Fundamentalizmat modernë: fetar dhe sekular (II)

Pikëpamja fundamentaliste islamin e përkufizon si „fe dhe shtet“ dhe të gjitha përpjekjet i orienton drejt krijimit të një rendi të tillë. Sipas sociologes Erkilet, lëvizjet islame më mirë i mbulon sintagma „lëvizje radikale islame“ sesa nocioni fundamentalizëm islamik. Ndonëse duken familjarë, ekziston nëj dallim i dukshëm mes fundamentalizmit dhe konservatorizmit. Konservatorët janë më modestë, më të matur, kurse fundamentalistët kanë ide më të skajshme, më ekstreme, janë më të prerë në qëndrimet e veta. Konservatorët janë statuskuoistë, kurse fundamentalistët revolucionarë; të parët elitistë, kurse të dytët më egalitarianë, barazimtarë.

Tema e fundamentalizmit islamik ka filluar të tërheqë vëmendjen në Perëndim dhe globalisht pas Revolucionit Iranian 1978-79 dhe në veçanti pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Kullat Binjake dhe Pentagon, kur në mënyrë marramendëse nisi të përhapet edhe klisheja e ndërlidhjes së fesë islame me terrorizmin, gjë që kulmin arriti me shfaqjen e ISIS-it në Irak dhe Siri. Dhe sot kjo qasje, sintagma “terrorizmi islamik”, ndërkohë termi terrorizëm s’ndërlidhet me asnjë fe tjetër pos islamit paçka se edhe pjesëtarë të efve të tjera bëjnë akte të dhunshme, ka prodhuar një islamofobi ekstreme që shqetëson çdo besimtar të mirëfilltë në përgjithësi dhe myslimanët në veçanti. Po, është e vërtetë, si gjithë besimtarët e tjerë, edhe besimtarët myslimanë iu referohen themeleve (lat. fundare, fundamentum). Në parim, çdo mysliman synon që ta zbatojë Kur’anin dhe sunnetin (traditën profetike), por është e pakuptimtë që të gjithë myslimanët un bloc të quhen fundamentalistë në kuptimin pezhorativ që i afrohet radikalizmit dhe përtej, të etiketohen si agresivë, anakronikë etj. Vetë natyra e fesë në përgjithësi kërkon referimin burimeve parake. Problemi lind nëse mohohet konteksti, nëse refuzohet ndryshimi social që është i vetmi ligj i pandryshueshëm dhe nëse shprehen ndjenja të ekskluzivizmit dhe dhunës ndaj tjetrit, ndaj pjesëtarëve të feve të tjera.

Ekziston edhe një term antipod i domethënies së mirënjohur të këtij termi të trajtuar në këtë shkrim: fundamentalizmi sekular, që nënkupton një ideologji antifetare që tallet, përçmon dhe satirizon idenë e Zotit dhe të fesë, që shpërfill fanatizmin, intolerancën, urrejtjen ndaj besimtarit, persekutimin e homo religiousus-it, njeriut fetar. Fundametalizmi sekular përfshin edhe propagandën, ngacmimin dhe fyerjet me qëllim të detyrimit të ithtarëve të një besimi fetar ta braktisin botëkuptimin që kanë ose tentimin për t’i bërë besimtarët si personat afetarë, pra laizcizimn, shfetarizimin dhe ateizimin e besimtarëve (UrDic, 2021). Fundamentalizmi sekular paraqet një interpretim ekstrem të mendimtarëve të Iluminizmit. Fundmentalistët laikë hedhin idenë se feja dhe fetarja janë pengesë e përparimit dhe modernitetit andaj duhet të shuhen apo të eliminohen. (Werleman, 2015).  Ky formacion, pra fundamentalizmi sekular, ka një qëndrim reaksionar ndaj fesë; sipas tij feja duhet të jetë individuale, por jo autonome; individit duhet t’i tregohet mënyra e mendimit, veprimit, veshjes e shumë gjëra të tjera; është botëkuptim monotipik, monist (Jones, 2007), ngjashëm si komunizmi që synonte shabllonizimin e qytetarit sipas një matrice ideologjike. Shembull konkret i fundamentalizmit sekular janë individët dhe sistemet që ndjenjë shqetësim psikologjik nga tempujt, faltoret, kleri, shenjtëritë, mbulesa e femrës, nga lutja, nga ezani (rasti “Nano 2021”), nga fetaria e personave publikë, nga mësimbesimi nëpër shkolla e të ngjashme. Ashpërsia e qarqeve dhe në veçanti e udhëheqësve shekullarë ndaj fesë, fetares dhe fetarëve u jep forcë, i ngjall tendencat fundamentaliste dhe reaksionare (Pelletiere 1995:34), andaj shoqëri stabile janë ato që gjenerojnë një klimë tolerante si ndaj prirjeve fetare ashtu edhe ndaj atyre jofetare, afetare, që çmojnë çdo ide, bindje, kulturë që nuk ka elemente destruktive për paqen sociale. Pjesa dërrmuese e vendeve islamike s’kanë arritur të krijojnë një klimën kur’anore (“…e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë’, Kur’ani, 19:29) dhe të Kartës së Medines, kështuqë dhuna herë “prodhohet” nga fetarët e herë nga sekularistët, gjithnjë në dëm të demosit dhe imazhit të ummetit (bashkësisë besimore globale). Sot mjafton të hapësh TV-në apo internetin dhe përnjëherë  trazohesh, shqetësohesh nga gjendja në terrenin e islamdomit (Hodgson), për të cilën s’duhet kërkuar fajtorë të jashtëm. “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë” (Kur’ani 42:30) Edhe nëse ka fajtorë historikë, koha lëvizën, jemi në epokën post-koloniale dhe rrimarrja e vetes dhe paqja sociale janë detyrim ndaj Zotit, të tjerëve dhe vetes. Shumësia e izmave fetarë internë (fraksionerizmi) prodhon relativizim të logos-it (fjalës hyjnore) kontradiksione të pafundme që herë janë më të zbehta e herë fundamentale. Nga ana tjetër, ekstremizmi laik i mbështetut herë pas here me dorën e shtetit edhe më tepër e përkeqëson gjendjen dhe shkakton urrejtje ndaj institucioneve, shtetit, modernitetit dhe tjetrit fetar e kështu me radhë. Andaj raportet fe-shtet duhet të ndërtohen mbi një bazament të shëndoshë, të bashkëpunimit konstruktiv për të mirën e çdo qytetari pa marrë parasysh bindjet dhe mënyrën e tij të jetesës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button