Grubi: Opozita shqiptare ishte autore e “Shkupi 2014”, shpresoj që votuesit e Aleancës me tërë entuziazmin do ta votojnë Gruevskin

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në lidhje me koalicionin parazgjedhor mes Aleancës për Shqiptarët, Alternativës dhe VMRO-DPMNE-së theksoi se në reagimet e para në rrjetet sociale përkrahësit e partie në fjalë nuk janë shumë entuziastë dhe shumë të lumtur për arritjen e, siç thotë ai, Koalicionit 27, duke aluduar në 27 Prillin, kur në po këtë datë të vitit 2017-të, përkrahësit e VMRO-DPMNE-së sulmuan dhunshëm Kuvendit dhe rrahën deputetë e gazetarë, në mesin e të cilëve ndër më rëndë të lënduarit ishte kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, njofton Portalb.mk.

“Kjo është kështu pasi që u arrit më 27-tin e këtij muaji dhe ngjan në një tjetër ngjarje të palavdishme të 27-tës në historinë mes dy partive politike. U dëshiroj shumë suksese dhe shpresoj se votuesit e Aleancës me tërë entuziazmin do të votojnë për Nikolla Gruevskin, në fakt për Hristijan Mickoskin. Gjithashtu votuesit e VMRO-DPMNE-së me tërë entuziazmin dhe tërë zemrën për Ziadin Selën në të gjitha komunat ku garojnë”, tha Grubi.

Ai shtoi se pret që ta publikojnë marrëveshjen dhe t’i shohë reagimet e votuesve të tyre.

“Më vjen keq që nuk përkrahën që të mos ketë anë të majtë dhe të djathtë të Vardarit, të zhvillohet si një Shkup, por u rreshtuan pas Shkupi 2014-të. Në fakt edhe opozita e sotme shqiptare ishte autore e Shkupi 2014-të në vitin 2007-të në koalicionin me VMRO-DPMNE, kështu që kjo është vazhdimësi e tërë romancës së projekteve monoetnike”, tha Grubi.

Ndryshe, kryetarët e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe kryetari i Alternativës, Afrim Gashi më 27 gusht u takuan me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski dhe vendosën për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke të kandidatëve për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021.

Bashkëpunimi do të thotë që partitë e përmendura nuk do të kandidojnë për kryetar komune në komuna të caktuara dhe do të mbështesin njëra-tjetrën, ndërsa në komunat e tjera do të konkurrojnë me të gjitha partitë e tjera, kumtojnë nga Aleanca-AAA.

Mënyra dhe detajet e bashkëpunimit do të bien dakord nga degët komunale të tre palëve.

Zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button