Orendi shtëpiake në Lumin Shkumbin, Komuna e Tetovës ende pa veprim konkret (VIDEO)

Shtrati i Lumit Shkumbin në Tetovë është i mbushur me mbeturina. Qytetarët e pandërgjegjshëm, pos mbeturinave të amvisërive kanë hedhur edhe mbeturina ndërtimore, orendi shtëpiake e çka jo. Pavarësisht premtimeve të autoriteteve lokale, lumi vazhdon të jetë i mbushur me mbeturina, ndërkaq banorët e Lagjes “Dardania” frikësohen që të mos përsëriten vërshimet e vitit 2015-të për shkak se nuk janë rregulluar pjesët anësore të shtratit të lumit, shkruan Portalb.mk.

Rregullimi i shtratit të Lumit Shkumbin është një prej premtimeve të parealizuara të kryetares aktuale të Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, të cilës i përfundon mandati edhe një muaj e gjysmë. E pyetur për mosrealizimin e premtimit, në një intervistë për Klan MaqedoniArifi  në muajin qershor tha se do të fillojë të punohet këtë verë. E pyetur se përse kaq vonë, pra në fund të mandatit të saj, Arifi theksoi se procedurat për të punuar dhe buxhetuar një projekt janë të gjata.

“Kemi projekt të vlerës mbi 40 milion denarë për rregullimin e shtratit të lumit nga zona mbi Çarshinë e Epërme deri te zona e lagjes “Dardania”, ku nuk ka fare shtrat. Kjo është në radhë për t’u nënshkruar me TAV pas dy javësh dhe është diçka që do të fillojë të punohet këtë verë.” tha Arifi me 21 qershor.

Megjithatë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut me 6 korrik 2021 ka miratuar projektet dhe ka përgatitur marrëveshjet për realizimin e tyre nga programi TAV, por shtrati i Lumit Shkumbin në momentin që flasim nuk është prekur dhe nuk është marrë asnjë veprim konkret, madje gjendja është rrënduar ende më shumë.

E pyetur para katër ditëve se pse ende nuk kanë filluar punimet për këtë premtim, kryetarja e Komunës së Tetovës tha se ky projekt do të fillojë të realizohet shumë shpejt.

“Ajo është po ashtu një projekt që mendojmë të fillojmë së shpejti, në të njëjtën mënyrë do t’ju thërrasim edhe do ta startojmë”, tha Tetuta Arifi në një konferencë për shtyp.

Gjendja në Lumin Shkumbin, që nga hera e fundit që Portalb.mk raportoi për këtë problem është rënduar ende më shumë, ku në lum mund të shihen lloj lloj mbeturinash, e ndër to edhe mobilje të zhytura nën ujë.

Gjendja në të cilën kamera e Portalb.mk e gjeti Lumin Shkumbin është e mjerueshme, këtë më së miri e vërtetojnë pamjet e më poshtme:

Mosrregullimi i pjesëve anësore të lumit “Shkumbin” si dhe mos-pastrimi i shtratit të tij në mënyrë të rregullt, shqetëson banorët e lagjes “Dardania”. Problemi me vite ka mbetur i pazgjidhur.

Jusuf Mustafai, banor i Lagjes Dardania tha se gjatë kësaj periudhe të verës asgjë nuk është ndërmarrë për sa i takon shtratit të lumit.

“Që nga raportimi i juaj i fundit për gjendjen e Lumit Shkumbin në rrjedhjen e poshtme të tij në dalje të qytetit, ankesave të banorëve si dhe kërkesave drejtuar organeve kompetente komunale, edhe përpos faktit se Qeveria e RMV-së ka ndarë buxhet (nga dividenda e TAV-it) enkas të dedikuara për rregullimin e shtratit të Lumit Shkumbin në këtë pjesë të rrjedhjes së tij dhe premtimit të kryetares së komunës për fillimin e punimeve, deri sot ende asgjë konkrete nuk është ndërmarrë”, tha Jusuf Mustafai.

Banorët apelojnë që kjo sa më shpejtë të zgjidhet, sipas tyre me ardhjen e vjeshtës priten edhe reshje të shiut që rritin nivelin e ujit të lumit e kjo paraqet rrezik potencial për daljen e ujit nga shtrati i lumit dhe vërshime të mundshme si në vitin 2015.

Por, Komuna e Tetovës i fajëson banorët për ndotjen e lumit. Në pyetjen e Portalb drejtuar Komunës se pse nuk pastrohet shtrati i lumit rregullisht duke e pasur parasysh qe rimbushet shpejtë si dhe pse nuk pastrohet ana anësore të lumit, nga Komuna thanë se ata e pastrojnë lumin, por banorët e papërgjegjshëm e ndotin.

“Çdo vit ka procedurë të prokurimit publik ku destinohen mjete për pastrimin e shtratit të lumit. Megjithatë banorët e kanë parasysh që ndotja e lumit nuk vjen nga autoritetet komunale, por nga banore të papërgjegjshëm që materialet inerte, ndërtimore i hedhin në atë pjesë të shtratit të lumit.” u përgjigj Komuna e Tetovës.

Sa i përket rregullimit anësor të lumit me mure si te pjesa e spitalit, Komuna nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Rikujtojmë se Komuna e Tetovës dy herë ka ndarë mjete për pastrimin e shtratit të lumit.

Në dhjetor Komuna e Tetovës pagoi 32 mijë euro për pastrimin e shtratit të lumit. Edhe pse nga Komuna e Tetovës thanë se kishte përfunduar pastrimi, kamera e gazetarit të Portalb.mk dhe banorët dëshmuan të kundërtën. Më pas, Komuna e Tetovës në muajin mars përsëri nënshkroi një kontratë ne vlerë prej 32 mijë eurosh me kompaninë “Euro Invest-ing” për pastrimin e shtretërve të lumenjve në Tetovë me rrethinë.

Pavarësisht që Portalb vazhdimisht shkruan për këtë çështje, Komuna e Tetovës dhe Inspektorati Ekologjik ende nuk kanë dalë me një strategji për këtë problem. Portalb.mk me vite ka shkruar për fenomenin e mosgjetjes së autorëve të hedhjes dhe djegies së mbeturinave në Tetovë. Qytetarët denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në uebfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button