kufi me Afganistanin dhe Iranin, është shtëpi e militantëve sektarë, të separatistëve dhe grupeve të huaja militante, përfshirë edhe talibanët afganë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button