Reagime të shumta për mbështetjen e koalicionit opozitar ndaj Danela Arsovskës për kandidate të Shkupit

Sot, kandidatja e pavarur për kryetare të Shkupit Danela Arsovska, e cila njoftoi që premten se I ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për të garuar si kandidate e pavarur në zgjedhjet e tetorit, u takua me koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Nga ana tjetër , VMRO-DPMNE sapo njoftoi se do të mbështesin Arsovskën për Shkupin, njofton Portalb.mk.

Arsovska njoftoi në Facebook se u takua me Arben Taravarin nga Aleanca për Shqiptarët dhe Bekim Saliun nga Alternativa.

“Takim konstruktiv me Arben Taravarin, Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, mjek dhe kryetar aktual i Gostivarit dhe Bekim Sali, kandidat për kryetar të komunës së Çairit nga Alternativa. Ne diskutojmë idetë dhe zgjidhjet për Shkupin për programin e ri për qytetin. Së bashku ne arritëm në përfundimin se zgjidhjet cilësore dhe efikase janë të nevojshme për Shkupin dhe banorët e Shkupit,” shkroi ajo në profilin e saj në Facebook.

Nga koalicioni ASh-AAA thanë se ky ishte një takim konstruktiv.

“Në takim u bisedua rreth ideve dhe zgjidhjeve që do të jenë pjesë e programit për kryeqytetin, si dhe u konstatua se nevojiten zgjidhje cilësore dhe efikase për Shkupin dhe të gjithë shkupjanët”, thanë nga ASh dhe AAA.

Nga ana tjetër kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski sapo e konfirmoi se do e mbështesin Danela Arsovskën për të parën e Qytetit të Shkupit. Ai tha se kjo u vendos nga Komiteti Ekzekutiv dhe Qendror i partisë pasi Arsovska u kishte dorrëzuar, një program dhe vizion për Shkupin për të cilin ata diskutuan.

“Danela për Kryetar është përgjigjja dhe zgjidhja. Ne morëm një vendim domethënës sot, një vendim që shënon kohën e ndryshimit për një fillim të ri për Shkupin. Shkupi që i përket të gjithë njerëzve. Ne po shkojmë në një fitore të sigurt së bashku me Danela Arsovskën për Shkupin”, tha Hristjan Mickoski.

Mickoski njoftoi se nesër në një konferencë për shtyp do të shpallen dhjetë kandidatë të tjerë për kryetar komunash, nuke mos dhënë më shumë detaje.

Për këtë pati reagim edhe nga LSDM, të cilët thonë se Arsovska u zgjodh për të përballuar humbjen në Shkup.

“Kandidimi i pavarur i Daniela Arsovskës është një konfirmim tjetër se VMRO-DPMNE gjithashtu e di se një humbje tjetër i pret në zgjedhjet e ardhshme lokale. Në vend të kandidimit me vulën e VMRO-DPMNE, Arsovska do të përpiqet të luajë pavarësinë e pretenduar, por me nënshkrimet e anëtarëve të partisë të VMRO DPMNE”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Për këtë ka reaguar edhe vetë Danela Arsoska e cila tha se edhe pse fushata nuk ka filluar ende, sulmet ndaj saj si person nuk ndalen.

“Natyrisht, kandidimi im shkakton ankth në një strukturë të caktuar, kështu që për shkak të mungesës së ideve për një jetë më të mirë dhe dinjitoze për bashkëqytetarët tanë, dikush zgjedh të përdorë intriga, shpifje dhe manipulime. Dua të përsëris se nuk kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie politike dhe jam kandidat jopartiak dhe i pavarur, pra kandidat i popullit të Shkupit”, tha Danela Arsovska.

Në reakim ajo ka theksuar tre pika që sipas saj qytetarët e Shkupit duhet ti dijnë.

“1. Si kryetar i Asociacionit të Odave Ekonomike të Maqedonisë me zotin Zaev kam shumë më tepër takime dhe kontakte në forume zyrtare sesa me Nikolla Gruevskin. Kjo nuk do të thotë se unë jam një person i zotit Zaev, ashtu siç nuk jam as një person i zotit Gruevski.

2.Lidhur me sulmet publike ndaj meje për emërimin tim si Konsull Nderi i Hungarisë, do të doja të theksoja se Qeveria aktuale e udhëhequr nga LSDM -ja mori të njëjtin pëlqim dhe vendim, ndërsa ekzekutimi u nënshkrua nga Ministri aktual i Punëve të Jashtme, z. Bujar Osmani.

3.Për gënjeshtrat dhe spekulimet se jam donator i çdo partie politike, u bëj thirrje të interesuarve të paraqesin çdo dëshmi, sepse kjo nuk është e vërtetë”, tha Arsovska në reagimin e saj.

Para disa ditëve u takuan partitë opozitare ASh, AAA dhe VMRO-DPMNE, ku vendosën për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke të kandidatëve për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të tetorit.

Ndryshe, zgjedhjet lokale në RMV do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, kurse fushata parazgjedhore do të fillojnë 20 ditë para datës së zgjedhjeve.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button