Uragani Ida ka lënë pa rrymë mbi 1 milion amerikanë

Ekipet e shpëtimit shpëtuan qindra njerëz nga përmbytjet pasi Uragani Ida goditi Luizianën në SHBA. Uragani u kategorizua në shkallën katër të fuqisë pasi erërat arritën deri në 240 kilometra në orë.

Shumë çati të shtëpive u shkatërruan dhe linjat e energjisë elektrike u prishën. Të hënën (30 gusht) në mbrëmje stuhia kishte një fuqi më të ulët. Tani parashikohet të bjerë shi i rrëmbyeshëm dhe të shkaktojë përmbytje të shpejta, transmeton REL.

Rreth 1 milion shtëpi në Luiziana, përfshirë Nju Orleans, mbeten pa energji elektrike. Dëmi është aq i madh sa kompania energjetike Entergy paralajmëroi se mund të kalojnë javë para se rrjeti i energjisë të riparohet.

Të paktën dy persona humbën jetën në Luiziana dhe ekipet e emergjencës presin që numri të rritet, tha guvernatori John Bel Edwards për mediat.

“Ne do të punojmë shumë çdo ditë për të ofruar ndihmë”, tha ai.

Presidenti Joe Biden deklaroi një katastrofë të madhe në shtet, duke urdhëruar ndihmë federale për të forcuar përpjekjet e rimëkëmbjes. Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) dërgoi 3,600 punëtorë të saj dhe ushqime në zonën e shkatërruar nga stuhia, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Uragani Ida goditi rajonin 16 vjet pasi stuhia Katrina shkatërroi qytetin dhe ishte shkaktare e mbi 1,800 vdekjeve.

Analistët vlerësuan se humbjet për industrinë e sigurimeve do të arrijnë në 10 miliardë dollarë, shumë më pak se 90 miliardë dollarë nga Katrina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button