Strugë, u premtua por nuk u ndërruan gypat e azbestit në të gjithë qytetin

Në Strugë nuk është bërë ndërrimi i tubacionit të ujësjellësit në të gjithë qytetin, edhe pse ishte një ndër premtimet më të rëndësishme elektorale të kryetarit aktual të Komunës së Strugës, Ramiz Merko. Punimet për ndërrimin e gypave të vjetër filluan dy vite më parë dhe deri më sot është ndërruar vetëm një pjesë e gypave ndërkohë qytetarët vazhdojnë të kenë probleme me furnizimin e ujit, shkruan Portalb.mk
Në programin zgjedhor “Për Komunën që Duam”(faqe15), Ramiz Merko i premton elektoratit se do të bëjë: Ndërrimin e tubacionit të ujësjellësit në të gjithë qytetin.
Ramiz Merko zotohet se do e mbajë këtë premtim edhe gjatë një interviste nga Portalb.mk në vitin 2018 ku ai thotë se janë duke përgatitur dokumentacionin teknik për sigurimin e fondeve të nevojshme për ndërrimin e gypave të azbestit. Merko thekson se planifikohet të gërmohet në lokacionet aktuale ku anë të vendosura gypat e azbestit dhe të njëjtat të zëvendësohen me sistem të ri.
“Që ditën e parë që kemi ardhur në këtë mandatat jemi interesuar që të gjejmë mjete, qoftë nga pushteti qendror qoftë nga fondacione dhe sigurisht edhe me mjete vetanake që të gjitha gypat e azbestit që ekzistojnë në qytet si  sistem i vjetër, të munden të ndërrohen. Unë mendojë se kësaj pune po i hyjmë shumë seriozisht sepse edhe gypat aktual që janë të azbestit janë të vegjël për të furnizuar një rrjet më të madh, në fakt familje apo ndërtesa, e kështu me radhë të cilat janë shtuar kohëve të fundit”, deklaroi Ramiz Merko para kamerës së “Portalbit dhe Vërtetmatësi.mk. (min 9.45)
Fillimi i projektit për ndërrimin e gypave të azbestit nga Komuna e Strugës e njoftuan dy vite më parë ku mes tjerash u theksua se Merko do të ndërrojë të gjitha gypat e vjetër në qytet.
“Ramis Merko ndërron të gjithë gypat e azbestit në Strugë që nuk janë prekur për 40 vitet e fundit. Sot Kryetari i Komunës së Strugës, z. Ramis Merko e inaugurojë fillimin e fazës të njërit nga projektet më të rëndësishme në qytetin e Strugës për heqjen e gypave të Azbestit nëpër të gjithë territorin e Komunës së Strugës dhe zëvendësimin e tyre me gypa të rinj PVC dhe me kapacitet të dyfishtë nga të vjetrit, gypa që nuk janë prekur për 40 vitet e fundit. Faza që do të fillojë sot do ta përfshijë segmentin në rrugën Partizanska duke filluar nga rrethrrotullimi tek ish stacioni i autobusëve dhe duke përfunduar tek rrethrrotullimi tek plazhi i grave”, njoftuan nga Komuna e Strugës më 5 shkurt të vitit 2019.
Në faqen e Komunës së Strugës në “facebook” ku promovohet çdo projekt dhe aktivitet i kreut të Komunës nuk figuron asnjë njoftim tjetër që ka të bëjë me gypat e azbestit.
Në prag të përfundimit të mandatit katër vjeçar të Ramiz Merkos, raportohet se në Strugë janë ndërruar vetëm një pjesë e tubacionit të ujësjellësit në qytet. Më konkretisht është ndërruar gypi i azbestit me gjatësi prej 3 km në rrugën Partizanska, e cila nga Komuna u njoftua se ishte faza e parë e projektit të ndryshimit të gypave të vjetër. Sipas të dhënave që Portalb.mk siguroi nga NP Ujësjellësit dhe Kanalizimeve Strugë, në këtë qytetet gypat e vjetër janë ndërruar edhe në katër rrugë tjera.
“Projekti për ndërrimin e gypave të azbestit, i cili filloi ne vitin 2019 ka përfunduar. Në pjesët kryesore të qytetit siç janë: rruga ”Risto Krle”, “Kongresi i Manastirit”, “Partizanska”, “Globoçica”, janë kryer punime për ndërrimin e gypave te azbestit, ndërsa në rrugën “JNA” është ndërtuar linjë e re”, u përgjigjen për redaksinë tonë nga  NP Ujësjellësit dhe Kanalizimeve Strugë.
Megjithatë, vera e vitit 2021 shumë familje strugane i gjeti përsëri me probleme në furnizimin me ujë të pijshëm. Se sa ujë do të rrjedh në një banesë përcaktohet nga kati që është vendosur banesa, sa më lartë të jetë aq më shumë bie shtypja e ujit dhe mundësia për të pasur ujë në shtëpi. Revoltën për mungesën e ujit në banesat e tyre qytetarët e Strugës e shprehën edhe gjatë një ankete të realizuar nga ekipi jonë disa ditë më parë.
Problemin me sistemin e ujësjellësit struganët e vuajnë me vite të tëra. 70% e gypave të rrjetit të ujësjellësit të Strugës, sidomos në pjesën e vjetër të qytetit, janë prej azbestit. Ky rrjet është ndërtuar para pothuajse gjashtë dekadave. Për shkak të vjetërsisë shfaqen defekte të shpeshta në sistem. Nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi i Strugës” thonë se mirëmbajtja e gypave të azbestit është punë e shtrenjtë dhe e vështirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button