Tetovë, rritet tendenca e fëmijëve të rrahin prindërit!

Kohëve të fundit në rajonin e Pollogut është shpeshtuar dukuria negative e dhunës në familje. Ajo që mbase është më e pazakontë mbetet fakti që janë shtuar rastet kur kemi dhunë të fëmijëve ndaj prindërve. 

Këtë për Portalb e ka konfirmuar kryetarja e shoqatës ‘Forumi i gruas në Tetovë’, Xhane Kreshova e cila një kohë të gjatë është duke punuar në projektin kundër dhunës në familje.

“Kohëve të fundit janë shtuar rastet kur fëmijët ushtrojnë dhunë ndaj prindërve dhe kjo është duke ndodhur për shumë arsye. Një nga arsyet kryesore është gjendje e keqe ekonomike. Posaçërisht e atyre që janë martuar, kanë krijuar familje dhe nuk  punojnë. Ata mundohen që me dhunë të marrin të hollat apo pasurinë e prindërve të tyre që ta shesin për të përfituar të holla. Ne kemi hasur disa raste dhe të njëjtat  i paraqesim në policinë  e Tetovës” shpjegon Kreshova për Portalb.

Ajo thotë se shoqata e tyre ka mundësi të sigurojë padi për dhunuesin.

“Zakonisht këto raste zgjidhen me largim të përkohshëm të fëmijës nga shtëpia apo dënim me kusht nga ana e gjykatës. Kemi pasur kështu raste dhe për fat të mirë më nuk është përsëritur dhuna” thekson Kreshova.

Rastet e dhunës vijnë nga i gjithë rajoni.

“Kemi evidentuar disa raste në komunën e Tetovës, në komunën e Jegunovcës, Bërvenicës, Bogovinës dhe të njëjtat i kemi zgjedhur duke  i paditur ose duke marrë masa ndëshkuese për fëmijët dhunues” thotë kryetarja e “Forumi i gruas”.

Në Tetovë nuk ka shtëpi për përkujdesjen e pleqve.

“Kemi kërkuar nga Qeveria por ajo nuk ka pasur interes për hapjen e një shtëpie të këtillë edhe  pse kemi bërë kërkesë disa herë madje pas rasteve të dhunës familjare” përfundon Kreshova.

Ajo çfarë është karakteristike për rajonin e Tetovës është se prindërit pasurinë e tyre e mbajnë në emër të tyre deri në vdekje dhe fëmijët në shumicën e rasteve ushtrojnë dhunë ndaj tyre sepse nuk mund ta posedojnë pasurinë e tyre. /Portalb   

Lajme të ngjashme

Back to top button